Dedikim për 8 Marsin, përtej një historie personale

1010
Nga Xheladin ÇELMETA
Gratë e Shqipërisë, heroinat që sakrifikojnë çdo ditë në përballje me vështirësitë e një tranzicioni të tejzgjatur
Në festën e Gruas, 8 Mars, ne burrat kemi shumë arsye për t’ju thënë bashkëshorteve tona: “Faleminderit!”. Na takon patjetër t’ju dhurojmë një simbolikë të çmuar apo edhe krejt të thjeshtë; një lule, një parfum, a ku di çfarë… Dhe normalisht, nuk ka “kushte” për t’ia thënë atë “Faleminderit!” nga thellësia e shpirtit. Se e tërë jeta e gruas në vetvete është përkushtim. Përkushtim për fëmijët, familjen, punën, kuletën, bashkëshortin, për gjithçka. Por gjithsesi, edhe pse urimi për bashkëshorten për shumë njerëz është, si të thuash një “privatësi”, pra, diçka personale, unë nuk po nguroj sot ta bëj publike edhe në gazetë. Se jeta e secilit prej nesh është e ndryshme; e ndryshme edhe sakrifica e grave tona, e atyre heroinave që na janë përkushtuar pa asnjë rezervë në gjithë ato vite jete… Mes të tjerash, do t’i thosha: “Faleminderit!” bashkëshortes sime, Adiles, për shumë e shumë momente, që nuk mund të harrohen lehtë. Se shpesh ato janë prova të forta mbijetese, angazhimi e dinjiteti. Është krejt e natyrshme të vlerësoj atë mbështetje; atë angazhim prej nëne. “Faleminderit!”, që pranove të bëheshe pjesë e sakrificave të mia, që edhe pse me uniformë, në këto 36 vite jete bashkë, me gjithë privacionet e jetës sime ushtarake, ti nuk u mërzite asnjëherë. Se nuk ishte e lehtë, që në një dekadë e ca, për mbi 12 vjet, unë bëra jetë ushtari, bëra jetën e luftëtarit të llogores, si oficer trupe, si ushtarak i diplomuar në fakultetin e Artilerisë Kundërajrore. Ti, nuk m’u mërzite; edhe pse vija rrallë pranë familjes; vetëm një apo dy herë në muaj, e aspak më shumë. Se, dihet; ajo armë kishte vetëm shërbime të gjata, gatishmëri luftarake, e asgjë tjetër. Ti nuk m’u qave kurrë, edhe kur i përballoje vetë ecejaket me fëmijët e sëmurë në krahë nëpër spitale, pa praninë time. Edhe pse kishe aq shumë nevojë për mua. Nuk m’u zemërove, edhe kur të lija në mes të natës, dhe ikja nëpër terr, se në regjiment ishte dhënë sinjali i alarmit. Se mbrojtja e Atdheut ishte detyrë mbi detyrat. Sot, kjo mund të duket si shaka, por atëherë jo! Le ta provoje të mos shkoje në alarm, le ta provoje të mos i përgjigjeshe detyrës dhe do ta shikoje se ç’të priste… Sigurisht, nuk ishte frika ajo që na impononte ne ushtarakëve për të qenë korrektë; asnjëherë…Sepse ne e bënim detyrën me vetëdije, e bënim për mbrojtjen e Atdheut. Ishin sakrifica e privacione pa fund…. Ne mbrojtëm paqen, se nuk deshëm luftën. …Sërish më pas, në detyrën e gazetarit ushtarak, për shumë vite u gjenda shpesh larg familjes, rrugëve të Atdheut, në terren, nëpër rrethe, atje ku ishin repartet e Forcave të Armatosura. Edhe në kohën e luftës së Kosovës, 1998-1999… Isha atje edhe në kohën kur kërcënohej kufiri ynë verior nga ushtria e Milosheviçit. Atje isha, edhe kur ushtria serbe bombardonte përgjatë vijës kufitare Kukës-Tropojë. Ti më kuptove. Ose më mirë të them: ne u mirëkuptuam për sakrificën tonë të përbashkët. Kështu, kaluan vite… Jeta e solli që edhe ti vetë u veshe me uniformë ushtarake; si infermiere (nën/oficere) në Spitalin Ushtarak. Nuk u tërhoqe, në çdo rrethanë, në çdo pavion që shërbeve, siç e deshi detyra humane; edhe pse kalove aty momente delikate, si gjatë krizës së ’97-s, kur shpesh aty nuk pushonin së ardhuri të plagosurit me armë zjarri. “Faleminderit”, që u gjende edhe në momentet më të rënda të atij spitali prestigjioz. E kujtoj shpesh herë, se si ike në mes të plumbave në ditët e marra të marsit 1997, për t’iu gjendur pranë të sëmurëve, si dhe të plagosurve. Dua të të them “Faleminderit!” edhe për kohët më të vështira që erdhën më pas. Mua më hoqën nga puna, pikërisht në kohën kur familja, fëmijët, kishin aq shumë nevojë. Por ti prapë nuk u trishtove. Ose më saktë; gjete forca ta fshehësh trishtimin brenda vetes. E kuptova pse e bëre: Që të mos ndjeheshe ligsht para meje. Madje më the mua “Mos u mërzit”. Por unë “vjedhurazi” pashë se si t’u shtuan në çast rrudhat. …. Një muaj më vonë…..një koincidencë