Debati PS-Llalla,TIA: Trysni politike po cënohet pavarësia e Prokurorisë!

460
Sigal

TIRANE – Transparency International Albania ka reaguar lidhur me debatin e zhvilluar ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të mazhorëncës, konkretisht Pandeli Majko dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, lidhur me hetimin e zyrtarëve të lartë.

Përmes një komunikate për shtyp, TIA, dënon deklaratat e deputetëve të majtë, pasi sipas saj në këtë mënyrë, cenohet pavarësia dhe integriteti i Prokurorisë.

Duke i cilësuar tërësisht jo profesionale deklaratat e socialistëve që Prokurori mos nxitohet të hetojë ministrat, TIA thekson se ky është një hap mbrapa në respektimin e ligjit, si dhe presion politk ndaj organit të akuzës që ministrat dhe zyrtarë të lartë të mos merren nënë hetim.

Në këtë kontekst TIA nënvizon se ky qëndrim është në kundërshtim me rekomandimet e BE dhe i një vendi me statusin e kandidatit siç është Shqipëria.

“Transparency International Albania ka ndjekur me shqetësim debatin e zhvilluar dje në Kuvendin e Shqipërisë mes deputetëve të mazhorancës qeverisëse dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Deklaratat e deputetëve si dhe mënyra e komunikimit mund të konsiderohen tërësisht jo profesionale dhe një presion i hapur kundër integritetit dhe autoritetit të Prokurorit Përgjithshëm Adriatik Llalla. Paralajmërimet e deputetëve që Prokurori mos nxitohet të hetojë ministrat janë një faktor regresiv në uljen e respektimit të ligjit dhe forcës së ndëshkueshmërisë penale ndaj politikanëve dhe qeveritarëve të korruptuar. Trysnia politike që prokuroria të shohë punët brenda saj dhe mos merret me hetimin e ministrave është një mesazh i cili vjen në kundërshtim me gjithë rekomandimet e BE dhe detyrimet e Shqipërisë pas marrjes së statusit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pandëshkueshmëria dhe mos dënimi i pushtetarëve për vepra penale ul çdo ditë besimin e qytetarëve tek sistemi dhe shteti i së drejtës.” theksohet në komunikatën për shtyp të Transparency International Albania.
 
Ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve, deputetët e majtë, shkëmbyen replika mes tyre dhe Kryeprokurorit Adriatik Llalla, ku socialistët akuzuan se hetimet po zvarriten për shkak të ndikimeve, ndërsa deklaratat e Llallës se po hetohen zyrtarë të lartë, u cilësuan si të nxituara nga ana e mazhorancës.