David Cohen:“Shqipëria dhe Izraeli janë dy kombe të veçanta

1203
Sigal

INTERVISTA/ Ambasadori i Izraelit David Cohen flet për 65 vjetorin e pavarësisë së Izraelit dhe për  marrëdhëniet e vjetra shqiptaro-izraelite

– Zoti Ambasador, sot Izraeli feston 65 vjetorin e Pavarësisë. Cila është domethënia e kësaj ngjarjeje, rëndësia e saj në historinë e popullit tuaj, dhe cilat janë rrethanat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare gjersa po përkujtohet ky përvjetor?

Ky është 65 vjetori i lindjes së Shtetit të Ri të Izraelit. Izraeli dhe populli hebre ka rrënjë të thella në histori, në tokën në të cilën u mbrujtën identiteti shpirtëror, fetar dhe politik i tij…rilindja e kombit hebre, krijimi i një shteti, i cili ka pritur dhe pret me krahë hapur hebrenjtë nga e gjithë bota që duan të jetojnë në shtetin amë. Himni jonë thotë: “Lehijot am hofshi beartzenu/Eretz Zion, Yerushalaim– Të jemi popull i lirë në vendin tonë, tokën Sion dhe Jerusalemin”. Hebrenjtë kanë jetuar në Izrael gjatë shekujve. Historia ka treguar që asgjë nuk arriti t’i asimilonte deri në zhdukje, asnjë kryqëzatë, asnjë përndjekje, asnjë pushtim, asgjë…  Përsa i përket historisë, këtu them se kemi një ngjashmëri me popullin shqiptar. Ideja për krijimin e shtetit të Izraelit ka lindur si lëvizje gjatë shekullit të 19-të, ndër të tjera edhe si rrjedhojë e rritjes së aktivitetit antisionist në Europë. Atdhetarë e sionistë të shquar, largpamës si Theodore Herzl e panë të nevojshme lindjen e shtetit të ri, atdheut te kombit Hebre. Për të vazhduar më pas me të tjera momente historike (p.sh. Deklarata e Balfurit në vitin 1917, në të cilën Anglia u bë fuqia e parë që njihte të drejtën e hebrenjve për të jetuar në Palestinën e atëhershme)…si dhe shumë momente të tjera, për të ardhur tek 14 maji i 1948 në të cilin David Ben Gurion, politikani largpamës, deklaroi krijimin e Shtetit të Izraelit, realizimin e ëndrrës mijëra vjeçare të çdo hebreu kudo që ndodhej… Sot në ditëlindjen e 65-të të tij, Shteti ynë nuk harron të përkulet me nderim e respekt para heronjve të tij, djemve dhe vajzave që dhanë jetën. Sot shteti i Izraelit është krenar të jetë një shtet demokratik, shtet që ka një ekonomi të zhvilluar, shtet që pasurinë më të madhe natyrore të tij ka mendjen njerëzore që me kërkimet shkencore dhe zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, e kanë kthyer shkretëtirën në një begati, duke realizuar ëndrrën e krijuesit të tij, David Ben Gurion.…Në këtë 65 vjetor Izraeli feston Yom Ha’atzmaut-Ditën e Pavarësisë, në një kohë kur rajoni është i përfshirë në vatra konflikti, shumë afër nesh, veprimtari aktive të kujtdo që dëshiron të shikojë të zhdukur nga harta Shtetin e Izraelit për të kërcënuar jo vetëm ne, jo vetëm rajonin por botën mbarë, rritjen e antisionizmit klasik në shumë vende të botës. Izraeli feston këtë 65 vjetor krenar për rrugën që ka bërë deri tani, rrugë që nuk ka qenë aspak e lehtë, me shpresën për të dhënë kontributin e tij për të arritur një paqe dhe stabilitet në rajon, duke shpresuar në një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

–Si do ta vlerësonit marrëdhënien mes Izraelit në përvjetorin e tij të 65-të dhe Shqipërisë, e cila festoi 100 vjetorin e pavarësisë së saj vitin e kaluar?

Marrëdhëniet midis dy popujve tanë shkojnë shumë herët në histori. Ashtu si e kam shprehur edhe të tjera herë, populli Hebre i është mirënjohës aktit sublim të kombit shqiptar që shpëtoi këdo hebre që kërkoi strehë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky është akt i një kombi të veçantë, me virtyte të larta dhe personalisht, ashtu si dhe shumë të tjerë në Izrael, po bëjmë shumë për të promovuar Shqipërinë dhe për të sjellë një pjesë të Izraelit të sotëm këtu tek ju, nëpërmjet fakteve historike, kulturore e më gjerë. Jemi dy popuj të vjetër, me shumë ngjashmëri në histori, e prapë dy kombe me shtete relativisht të rinj. Uroj që marrëdhëniet midis dy vendeve të zhvillohen akoma më tepër, dhe hapja e Ambasadës në Tiranë është shprehje e dëshirës dhe politikës miqësore të Izraelit ndaj Shqipërisë, mbështetjes së qeverisë së vendit tim në demokracinë Shqiptare dhe zhvillimet e saj, për të dhënë dhe ne kontributin tonë, sado modest në forcimin e ekonomisë këtu dhe marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe.

