Deeuroizim apo vlerësimi i euros

1506
Alqi NAQELLARI
Në konferencën e radhës, (14 shkurt 2018), Guvernatori foli si gjithnjë për rritje të lartë ekonomike, për realizim të objektivave të Bankës Qendrore si dhe për masat që duhen marrë në “luftën” kundër euros, që kësaj radhe këtë fenomen e konsideroi si “deeuroizim”.Të shqetëson fakti pse guvernatori flet për deeuroizim, kur në të gjitha Konferencat e Shtypit, Guvernatori ka folur vetëm me nota pozitive, vetëm për suksese, pa vënë në dukje asnjë mosarritje, asnjë dobësi, asnjë të metë, asnjë mangësi, asnjë… Flet për deeuroizim, kur sipas tij Banka Qendrore ka ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike, kur janë realizuar efektet e politikave monetare, kur inflacionin e mbajnë në kufijtë e parashikuar, kur tregu është me likuiditete të mjaftueshme, kur ka stabilitet financiar, kur sistemi bankar është i mirë kapitalizuar etj, etj? Po përse, cila është arsyeja që kërkon deeuroizimin e ekonomisë? Mos vallë euroizimi ka ndikuar negativisht në ritmin e rritjes ekonomike, mos ka ndikuar negativisht në rritjen e depozitave, në rritjen e kredive, në rritjen e kredive të këqija, në mos realizimin e efektit të transmisionit të politikave monetare që përkthehet në mungesën e kontrollit të inflacionit i cili është objektivi kryesor i Bankës Qendrore? A ka ndonjë studim shkencor nga Banka Qendrore për lidhjen midis indeksit të euroizimit me treguesit kryesorë makroekonomikë? Nëse ka ku është publikuar ky studim? Nëse ka ndonjë studim të paraqitur në Konferencat e organizuar nga Banka Qendrore, cili është ky studim dhe kush e ka bërë, sa është i lidhur me tregun shqiptar. Kjo sepse të dalësh me teorinë e deeuroizimit duhet të kesh argumente të forta shkencore. Duhet të kesh studime konkrete të publikuara dhe të mbrojtura publikisht në rrethet shkencore shqiptare. Studime reale të pranueshme dhe të aplikueshme, studime me efekte reale të pritshme në interes të ekonomisë shqiptare, dhe jo çfarë kanë studiuar rumunët, polakët apo hungarezët, panamezët, kostarikanët apo malazezët, sepse ekonomia shqiptare ka specifikat e saj. Sipas Bankës Qendrore ka studime. “Studimet treguan që niveli i euroizimit ishte mbi 50%, dhe një nivel kaq i lartë kufizon influencën e politikës sonë monetare dhe përfaqëson një rrezik për stabilitetin financiar”. Euroizimin, i cili është një fenomen konkret që prej daljes në qarkullim të euros nga viti 2000 e shikon si rrezik për stabilitetin financiar. Gjithkush mund të pyesë sot, pas 17 vitesh, u bë rrezik euroizimi për efektin e politikave monetare dhe për stabilitetin financiar, apo ka qenë i tillë? Nëse u bë sot, cilat janë shkaqet? Nëse ka shkaqe, hajde të luftohen shkaqet dhe të respektohet euro, sepse euro është po aq i rëndësishëm sa edhe leku shqiptar. Në kushtet e sotme të mbivlerësosh lekun dhe të “luftosh” euron është një gabim i madh ashtu sikundër të mbivlerësosh euron dhe të “luftosh” lekun. Sot ato janë bërë pjesë unike e sistemit të qarkullimit dhe plotësojnë njëra tjetrën. Sot duhet parë si të administrohet, si të rritet efektiviteti i përdorimit të saj dhe jo si do deurizohet ekonomia. Të diferencosh deeuroizimin si objektiv primar, do të thotë të goditësh ekonominë. Dhe që të mos goditet ekonomia, euroja duhet mbrojtur me të gjitha mënyrat, sepse po shpërdorohet gjerësisht, si në drejtim të përdorimit të saj ashtu edhe nga nxjerrja në mënyrë të pakufizuar dhe masive jashtë meritorit të Shqipërisë. Guvernatorin, Bankën dhe Institucionet e tjera duhet t’i hajë meraku për marrjen e masave drastike për frenimin e nxjerrjes jashtë të euros, për formalizimin e qarkullimit të saj, për rritjen në maksimum të rezervës së saj dhe jo për deuroizimin, sepse qenka forcuar leku. Mbiçmimi i lekut, në të tilla raporte me euron, është një kambanë alarmi, sepse është i përkohshëm për llogari të ekonomisë informale. Largimi i informalitetit do ketë efektin e kundërt dhe do ta çojë lekun në pikiatë, dhe kurset e sotme të këmbimit do t’i ngelen historisë si ekstreme. Të vazhdojmë me analizën. Cila është arsyeja që Guvernatori së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për deuroizimn e tregut? Sipas tij arsyeja kryesore: “Është stimulimi për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në ekonominë shqiptare. Kjo bëhet për të rritur fleksibilitetin dhe influencën e politikës sonë monetare, si dhe për të konsoliduar stabilitetin financiar në Shqipëri”. Për këtë parashikohen tre grupe masash. 

