De Biazi: “Është ndeshja ime e dhjetë dhe dua fitore”

652
Sigal

Trajneri i Kombëtares zbardh strategjinë e tij para takimit miqësor me Gjeorgjinë

 Trajneri italian i Shqipërisë, Xhani De Biazi, u shpreh entuziast përpara ndeshjes me Gjeorgjinë, duke lënë të kuptohet se ai do ta dëshironte fort një fitore, jo vetëm për të marrë revanshin e asaj humbje 2-1 në Tbilisi, në debutimin e tij me Kombëtaren e Shqipërisë, por dhe për faktin se takimi kundër gjeorgjianëve është i dhjeti i tij ne bankinën kuqezi, pas katër ndeshjeve zyrtare dhe pesë miqësoreve.

– Zoti Biazi, Gjeorgjia dhe Norvegjia nuk janë dy skuadra të krahasueshme me njëra-tjetrën, përsa i përket nivelit të tyre. A e konsideroni këtë ndeshje si një përgatitore para asaj me Norvegjinë?

 – E zgjodhëm ndeshjen kundër Gjeorgjisë, kjo dhe si pasojë e një raporti të stabilizuar tashmë midis dy vendeve. Luajtëm kundër tyre në shkurt të vitit të kaluar (në Tbilisi). Dëshironin ta na  rikthenin vizitën në Tiranë dhe e konsideruam një gjest kortezie të tyre. Iu përgjigjëm pozitivisht kërkesës së tyre, për të luajtur në muajin shkurt. Është një moment i veçantë, për kohën që luhet në këtë fillim viti, pasi si ata, ashtu dhe ne, kemi lojtarë luajnë në kampionate, të cilët janë ende të ndalur, si në Zvicër, Rusi, Ukrainë, etj. Pra, janë në pauzën dimërore. Ne dëshirojmë që të testojmë edhe këta lojtarë që, për momentin nuk po luajnë në kampionatet e tyre.

 – Nuk keni shumë risi në listën e lojtarëve të thirrur. Do të kërkoni më shumë rezultatin, në funksionin të ndeshjes me Norvegjinë, apo do të kryeni edhe ndonjë eksperiment?

 – Kjo është ndeshja e dhjetë e imja, midis atyre zyrtare dhe miqësore, qysh kur unë mora drejtimin e Shqipërisë. Më duket diçka normale. Nëse në ndeshjet miqësore, nuk do të bëjmë ndonjë eksperiment, pra të përfshijmë lojtarë të rinj, atëherë nuk do ta bëjmë kurrë në ndeshjet thelbësore në ecurinë tonë në eliminatoret e Botërorit. Ne kërkojmë të mbajmë një linjë koherente të grupit, dhe ky grup po bën përpara me gradualitet. Le të themi se, nga ndeshja kundër Gjeorgjisë një vit më parë, janë ndryshuar disa lojtarë. Kanë ardhur shumë futbollistë të rinj. Është e nevojshme pak kohë, për të ecur përpara. Dëshiroj të bëj një miks midis lojtarëve më të vjetër dhe më shumë eksperiencë me ata më të rinj dhe të perspektivës së menjëhershme dhe asaj të ardhme.

–  E nisët me humbje një vit të parë me Gjeorgjinë. A ka vend për një hakmarrje ndaj tyre?

– E them sinqerisht se, kur luaj një ndeshje hyj vetëm për ta fituar. Dëshiroj gjithmonë t’u transmetoj lojtarëve të mi, dëshirën dhe përqendrimin për të arritur në objektiv, një rezultat, pra për të bërë të gjitha mundësitë tona për të fituar ndeshjen. Më pas varet nga shumë gjëra. Ndeshja e parë kundër Gjeorgjisë, sinqerisht e humbëm edhe për shkak të penalltive, por goli i dytë i tyre, për mendimin tim ishte i parregullt. Ajo që ka rëndësi për mua, është paraqitja. Dhe kur ajo shoqërohet me rezultatin, atëherë më jep dhe më shumë kënaqësi.

– Mister, në këtë miqësore ju u shprehët se dëshironi të bëni dhe eksperimente. Nga lista e lojtarëve të thirrur do të mungojë Mavraj dhe Meha, ndërkohë që Ergys Kace refuzoi t’i përgjigjej menjëherë ftesës. A ndjeheni disi në siklet nga mungesa e tyre?