– Lidhjet miqësore me popullin izraelit kanë ekzistuar gjithmonë, pavarësisht regjimeve në Shqipëri. Shqiptarët dhe izraelitët kanë jetuar si bashkatdhetarë. A mendoni se ekzistojnë mundësitë për të forcuar lidhjet “person-me-person” mes Shqipërisë dhe Izraelit, veçanërisht tani mes brezave të rinj?

 

Më ka bërë përshtypje gjithmonë toleranca ndërfetare e Shqiptarëve, dhe si e thoni dhe ju, kjo është një nga bazat në të cilat qëndroi edhe bashkëjetesa e komunitetit Hebre mes popullit Shqiptar. Kam kënaqësi të shikoj që të gjithë shqiptarët që jetojnë në Izrael janë të integruar në jetën atje dhe mbajnë edhe lidhje të ngushta me njëri-tjetrin dhe Shqipërinë. Çdo njëri prej tyre është ambasador i vullnetit të mirë dhe virtyteve të popullit Shqiptar në Izrael dhe më gjerë. Jam i bindur që ndjehen krenarë për prejardhjen dhe të tashmen e tyre, që natyrshëm ndërthuren mes njëra-tjetrës. Rinia është e ardhmja dhe për këtë duhet investuar. Në Izrael në kemi një rini shumë aktive në jetën shoqërore. Qeveria jonë ka një politikë për rininë e cila siguron përfshirjen e saj në aspektet demokratike të vendit, zhvillimin e edukimit, i cili fillon në kornizën e edukimit formal në shkolla, korniza e lëvizjes rinore, nëpërmjet larmisë së organizatave rinore. Ndaj kemi çfarë eksperience të ndajmë me ju dhe këdo, për të bërë të mundur një bashkëpunim të ngushtë midis brezave të rinj, të cilët janë ata që do marrin në dorë stafetën e të ardhmes. Rinia jonë është shumë aktive në shumë programe rajonale dhe ndër-rajonale, dhe jam i bindur që rrugët e bashkëpunimit janë dhe duhen eksploruar.

 – Si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Izraelit në Tiranë, çfarë do t’i thoni rinisë në vendin tuaj rreth Shqipërisë, qytetarëve të saj, të rinjtë e këtij vendi ballkanik, aspirata e tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian?

Rinia e vendit tim duhet të jetë sa më e ekspozuar para fakteve historike që lidhin kombet tona, jo vetëm kaq…Në Izrael gjenden të përkthyera librat e Ismail Kadaresë, shkruhen herë pas herë artikuj nepër editoriale të shumtë në hebraisht dhe anglisht. Në aktivitetet e shumta ndërkombëtare kulturore marrin pjesë artistë shqiptarë, etj., duke bërë të mundur njohjen e Shqipërisë, kësaj perle deri tani të fshehur midis maleve të Ballkanit, jo vetëm për të rinjtë, por për tërë shtresat e popullsisë në Izrael. Të rinjve do u këshilloja të vizitojnë këtë vend, të njihen me historinë e tij, të përjetojnë mikpritjen shqiptare, dhe të eksplorojnë mundësitë e shumta që ofron Shqipëria. Për të arritur diçka nuk duhet vetëm dëshira e mirë. Në radhë të parë duhet motivim dhe vendosmëri për të arritur qëllimin. Aspirata e popullit Shqiptar për të qenë pjesë e familjes europiane është sa legjitime aq dhe e natyrshme, për vetë pozicionin gjeopolitik të vendit tuaj. Ndaj e uroj me gjithë zemër që hapat që keni nisur për progresin drejt anëtarësimit në BE t’i vazhdoni me maturi dhe me bindjen se shumë shpejt do arrini destinacionin e duhur. Aspiratën tuaj e dikton edhe koha dhe zhvillimet politike dhe ekonomike të rajonit, momentet politike dhe shoqërore në të cilat jetojmë.

-Në lidhje me ekonominë ka ndodhur një zhvillim i ri, në Shqipëri është hapur së fundmi Dhoma Izraelite e Tregtisë dhe Industrisë. Çfarë do të sjellë kjo për fushën e këmbimeve ekonomike mes dy vendeve?