“Masa e parë, lidhet me transparencën për t’ua qartësuar individëve dhe bizneseve që marrin kredi në euro (ose dhe në dollarë), se cili është rreziku që ata mund të kenë në të ardhmen”.“Për të sqaruar bizneset dhe individët për ekspozimin ndaj rrezikut të këmbimit valutor dhe rrezikut të normës së interesit në monedhë të huaj”. “Natyrisht që në afat të gjatë, ne synojmë që kredia në lekë të jetë më e lirë se sa kredia në euro, por nuk besoj dhe nuk gjykoj që nëpërmjet këtyre masave do të ketë një impakt të hershëm ose të shpejtë”. 

Masa e dytë lidhet me RD. “Rezerva e detyrueshme ka qenë në një nivel fiks prej 10%, si për euron ashtu edhe për lekun. Ne kemi diferencuar rezervën e detyrueshme në 12.5% për euron dhe 7.5% për lekun”. 

Masa e tretë lidhet me “likuiditetin, rritjen e kërkesës minimale për aktivet likuide në 20% të detyrimeve afatshkurtra, nga niveli 15% që ishte më pare”. Nëpërmjet këtyre masave Banka Qendrore synon: “Ne synojmë që sistemi bankar të ketë një menaxhim më të mirë të likuiditetit. Është bërë një vlerësim që niveli i euroizimit është 10% mbi nivelin optimal dhe pikërisht duke shmangur këtë pjesë të panevojshme, ne do të menaxhojmë uljen e këtij niveli”. Sipas BQ-së mjafton të ulet me 10% monedha në qarkullim dhe ekonomia është në rregull, pra indeksi euroizimit në nivelin 40 është i kënaqshëm për Bankën Qendrore, që së bashku me dy institucionet e tjera e kanë ndërmarrë një sërë masash deeuroizuese. Ku i mbështet guvernatori këto thënie? Guvernatori flet për lekun me simpati të madhe. Por do thosha pse nuk ka folur me këtë gjuhë që pas vitit 2000, ose pas vitit 2009. Nëse do mbrohej dhe vlerësohej leku që pas 2009 nuk do ishte kjo gjendje ekonomike në Shqipëri, do ishte shumë më ndryshe. Leku shqiptar është anatemuar nga Qeveria dhe nuk është mbrojtur me veprime konkrete nga Banka Qendrore dhe nga një pjesë e mirë e ekonomistëve shqiptarë. Nëse nuk mbrohej dot me veprime konkrete atëherë duhej synuar që veprimi negativ i euros të kthehej në ndikim pozitiv. Ky duhet të jetë edhe objektiv i Bankës Qendrore dhe i Institucioneve të tjera. Sali BERISHA (Ish Kryeministër i Shqipërisë) Politika të stabilitetit monetar dhe financiar leksione nga kriza. Konferenca e 8-të Ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë 17 shtator 2009. “Ka një rënie të lehtë të eksporteve në Shqipëri; ka një rënie të kreditimit të ekonomisë; ka një luhatje të kursit të këmbimit. Euro, duhet të jemi realistë, po bëhet një problem madhor për ekonomitë tona, në mënyrë të përsëritur mendoj, jo për shkak të kursit, se ky kurs është plotësisht i pranueshëm, por fakti që kjo monedhë e mbështetur në ekonominë më të madhe të botës, siç është ekonomia e Bashkimit Evropian, bën presion mbi monedhat tona, unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita, kur ne do të na duhet dorëzohemi, nuk do të vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, nuk na mbetet rrugë tjetër. Vendet tona, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, kanë gjithsej 1% të prodhimit të brendshëm të Bashkimit Evropian. Në këto kushte, është e domosdoshme që të negociohen disa marrëdhënie financiare me Bankën