Sigal

Reshjet intensive të borës dhe temperaturat e ulëta kanë “mbërthyer” gjysmën e Shqipërisë. Reshjet nuk mungojnë as në veri të vendit por ajo që vlen të theksohet është se bora ka zbardhur edhe bregdetin si rrallë ndonjëherë.

Saranda, Dhërmiu dhe Palasa janë zgjuar sot me flokë dëbore të cilët kanë mbuluar plazhin, duke surprizuar jo pak banorët vendas por edhe turistët. Parku Kombëtar i Llogarasë gjithashtu ofron një panoramë fantastike. Fshati Nivicë në Vlorë përgjatë dy ditëve është mbuluar nga petku i bardhë.

Dardha, Voskopoja dhe vetë qyteti i Korçës janë përrallë më vete, ndërsa janë të shumtë turistët që kanë përjetuar bukurinë dimërore duke e bërë të vështirë largimin prej tyre. Reshje bore ka pasur edhe në Gjirokastër. Qyteti i gurtë shkëlqen edhe më shumë në këto ditë të ftohta dimri me borën prezente mbi të. Reshjet e borës kanë zbardhur mbi 80% të territorit, ndërsa vetëm Tirana, Elbasani, Fieri dhe Durrësi janë qytetet ku ende nuk kanë rënë flokët e parë.

Shtabi i Emergjencës

Në aksin rrugor Vlorë- Llogara kalohet vetëm me zinxhirë, pasi janë hasur probleme me ngricat e krijuara. Ndërkohë, situata paraqitet e vështirë edhe në dy akset si Kotë-Sevaster dhe Kotë-Vranisht-Kuç. Shtabi i emergjencës ka konfirmuar se në këto akse problematike do të kalohet në 48 orët e ardhshme vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë.

Borë në Gjirokastër 

Në Gjirokastër ka rënë dëbora e parë për këtë vit. Jo vetëm në fshatra, por edhe në qytet ka rënë dëborë, por nuk raportohet për probleme. Institucionet janë në gatishmëri në rast emergjence në zonat malore.

Borë në Sarandë dhe Delvinë

Mëngjesin e sotëm temperaturat shënuan -2 gradë celcius në qytetin bregdetar të Sarandës, duke sjellë edhe reshjet e para të dëborës. Në Sarandë për herë të fundit ka rënë dëborë në janar të vitit 2017. Sipas IGJEUM reshjet do jenë në formë dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit.

Tragetet nga Bari në Durrës nisen me vonesë

Moti i keq nuk ka përfshirë vetëm Shqipërinë, por edhe vendet fqinje. Si pasojë e kushteve të këqija atmosferike, tragetet që janë nisur nga Bari për në Durrës pritet që të mbërrijnë me vonesë. Njëri pritet të mbërrijë rreth orës 10:30, ndërsa tjetri është nisur vetëm në mëngjes në drejtim të Durrësit dhe pritet të mbërrijë pas orës 14.00. Në det të hapur forca ka arritur deri në 10 ballë.