Vitet e fundit, sipërmarrësit izraelitë kanë treguar interes në ekonominë shqiptare dhe eksplorimin e mundësive të investimeve këtu. Natyrshëm lindi dhe krijimi i kësaj Dhome të Tregtisë, e cila do jetë ura që lidh dy vendet tona në këtë aspekt, dhe do shërbejë si pika kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Vizita e ish-Ministrit të Jashtëm të Shtetit të Izraelit, Zotit Avigdor Lieberman, u shoqërua me organizimin e forumit ekonomik me pjesëmarrjen e biznesmenëve të të dyja vendeve, gjë që tregon se mundësia për investime ekziston dhe duhet të gjenden rrugët për t’i realizuar ato. Shqipëria ofron legjislacion bashkëkohor dhe klimë mirëbesimi për investitorët e huaj. Po ashtu  mundësi të mira në fushën e energjetikës, infrastrukturës, bujqësisë, turizmit, etj. Marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve në disa fusha të ekonomisë janë një ogur i mirë për të ardhmen.

– Dy kombet tona kanë qenë gjithmonë miq dhe aleatë në luftën tonë për ta bërë botën një vend më të sigurtë. Çfarë janë duke bërë populli izraelit dhe klasa politike për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe stabilitetit në rajoni, dhe sidomos bashkëjetesa paqësore me popullin palestinez brenda kornizës së drejtës ndërkombëtare? Si e vlerësoni qëndrimin e Shqipërisë lidhur me këto zhvillime?

Jemi komb që paqen e kemi lajtmotiv në çdo aspekt të jetës sonë. E kërkojmë dhe nuk do rreshtim së kërkuari deri sa ta arrijmë. Aspirata jonë është të arrijmë një paqe sa më jetëgjatë dhe të qëndrueshme që të sigurojë bashkëjetesën e dy popujve tanë në harmoni, paqe, prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Klasa politike izraelite dhe populli mbarë e dëshiron zgjidhjen e konfliktit. Ky është dhe mesazhi që i kemi dërguar dhe vazhdojmë t’i dërgojmë udhëheqjes dhe popullit palestinez, partnereve tanë ndërkombëtare që na mbështesin në këtë qellim tonin, dhe kujtdo tjetër. Jemi të bindur që ku është dëshira dhe vullneti i mirë, nuk ka asgjë të paarritshme. Ndaj kemi detyrimin moral ndaj brezave që vijnë dhe ndaj historisë që të investojmë me të tëra përpjekjet për të arritur këtë qellim, duke siguruar në radhë të parë sigurinë e Shteti të Izraelit dhe popullit Hebre, vazhdimësinë e tij në të ardhmen. Paqja arrihet nëpërmjet bisedimeve, dhe jo veprimeve të njëanshme të cilat nuk i japin procesit progres, përkundrazi…ndaj dhe mbështetja e Shqipërisë dhe mirëkuptimi i saj në politikën tonë në këtë aspekt janë të mirëpritur dhe të vlerësuar.

-Ndërkohë a shihni mënyra të reja për të mbështetur më tej popullin e Kosovës  për të konsoliduar pavarësinë e shtetit të tyre?

Izraeli, ashtu si tërë komuniteti ndërkombëtar, i ndjek me interes të madh zhvillimet në Kosovë. Shteti i Izraelit ka njohur pasaportat e qytetarëve kosovarë dhe i mirëpret ata në territorin e tij. Nëpërmjet Agjencisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (Mashav) ka ofruar trajnime dhe specializime bashkëkohore në fushat e bujqësisë, edukimit, turizmit, shëndetësisë, etj. Shkëmbimi i  eksperiencave ndërmjet qytetarëve kosovare dhe izraelitë është domethënës dhe shumë pozitiv. Qëllimi ynë është të punojmë “people-to-people”, dmth, mes kontaktesh intensive mes njerëzve tanë, të cilët të jenë të hapur, ndërveprues dhe me frymë bashkëpunimi të ndërsjellë në interes të të dy  vendeve. Me kënaqësi vlerësoj se mjaft kompani e biznese izraelite tashmë operojnë në tregun kosovar dhe kanë gjetur një klimë dashamirëse.

-Për të përfunduar, si ndjeheni ju dhe stafi juaj në këtë ditë festive të 65 vjetorit të pavarësisë së Izraelit. Cilat janë mesazhet që prisni të merrni jo vetëm nga politikanët por edhe shqiptarët e thjeshtë?   

Me nderin që më jep të qenit përfaqësuesi më i lartë i Shtetit të Izraelit në Shqipëri, dua të falënderoj qeverinë e vendit tuaj dhe tërë miqtë e mi këtu, për mikpritjen dhe mbështetjen që më keni dhënë, dhe, shpresoj që së bashku të arrijmë të krijojmë sa më shumë ura bashkëpunimi midis dy vendeve, dhe me gjithë zemër do uroja në këtë 65 vjetor “Lechaim– për Jetën” ose si thuhet në Shqip; Gëzuar!!!