Daut Gumeni: Hapja e dosjeve të Sigurimit dështoi, do të largohem

611
Sigal

Intervista/ Anëtari i Autoritetit për
Hapjen e Dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, flet në emisionin “Debati në
Channel One” të gazetarit Roland Qafoku

“Duke
marrë parasysh qëndrimin e kriminelit Daut Gumeni që mbajti në procesin
gjyqësor atij nuk  i është dhënë dënimi i
merituar si kriminel dhe armik i betuar i pushtetit popullor, të cilin e pohoi
haptas. Kur u pyet, pse kishte marrë këtë rrugë Daut Gumeni tha: Jam armik i
partisë juaj dhe i pushtetit popullor. Ju thoni se në Shqipëri ka vërshuar lumi
i të mirave, por akoma nuk ka nisur të pikojë asnjë pikë. Unë nuk jam spiun të
demaskoja dhe kallëzoja vëllanë. Unë ndoshta jam krimb, sipas jush, por nuk
guxoj t’ju them se, edhe ju jeni zvarranikë”.


Si u ndjetë kur lexuat me sytë tuaj fjalët në një
dokument denoncues që solli edhe dënimin dhe persekutimin tuaj 47 vjet më parë?

“Unë nuk isha në dijeni të kësaj
dosjeje. Është një letër që sekretari i partisë së Tepelenës ia ka dërguar
Hysni Kapos dhe Kapo ia ka dërguar mëkëmbësve të tij dhe ata ia dërguan
gjykatës.”

Nga cilët e kishit këtë dhuratë?

“Nga Komiteti i Partisë. E ka firmosur
një lumëmadh atje. Unë nuk e njoh fare atë. Quhej Sherif Toraj. Ai kishte qenë
minator dhe kaloi në komitetin e Partisë. Nuk ishte njeri i keq. Ishte i leshtë
por jo i lig.”

Kur e lexove për herë të parë që një njeri thotë se,
e keni dënuar pak me 25 vjet, duhet ta dënoni me vdekje. Çfarë menduat?

“Unë hakmarrjen e quaj dobësi.”

Ku e gjen këtë forcë?

“Atje ku kam lindur unë, ka më shumë
gurë se sa baltë”.

Kjo që thatë ju është poetike. Të provosh këtë që të
kanë bërë nuk është poetike.

“Ajo nuk është poetike, por nuk jam unë
i vetmi që kam vuajtur. Të tjerët e pësuan atë kërkesë. Pra vdiqën dhe u
pushkatuan. Ndërsa unë u dënova vetëm më burg. Për mua nuk e zbatuan.”

Si ka mundësi që pranuat që ishit armik?

“Po unë isha. Unë jam edhe tani. Isha
edhe atëherë.”

Po armik i këtij pushteti je?

“Unë pushtetet nuk i kam qejf. Nuk jam
armik, por nuk i kam qejf.”

Si ka mundësi që nuk je hakmarrë?

“Nuk bëhet garë me të keqen. Garë bëhet
me të mirën.  Duhet të kesh fuqi. Mua më
ka mbetur aq fuqi të mos heq dorë nga gara me të mirën.”

Afër 1 vit më parë kuvendi miratoi ngritjen e
komisionit me pesë anëtarë të Autoritetit për Hapjen e Dokumenteve të Sigurimit
të Shtetit. Si ka qenë veprimtaria e këtij autoriteti në 1 vit?

“Në nëntor mbushim një vit. Nuk mund të
themi që kemi bërë atë që duhet. Të dhënat janë marrë nga sekretari ynë. Janë
rreth 196 kërkesa individësh që duan të marrin vesh, se çfarë është bërë me ta.
Janë 110 kërkesa që u janë mbaruar shqyrtimi. Janë në proces zbulimi i atyre që
kanë dëmtuar personat dhe ne kemi vështirë pa pasur arkivin tonë. Puna pengohet
të shkosh nga një arkiv në tjetrin të marrësh informacion.”

Kur ju shkoni te arkivi i Ministrisë së Brendshme
çfarë ndodh?

“Të vesh te arkivi i ministrisë së
Brendshme nuk është se na pengojnë punonjësit. Por vetë mënyra se si janë
vendosur dokumentet që na takojnë si institucion të pengon t’i shqyrtosh kur do
ti dhe brenda afatit. Me një fjalë, për ata që e dinë se, ne jemi një
institucion i mrekullive, ne jemi një institucion i zakonshëm që zbatojmë një
ligj të caktuar të miratuar nga Kuvendi për t’i njohur për të shkuarën e tyre.
Por që të bëhet kjo ne duhet të kemi godinën e arkivit tonë.”

Po ju e keni godinën.