– Kemi afruar lojtarë të rinj, disa edhe për shkak të disa mungesave të rëndësishme, si: Dallku, Meha dhe Mavraj, por së fundi edhe Osmani. Janë lojtarë që, bëjnë pjesë në Kombëtaren tonë, por që për momentin janë jo në gjendje të mirë shëndetësore. Në lidhje me Kaçajn, me të kam folur personalisht rreth 15 ditë më parë. Mendoj se, është një lojtar interesant. Luan në Superligën greke, me PAOK-un e Selanikur, një skuadër shumë e fortë, e dyta në kampionat pas Olimpiakosit. Kaçe, nuk është se nuk vjen, por situata e tij është e lidhur me marrjen e pasaportës greke, që mund t’i krijojë mundësinë të quhet komunitar dhe jo të qëndrojë ekstrakomunitar, e që i krijon probleme në lidhje me merkaton.

– Meha është me probleme shëndetstore, ndërkohë që Burim Kukeli u dëmtua rëndë në gju. Nisur nga kjo, a mund të luajë Debatik Curri në të djathtë të mesfushës?

– Jo, për të qenë i sinqertë. Gjithsesi, për gjithçka do të vendos pas seancës stërvitore të nesërme (sotme). Shumë lojtarë vijën nga ndeshjet me ekipet e tyre dhe janë praktikisht të lodhur. Kur të kemi mundësi që, të stërvitemi në vazhdimësi pesë ditë, atëherë do ta marr në konsideratë dhe këtë mundësi. E di që, Curri ka luajtur si mesfushor, por unë e konsideroj atë si një qendërmbrojtës. Por, në momente të veçanta ai mund të luajë edhe para mbrojtjes, këtë nuk e them si hipotezë, por gjithmonë thuhet “kurrë mos thuaj kurrë”. Ajo që më intereson në këtë moment ka të bëjë me faktin që, lojtarë të cilët kanë luajtur pak me skuadrat e tyre mund të kenë më shumë minuta me ne, edhe pse nuk janë shumë të impenjuar me ekipet e tyre. Meha nuk u thërrit, pasi nuk është mirë nga ana shëndetësore. Është me temperaturë të lartë, ashtu si dhe Mavraj, ky i fundit kaloi një natë në spital për të marrë kura.

 – Në listën e lojtarëve të thirrur janë dhe disa futbollistë nga kampionati shqiptar: Erjon Dushku (Tirana), Erjon Vuçaj (Laçi), Gjergji Muzaka (Flamurtari), skuadrat e të cilëve nuk po ecin mirë në kampionat. I konsideroni si zgjedhje emergjence?

 – Më duhet ta përsëris edhe njëherë që, unë kam një listë me rreth 35 lojtarë, pasi nuk mund të marrë në “provim” 100 futbollistë. Sot, kjo listë me 35 lojtarë bën pjesë në projektin e atyre që kanë më shumë mundësi të japin për Kombëtaren. Lojtarët që, luajnë në kampionatin shqiptar janë futbollistë interesantë. Gjejnë në ekipin Kombëtar aspiratën e tyre maksimale dhe u uroj që të kenë mundësi të luajnë. Unë jam shumë i vëmendshëm ndaj të gjithëve dhe për gjithçka, si në aspektin psikologjik, mentale, motivues. Vucaj nuk e ka për herë të parë që thirret, ndërsa Muzaka vjen në Kombëtare pas një viti, pasi më dha një sinjale. Kemi thirrur së fundi Telushin dhe Likën, për të plotësuar listën e 22 lojtarëve. Nëse dikush luan në një skuadër të vogël, dhe ka cilësi të mira, për mua nuk është problem. Tani filloi dhe kampionati shqiptar, pas pushimit dimëror. Ndoqa të shtunën Laçi-Flamurtari, dhe nuk ishte një ndeshje për të shkulur flokët nga kënaqësia.

 – Keni thirrur për herë të parë, Elseid Hysajn…

 – Është një lojtar i vitlindjes 1994 (19 vjeç) dhe që luan me Empolin, në Serinë B. Sipas meje, ai mbërriti në Kombëtare A, pasi e meriton të jetë. Për shumë motive. Njëra prej tyre, është se po luan në vazhdimësi nga fillimi i sezonit, në një skuadër që është në krye të renditjes së serisë B. Është një lojtar që, dëshiron të jap maksimumin dhe të arrijë sa më larg që të jetë e mundur. Unë e shoh edhe si një shembull, për të gjithë ata që janë aspirojnë të bëhen pjesë e Kombëtares. Pra, të atyre kanë dhe kualitet.