Qendrore Evropiane. Natyrshëm, ekonomitë tona po euroizohen. Kjo nuk mund të them që është një gjë e keqpritur, se ky është destinacioni ynë, por kur shoh që edhe skeptikët britanikë kanë filluar të mendojnë ndryshe për euron, imagjinoni ju se ç’mund të mendojmë ne për presionet që na bën ajo”. Ndërsa ish guvernatori Fullani (po aty)theksonte “…ne duhet të mbështesim një rol më të fuqishëm të monedhës vendase në kredidhënien bankare, duke e bërë kredidhënien në valutë më të kushtueshme për bankat, nëse ajo nuk mbështetet nga kursimet me pakicë në valutë. Mbështetja e tepërt e bankave në burime financiare me shumicë në valutë për të mbështetur kredidhënien e shpejtë, duhet të trajtohet dhe administrohet në kohën e duhur”.Bëhet fjalë që në vitin 2009. Çfarë është bërë nga 2009, të paktën që u përmend publikisht dhe deri sot? Pse u kujtua Banka Qendrore sot për të marrë të tilla masa. Sot po shikohet roli dhe rëndësia e lekut e në qarkullim, sot po shihet roli negativ i euros sikur sot këta njerëz kanë zbritur në Shqipëri. Sot po pohohen gjëra që nuk janë pohuar asnjëherë. “E theksoj (Guvernatori) që përdorimi i monedhës kombëtare është një avantazh i madh, nuk po them që është luks. Është një avantazh shumë i madh për ushtrimin e politikës monetare nga banka qendrore, jo thjesht si koncept teorik, por si koncept praktik, në stimulimin e ekonomisë vendase, në stimulimin e kreditimit dhe të investimeve. të stimulojmë ekonominë për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe integrimin. Ky është synimi”. Këta (përfaqësuesit e Bankës Qendrore) e dinë mirë se cili është roli, por problemi është, pse nuk kanë punuar për ta vënë në jetë këtë rol, por janë mjaftuar vetëm duke lavdëruar punën e tyre për realizimin e objektivave përkatëse. Nga një vështrim i shpejtë i Konferencës për shtyp të bie në sy edhe një thënie tjetër e guvernatorit lidhur me pasojat e euroizimnit. Pasojat i shikon në dy pika në kursin e këmbimit valutor dhe normën e interesit…. “për të sqaruar bizneset dhe individët për ekspozimin ndaj rrezikut të këmbimit valutor dhe rrezikut të normës së interesit në monedhë të huaj”. Sepse “Ekspozimi ndaj kursit të këmbimit dhe normës së interesit, kryesisht nga një nivel i lartë i euroizimit do ta cenonte stabilitetin financiar në Republikën e Shqipërisë”. 

• Komenti im shkurt për pikën e parë është. Kursin e këmbimit nuk e kontrollon dot Banka Qendrore, sepse nuk vendoset prej saj fiks, ose me kufij, siç e kanë një sërë vendesh të tjera por përcaktohet lirshëm në treg. Prandaj ajo jep vetëm rekomandime dhe thotë: Kini kujdes ju që merrni kredi! Vetëm kaq mund të bëjë dhe nuk është e aftë të mbrojë askënd, sepse nëse do ishte e aftë, nëpërmjet politikave të saj ekspansioniste, të aplikuara nga 2008 deri sot (6.25-1.25 n.REPO) do ta kishte zhvlerësuar lekun dhe do ishte forcuar euro. Por në treg me gjithë këto politika të saj ka ndodhur e kundërta, është forcuar leku. Nuk ka vërshuar leku jashtë bankave në mënyrë që t’i bëjë presion inflacionit dhe kurseve të këmbimit, sepse është sektori informal ai që ndikon, sepse ekonomia shqiptare është një ekonomi konsumi dhe shërbimesh sesa prodhuese. 