e çuditshme na ndoqi në atë prill të vitit 2008. Ty t’u desh të shkoje me mision paqeruajtës me ekipin shëndetësor të vendeve të A-3 (Shqipëri, Maqedoni e Kroaci) në Afganistan për 6 muaj, në kuadër të NATO-s, ndërkohë që unë normalisht do të kujdesesha për fëmijët dhe familjen. Ti po shkoje në luftë. Dhe nuk u stepe. Nuk u tërhoqe. Ishe e para nënë shqiptare me uniformë, që po lije fëmijët në moshë adoleshente, po lije familjen dhe po shkoje në Kabul, në vendin ku lufta ziente. S’harrohet lehtë ai moment. Pak para nisjes më the: “Më dëgjo vetëm një sekondë, burrë; të lutem: Po të mos kthehem gjallë që andej, nëse unë vritem, ti; i di detyrat e tua?”. Nuk e di, ku e gjete gjithë atë forcë që shqiptove fjalën “vdekje”. E kuptova. Nuk ishte aspak provokim. Ndaj dhe nuk t’u kurseva. Mbaj mend që t’u ktheva paksa ashpër: “Nëse ke frikë”, të thashë, “mos shko, dhe pikë”. S’pati asnjë kompromis mes nesh. Por në çast, ti më the: “Po ç’më pandeh ti mua!?…unë jam ushtarake, si dhe ti. Këtu nuk ka punë llafesh. Do shkoj!…”. Nuk do ta harroj kurrë atë të premte; ora 03.30 e natës, kur do të merrje rrugën për në Afganistan. Ti nuk i zgjove dy vajzat, edhe pse ato të thanë që në darkë: “Mami, na zgjo natën kur të nisesh”. Ti iu the “po”, por në fakt i gënjeve. Nuk ua prishe atyre gjumin, në atë shtëpi të vjetër, të rrënuar-karakatinë, ku banonim atëherë: Shkove në “dhomën” e vajzave që flinin si dy engjëj, dhe iu le një copë letër, ku shkrove: “Nela e Milda; mami nuk deshi t’jua prishë gjumin. Po iki për 6 muaj larg; por vetëm një gjë kërkoj nga ju: Kujdes mësimet! Mos e mërzitni babin. Ju puth fort. Mami”. Kaq. Vetëm një rresht ishte. Vetëm një porosi. Unë shihja se si të rridhnin lotët, edhe pse ti mundoheshe t’i fshihje. Pastaj…të shoqërova deri tek “Furgoni” i ministrisë së Mbrojtjes, dhe…u ndamë pa e takuar njeri-tjetrin. Se…ashtu ka ngelur ai “zakoni i emigrantit”, që kur ikën për udhë të largët, “nuk duhen shkëmbyer duart, se…nuk i dihet se ç’mund të ndodhë”; etj, etj. Gjithsesi, ti shkove, e përballove me sukses atë mision lufte dhe u ktheve shëndoshë e mirë, falë Zotit të Madh…. Edhe sot, ti vazhdon të shërbesh si infermiere (civile), jo më në SQU, jo më në Tiranë, por në një zonë rurale. Dhe ke po atë zell, si në ditët e para të profesionit… Për sa tregova më lart, edhe për këtë unë dua të të them “Faleminderit!” në këtë 8 Mars. Si një nënë mes mijëra e mijëra nënave të tjera shqiptare, nuk e di se sa do të ishte buqeta me lule, sikur çdo lule të përfaqësonte një moment sakrifice mes qindra e qindrave të tilla. Pra, do të ishin qindra lule, të thurura në një buqetë stërmadhe. Dhe këtë, padyshim që ti do ta meritoje plotësisht atë! Siç do ta meritonin të gjitha gratë shqiptare sot, gratë që edhe për punët më të zakonshme që bëjnë, do t’i quaja “heroinat e ditës”… 
***Përtej kësaj historie personale, unë ndërkaq; nga pozita e qytetarit të thjeshtë, por edhe e intelektualit e gazetarit, dua të vlerësoj e të uroj të gjitha gratë e Forcave të Armatosura shqiptare të dekadave të fundit që jetuan në dy sisteme: Gratë e pilotëve, të tankistëve, të këmbësorëve, të transportit ushtarak, të xhenios, të ndërlidhjes, të topografisë, të ushtarakëve në rezervë a lirim etj… Të uroj edhe gratë e minatorëve, të naftëtarëve, të metalurgëve, e të gjithë fushave të tjera të prodhimit, të para vitit ’90, (sot ato janë të moshave 60-65 vjeçare), që sakrifikuan aq shumë duke qenë pjesë e bashkëshortëve e kryefamiljarëve; të cilët shërbyen në punë e profesione të vështira, dhe që sot përballen me situata deri dhe mbijetese, në një tranzicion të tejzgjatur. Që jetojnë këtë kohë shqiptare të ekonomisë së tregut, jo rrallë herë edhe të egër, të pamëshirë, të vështirë ose tejet të vështirë; mes halleve e problemeve të gjithfarë llojit. Dua të përshëndes të gjitha nënat e motrat shqiptare, kudo ku janë e ku shërbejnë sot; në Ushtri, Polici, në sektorin privat, apo ato dhjetëra e dhjetëra gra të ish ushtarakëve, të shokëve tanë në emigracion në ShBA, Angli, Itali, Greqi, Gjermani, etj. Uroj që atyre t’ju paraprijë gjithmonë udha e suksesit! Gëzuar 8 Marsin, gra të Shqipërisë! 
Sigal