Degjenerimi i shëndetësisë, policin belg “e bëjnë të vdekur” në Shqipëri

500
Për të vërtetuar se shërbimi shëndetësor në Shqipëri është në gjendje të degraduar të vjen në ndihmë edhe një lajm që është publikuar nga shtypi belg. Pikërisht ky sistemi i degraduar i shëndetësisë në Shqipëri ka tërhequr vëmendje edhe në një shtet europian, pra në Belgjikë, pasi një mjek nga vendi ynë është përfshi me dashje në një skemë mashtrimi të organizuar në Belgjikë. Raporti i shtypit belg bën fjalë për një ish-oficer të policisë belge, që ka falsifikuar vitin e kaluar disa dokumente në Shqipëri për të shmangur procedimin penal në Belgjikë. Sipas gazetës së njohur “Nieuwsblad.be”, 52-vjeçari Guido V.L. në bashkëpunim me një mjek në Shqipëri falsifikuan një çertifikatë vdekje, për të zhdukur të gjitha gjurmët. Pra me pak fjalë, ish polici belg, me dokumentet e siguruar në Shqipëri, kundrejt një pagese të majme, nuk figuronte më në listën e të gjallëve.

Ish-efektivi i policisë ishte nën hetim për disa vepra penale në Belgjike dhe vendosi të arratiset drejt Shqipërisë. Guido V.L. me ndihmën e një mjeku në Shqipëri kishte inskenuar vdekjen e tij në vendin tonë, për të shmangur një dënim të mundshëm nga gjykata belge. Pasi nëna e ish-efektivit dorëzoi dokumentet shqiptare në prokurorinë belge, kjo e fundit ishte e detyruar të ndërpriste hetimet dhe çështja u pushua. Ish-polici ishte nën hetim për pastrimin e parave në disa veprimtari kriminale.
Skema e mashtrimit u zbulua kur ish-oficeri u rikthye në Belgjikë. Guido V.L. u njoh rastësisht nga ish-kolegu i tij në një lokal në qytetin Antwerpen. Ai u arrestua menjëherë nga policia belge dhe pranoi direkt akuzën për inskenimin e vdekjes së tij në Shqipëri. Sipas gazetës belge “Het Laatste Nieuws” gjykatësi nuk mund të vlerësonte aksionin e ish-efektivit. “Është një turp që ju keni përfshirë në këtë falsifikim nënën tuaj të moshuar”, tha gjykatësi. Gjykata e dënoi me një vit burg dhe 500 euro gjobë Guido V.L. Identiteti i mjekut shqiptar nuk është bërë me dije nga mediat belge, por ato e kanë cilësuar si një turp që një doktor mund të bashkëpunojë në një skemë e tillë abuzuese dhe korruptive.
Sigal