– Është ndeshja e dhjetë për ju. A e njihni plotësisht skuadrën dhe e keni të qartë tashmë se çfarë kërkoni nga ardhmja e saj?

 – Kur mbërrita në Shqipëri, në dhjetorin e vitit 2011, disa ditë para Krishtlidjeve, dikush më pyeti nëse unë kisha një ide në lidhje me rrugën që do të përshkuante Kombëtarja për të shkuar në finalet e Botërorit “Brazil 2014”. E di, se shumë nga ju e dinit që disa lojtarë të rëndësishëm i dhanë fund, ndërsa përreth nuk kishte të tjerë në cilësinë e atyre. Pra, si do të bënim që të ecnim përpara. Projektim im ishte të ndërtoja një grup lojtarësh që, ishin të motivuar dhe të jepnin kontributin e tyre. Ne jemi akoma në një proces përmirësimi. E kam thënë shpesh se, ne duhet të shikojmë momentin aktual dhe të mbajmë atë që kemi arritur deri tani, pra të ruajmë projektin e së ardhmes. Unë besoj se, kjo skuadër që sot kemi në dorë është relativisht e re, dhe që ka lojtarë të mirë me eksperiencë, dhe që përbëjnë një bazë të mirë dhe mund të jenë shembuj për lojtarët e tjerë. Të ndryshosh nuk është e lehtë, dhe kjo duket edhe te klubet.

 –  Deri ku mund të shkojmë?

 – Ne dëshirojmë sa më larg që, të jetë e mundur. Nuk mund të them se do të jemi në “Brazil 2014’, por ne duhet të luftojmë fort. S’duhet të harrojmë faktin që, kemi më shumë ndeshje në transfertë, ndërkohë që dëgjoj shpesh refrenin e zakonshëm që nuk fitojmë dot jashtë. Ne barazuam në Gjenevë kundër Kamerunit, një skuadër që është shumë më e fortë se ne. Askush nuk dëshiron të humbasë qoftë dhe ndeshjet miqësore dhe këtë nuk e arritëm se kishim fat, por se luajtëm kundër një skuadre të madhe dhe meritonnim të fitonim. Pikërisht këtë mentalitet dua të shoh tani. Nëse nuk bën gjithçka për të fituar, nuk fiton.

 – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka kërkuar që skuadra të mos jetë inferiore jashtë, por të luajë për fitore. A ndjeni si detyrim?

 – E kam lexuar deklaratën e presidentit. Është diskutim për ndryshimin e mentalitetit. Nese do të nisesh si i mundur, do të mundesh. Nëse do të luash me synimin për ta mundur skuadrën tjetër, edhe mund të ndodhë. Kjo është filozofia. Nuk është se ndryshon lojtarët, por kokën e tyre. Dhe nuk është e lehtë kjo.

 – Cili është mendimi juaj në lidhje me vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv, për të mos thirrur më në Kombëtare lojtarët që e refuzojnë ftesën?

 – Besoj se është një normë, për të dhënë nëj sinjal të rëndësishëm. Unë besoj se, djemtë që thirren dhe që e refuzojnë për një motiv apo një tjetër atë, ose janë të keqkëshilluar nga menaxherët e tyre, me synimin që të thirren nga një kombëtare tjetër, ose sipas meje, nuk e ndjejnë veten mjaftueshëm të lidhur me shqiponjën me dy koka, pra simbolin tonë. Unë besoj se, dikush nuk e pranon që të mos pranojë me qëllim që të jetë pjesë e Kombëtares, qoftë kjo U-17, U-19, U-21 apo Kombëtaren A,  atëherë nuk duhet të thirret më.

 – Sa do të prisni Ilir Azemin dhe Ergys Kaçen?

 – Nuk mund të kemi një durim pa fund. U kemi dhënë kohë për të zgjidhur problematikën personale të tyre. U kem i dhënë një adresë, pra atë të Komitetit Ekzekutiv për të dhënë përgjigjen përfundimtare. Më pas, sipas të gjithave rregullave do të merret dhe një vendim përfundimtar për ta.

