Dëftesat: Një gëzim fëminor, i thyer në mes

505
Sigal

Problemi/Mësuesit u japin kurse private nxënësve të vet dhe i shpërblejnë me nota të mira në dëftesa

U shpërndanë dëftesat për përfundimin e vitit shkollor 2012-2013. Një gëzim fëmijëror e prindëror, por më shumë i atyre të ciklit të ulët. Por ky gëzim pati edhe plasaritje, dhe të thyesh gëzimin e çiltër të fëmijës, pastërtinë shpirtërore të tij, do të thotë se ke thyer në mes të ardhmen, pasi investimi i sotëm tek ata, është garancia e së nesërmes. Po çfarë ndodhi në të vërtetë? I ndodhur në një nga shkollat e Sarandës për të fotografuar këtë event mbresëlënës të finalizimit të vitit shkollor, mbeta i befasuar. Një panoramë e një lëndine pranverore nga veshjet shumëngjyrëshe dhe lulet që fëmijët mbanin në duar me zërat –cicërima a thua se ishe në një hije në korie, duke dëgjuar këngën e gëzueshme të bilbilave e kanarinave. Fytyra të qeshura prindërore që shoqëronin fëmijët dhe prisnin të ligjëronin investimin shkollor për arsimimin e fëmijës, e reflektuar tek dëftesa. Dhe çasti erdhi. Mes një ceremonie modeste, dëftesat shkollore u shpërndanë. Dikush përfitoi përqafimin e prindit dhe ndonjë dhuratë, dikush zemërthyer, por me një fërkim koke dhe fjalë inkurajuese nga prindi. Natyrisht që nuk do jetë rezultati i njëjtë, se dhe nxënia nuk është e njëjtë. Por ajo që tërhoqi vëmendjen time është kjo bisedë:

-Pusho të keqen mami! Do të marrësh 10-a vitin tjetër! Do mësosh pak më shumë dhe do ta realizosh!

-Jo mami, jo! Mësova! Hajde shiko testet në shtëpi. Po të thashë që dërgomë në kurs! Ja, ajo vajza atje, nuk ka marrë asnjë 10-të gjatë vitit dhe në dëftesë e ka 10-të, se është në kurs me mësuesen e lëndës.

Stepa disi nga kjo skenë. E dhimbshme për botën e një fëmije që i mësojmë keq në jetë. Vogëlushja ktheu kokën dhe më tha: “Xhaxhi, ja për këto shkruaj në gazetë, nxirru bojën se nuk janë mësuese! Mbajnë me hatër….”. Vajza vijoi të fliste duke shprehur revoltën e saj fëmijërore, që është edhe revolta më e drejtë. Ç’po bëhet vallë? Para dy vitesh Ministri i Arsimit, z.Tafaj, nxori urdhrin për ndërprerjen e kurseve private nga mësuesit e lëndëve të arsimit parauniversitar, pasi përbënte konflikt interesi dhe ulte ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies. U mirëprit nga prindërit, madje fillimisht u morën masa të rrepta… Por i ngjau një shiu, një shiu behari… A do mundet vallë qeveria e re ta frenojë deri në eleminim këtë fenomen, që po kthehet në gangrenë për arsimin shqiptar, një erozion që gërryen arsimimin bashkëkohor, dhe siç e thamë që në fillim, po vrasin të ardhmen tonë. Dhe nuk është turp të kujtojmë se në arsimin e para viteve ’90-të funksiononin rrethet jashtëshkollore për çdo lëndë. Pse sot ato nuk funksionojnë, dhe në vetvete ç’janë kurset? Pra janë e njëjta gjë, vetëm se sot nuk mbushin trurin e nxënësit me dije, por portofolin e mësimdhënësit me para. A i duhet thënë stop këtij fenomeni njëherë e përgjithmonë? Sa keq i mësojmë fëmijët dhe sa shumë thotë ai lot i kristaltë në sytë e këtij fëmije.