Debatet për zyrën e PD-së në Berat

545
Sigal

Fadil Nasufi: “Mbyllja, jo çështje politike”. Arenc Berati: “Bashkia të merret me qytetarët”

Pas debateve që vazhdojnë që prej ditës së djeshme mes drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Bashkisë Berat, për shkak të mbylljes me shirit të disa ambienteve që pretendohet se janë pjesë e selisë së PD-së Berat, Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi është prononcuar për gazetën se ky veprim i ndërmarrë nga Policia Bashkiake është thjesht zbatim i ligjit dhe nuk mund të futet në kontekstin politik. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 834, dt 21 Nëntor 2012, janë adresuar të gjitha pronat e pushtetit vendor, ku pjesë e pronave të Bashkisë Berat janë edhe këto ambiente që janë të Drejtorisë Arsimore. Në këto ambiente tashmë lokal,-ka thënë Nasufi, -PD-ja kryente takime me anëtarët e saj, por këto ambiente nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e zyrave të tyre, PD-ja e ka përdorur pa pagesë, pa adresë dhe njëkohësisht e ka keqpërdorur pronën e shtetit. Pasuria-shtet që është pronë e bashkisë-ka vijuar Nasufi, -do të menaxhohet nga bashkia dhe kushdo subjekt që kërkon ambiente me qira duhet më parë të lidhë kontratë ligjore me këtë institucion. Nga ana e tij kryetari i PD-së, Arenc Berati shprehet se ambientet janë marrë me qira nga PD konform ligjit, ato u janë dhënë kësaj force politike me vendim të Këshillit Bashkiak në 28.12.1997 dhe në 15 vjet me radhë, pasi është marrë edhe leje ndërtimi, PD-ja ka investuar në këto ambiente. Sipas Arenc Beratit, veprimi i bashkisë synon eliminimin e aktivitetit politik të opozitës. Kreu i Partisë Demokratike dega Berat, është shprehur për gazetën se “Ne i bëjmë thirrje kryetarit të bashkisë të mbaj larg duart nga Zyrat e Partisë Demokratike pasi po shkel ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Ne si Parti Demokratike, i kujtojmë kryetarit të bashkisë të merret me bashkinë dhe hallet e qytetarëve që janë mbytur nga tymi i plehrave dhe rrugët e degraduara. I kujtojmë kryetarit të bashkisë të zgjohet nga gjumi, e të shohë se si Berati, rrezikon të dalë nga UNESCO, për shkak të ndërtimeve pa leje që kanë përpirë Beratin, që nga viti 2002. Ne jemi të vendosur për të mbrojtur të drejtat të sanksionuara me ligj”, tha kreu i PD-së, dega Berat.