 RENDITJET NË FIFA

Përpara miqësores së 6 shkurtit, Shqipëria renditet e 63-të në ranglistën botërore të hartuar nga FIFA (e 29-të në UEFA), ndërkohë që Gjeorgjia pozicionohet në vendin e 72-të (e 33-ta në UEFA), pra kemi një diferencë vendesh me gjeorgjianët.

 BILANCI DIREKT

Shqipëria dhe Gjeorgjia janë ndeshur 12 herë midis tyre. Tetë ndeshja janë zyrtare, tri miqësore dhe një takim në fushë asnjanëse, në Maltë, për turneun ndërkombëtar “Kupa Rothmans”. Bilanci është negativ: 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje.

 Pse mungojnë Berisha dhe Hyka

 Besart Berisha po shënon rregullisht për skuadrën e tij në Austriali, Brisbejn Roar, por ai nuk është thirrur asnjëherë nga Xhani De Biazi. Trajneri shpjegon: “E kam ndjekur në vazhdimësi, por ai luan në anën tjetër të botës, në Australi, dhe nuk mund të vijë për një miqësore, pasi vetëm tri ditë i duhet të udhëtojë. Kur mund të afrohet më afër shtëpisë (Shqipërisë), atëherë sigurisht që do të vijë pasi është një lojtar i rëndësishëm”. Në lidhje me mungesën e Jahmir Hykës, De Biazi tha: “Po e ndjek në vazhdimësi atë. E pres me krah hapur, por pres sinjale të ndryshme prej tij pasi e konsideroj të rëndësishëm”.

  Gjeorgjia “zbarkon” në Tiranë, Ketsabia: “Një test, i dobishëm”

 Ekipi Kombëtar i Gjeorgjisë mbërriti dje në Tiranë, në kuadër të miqësores me Shqipërinë. Trajneri Temuri Ketsbaia ka thirrur disa lojtarë të rinj. Edhe për Gjeorgjinë testi i “Qemal Stafës” do të shërbejë për koalidimin e skuadrës përpara ndeshjes zyrtare me Francën, më 22 mars 2013, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Pak ditë më parë, trajneri i Gjeorgjisë, Temur Ketsbaia, duke folur për gazetën gjeorgjiane, “Georgia Today”, tha se “kjo nuk është koha më e mirë që të përballemi me Shqipërinë”, kjo për shkak se përqindja më e madhe e lojtarëve ndërkombëtarë të Gjeorgjisë luajnë për klube ruse dhe ukrainase, kampionatet e të cilave për shkak të pezullimit të gjatë dimëror, nuk janë në kondicion fizik. Disa nga lojtarët kryesorë të Gjeorgjisë, të tillë si qendërmbrojtësi Aleksandre Amisulashvili dhe portieri Nukri Revishvili janë larguar nga klubet e tyre, dhe tani u duhet të gjejnë një punëdhënës të ri. Ketsbaia tha: “Fatkeqësisht, disa nga lojtarët janë pa klube. Nga ana tjetër, shumë futbollistë të ekipit tonë nuk do të jenë në gjendjen optimale pasi ligat këtu ata luajnë i fillojnë kampionatet e tyre në fund të muajit shkurt ose në fillim të marsit”. Ndeshja e fundit e Gjeorgjisë ishte barazimi 0-0 në miqësoren me Egjiptit, në nëntor të vitit të kaluar. Ndeshje kundër Shqipërisë konsiderohet si nxehja e fundit e Gjeorgjisë përpara ndeshjes kundër Francës, më 22 mars. Pikërisht, në Tiranë, trajneri Ketsbaia dëshiron të bëjë disa eksperimente të fundit në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushë. Trajneri shtoi: “Çdo ndeshje është e rëndësishme, nuk ka rëndësi nëse është zyrtare apo miqësore. Më 22 mars, ne do të luajmë kundër Francës, pra pas dy muajsh. Kështu, unë nuk pres që formacioni titullar që do të luajë kundër Shqipërisë të jetë i njëjtë me atë kundër Francës”. Gazeta gjeorgjiane vlerëson faktin, që trajneri italian Xhani De Biazi ka në dispozicion lojtarë të tillë si Lorik Cana, i cili luan për Lacion dhe ka shpenzuar karrierën e tij në klube të mëdha europiane të tilla si, Paris Saint-Germain, Marsejë dhe Gallatasaraj.