• Komenti im për pikën e dytë është. Sa i përket normave të interesit të euros dhe të lekut, luajnë Bankat Tregtare me Bankën Qendrore si macja me miun, sepse në mes janë BQE-ja dhe FED-i që mbrojnë euron dhe dollarin. Nuk mund të përballet dot leku me euron, janë në disavantazh të madh, e fillojnë garën 0.5 me 1.25 dhe më e keqja është se Banka Qendrore nuk e ul dot më normën e REPO-ve. Ajo po pret vetëm një shkëndijë të rritjes së kredive në lekë në mënyrë që të fillojë ta rritë atë. Bankat tregtare nuk shikojnë më kredinë si burim të parë fitimi, por shikojnë produktet e tjera, bonot e thesarit, obligacionet etj. Kështu që ato mbajnë normat e kredive në lekë të larta dhe lekët i përdorin pikërisht në këto destinacione. Me këto veprime, interes dhe përfitim ka qeveria dhe jo depozituesit dhe kreditorët. Ka dy ekstreme, përfitojnë ata që marrin kredi në euro, sepse kanë norma të ulëta por me rrezik të madh, dhe bankat me depozitat në lekë që kanë interesa të ulëta por me rrezik uljen e tyre. Përdorimin e lekut guvernatori e shikon si avantazh, si lehtësi për të shpejtuar integrimin evropian dhe forcimin e stabilitetit financiar. “Ky është momenti më i mirë për të stimuluar gradualisht përdorimin e lekut. Pikërisht sepse synojmë aderimin në Komunitetin Evropian, përdorimi i monedhës vendase do të ishte një avantazh për ekonominë tonë, për të përshpejtuar integrimin dhe për të forcuar stabilitetin financiar”. Pyetja ime është: “A është më lehtë të kalohet në sistemin e euros kur ekonomia është 100 me qarkullin në lekë apo kur është 70 me 30%, apo siç është sot 43 Indeksi Euroizimit? Për mendimin tim duhet kthyer në efekt pozitiv situata e sotme e euroizimit të ekonomisë nëpërmjet një seri masash që duhet të marrë pikërisht Banka Qendrore. Deri tani euro është shpërdoruar në mënyrë të dhimbshme, në pagesa të zakonshme kur fare mirë mund të bëheshin në lekë. Një grup pedagogësh të Universiteti Mesdhetar kanë bërë një studim mbi përcaktimin e Nivelit të Indeksit të Valutizimit të Ekonomisë Shqiptare, dhe lidhjen e tij me treguesit kryesorë makroekonomikë. Në përcaktimin e Indeksit të euroizimit janë marrë në konsideratë 5 grupe treguesish, të depozitave, të kredive, të hyrje-daljeve të valutës, të borxhit dhe raporti me GDP-në. Është hera e parë që në Shqipëri e më gjerë përdoret një Indeks i tillë për përcaktimin e shkallës së valutizimit të një vendi. Në këtë studim që përfshin vitet 2000-2016 është konstatuar se lidhja midis IVESH dhe GDP-së nuk është e përfillshme, është e kundërt, koeficienti korelacionit është -0.744. Po kështu lidhja me normën e inflacionit vjetor është e kundërt me -0360 dhe me normën e papunësisë është -0.415. Më poshtë po japim grafikët përkatës:

Duke e përfunduar këtë analizë të thjeshtë theksojmë se: 
Të dhënat tregojnë se euroizimi (valutizimi) i ekonomisë ka dhënë pasoja negative në rritjen dhe stabilitetin e ekonomisë shqiptare. Ne jemi të mendimit se Banka Qendrore duhet ta administrojë dhe të synojë rritjen e efikasitetit të euros në ekonomi, vendosjen e kursit të këmbimit me kufij, ashtu siç e kanë shumë vende, çeljen e një banke tregtare me kapital tërësisht shtetëror, si dhe ndryshimin e Objektivit të saj kryesor, i cili është një objektiv pa asnjë kuptim për shkallën e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Euroja duhet vlerësuar si aset, si faktor ndikues dhe jo si “armik” i tregut që duhet luftuar, ajo duhet disiplinuar, formalizuar dhe evidentuar në mënyrë që të kthehet në faktor pozitiv për rritjen dhe stabilitetin e ekonomisë. Banka Qendrore duhet t’i përshtatet dhe të ecë me të njëjtin hap që po ecën edhe qeveria në fushën e formalizimit dhe të strukturimit të ekonomisë.
Sigal