“Godinë e kemi, por godinë e kemi për
festa nuk e kemi për të pasur arkivin brenda.”

Prit, prit zoti Gumeni. Unë kam qenë atje. Keni
goxha godinë.

“Ju keni ardhur në inaugurim. Ne
inauguruam pa inauguruar gjë. Ajo ishte kot. Kush do që të na ndihmojë bën mirë,
se ne jemi ku të thërret qameti”.

Si ka mundësi zoti Gumeni. Ju po na zhgënjeni.

“E vërteta nuk të kënaq gjithnjë, i
dashur Roland. Miku im, nëse do të dish, është fakt që një institucion arkivi
nuk mund të funksionojë si duhet pa pasur arkiv. Është historia e vjetër e
mungesës së kambanës. Përse nuk binte kambana? Kishte 101 arsye. E para ishte
se nuk kishte fare kambanë.  Ne nuk kemi
arkivin tonë dhe kur nuk ke arkivin si mund të punosh?!”

Ju jeni duke thënë se arkivi dhe dosjet duhet të
vinë në godinën ku jeni ju?

“Doemos. Ndryshe ne nuk mund të
punojmë”.

Po ju aty nuk keni asgjë?

“Ne kemi aty dosje në dhoma të marra
hua. Na i dhanë që të mos mbeteshim fare pa gjë. Kemi kërkuar varavingo…”

Por
mirë, çfarë keni bërë në një vit ju?

“Këto pra që ju thashë. 196 kërkesa të
bëra, 110 të shqyrtuar dhe 36 kërkesa janë shqyrtuar, nëse kanë apo jo
ligjshmëri. Janë 32 kërkesa për të cilat është mbyllur procedura mbi bazën e
vendimeve. Dhe 625 persona që janë kontrolluar, jo nga autoriteti, por nga
institucionet e tjera që u ka kërkuar autoriteti. Janë shërbimi informativ dhe Ministria
e Brendshme. Ne kemi shërbyer si kamerier. Nuk kemi kontrolluar ne. Ju kemi
kërkuar arkivave këtë gjë dhe ata e kanë bërë. Ne nuk kemi kryer asnjë veprim.
Thjesht kemi përcjellë atë që na kanë dhënë. Kur nuk ke arkivin tënd ne
shkruajmë, që ky institucion thotë kështu. Por në fakt duhet t’i kontrollojmë”.

Pra ju nuk keni kontrolluar fare?

“Jo. Janë edhe 9 apo 10 kërkesa për
arsye studimore. Në fakt këtu ka një problem se ata nuk mund të kërkojnë të
gjitha dosjet. Jemi ne ata që selektojmë dhe ua vënë në dispozicion. Nuk mund
të kërkohen dosje pa fund dhe pa objekt. Ka nga ata që kërkojnë të gjithë
arkivin.”

Kur u ngrit autoriteti thamë se edhe pse me shumë
vonesë, më në fund pas 27 vjetësh hapja e dosjeve mori udhë. Kur ju flisni
kështu, jo thjesht na këpusni shpirtin, por na zhgënjeni në një mënyrë të tillë
që…

“Deri te këputja e shpirtit nuk besoj të
shkojmë, por kur jam unë i zhgënjyer, imagjinoni ju. Pas 1 viti mund të them se,
puna jonë ka më shumë byk se sa grurë.”

Kjo është këputje shpirti sepse ne prisnim
rezultate. Pyetja ime e thjeshtë është a ka një zyrtar të lartë të shtetit
shqiptar që ju e keni verifikuar në këtë 1 vit punë zoti Gumeni?

“Janë vetëm dy raste që presidenca
kërkoi për dy ushtarakë”.

A ka ministra, zëvendësministra, deputetë drejtorë
drejtori të rëndësishme dhe funksionarë që ju i keni verifikuar në këtë 1 vit
punë?

“Jo. Nuk ka. Nuk ka kërkesa. Sepse ligji
e përcakton që po të duan”.

Por çfarë keni bërë ju në këtë 1 vit?

“Puna jonë në këtë 1 vit ka qenë me këta
fakirët që duan të dinë se çfarë ka ndodhur, kush i ka spiunuar kushëriri,
vëllai, motra. Por nuk ka asnjë verifikim të atyre që e kanë dëmtuar vendin dhe
vazhdojnë të mbajnë funksione. Ata që kanë paraqitur kërkesa  nuk e 
dëmtojnë. Nuk janë ata që janë kureshtarë pengesa e përparimit. Por janë
ata që e kanë mbajtur pushtetin dhe e kanë akoma pushtetin. Unë nuk jam
pesimist, por nuk besoj se do gjendet ndonjë nga ana që e kanë dëmtuar këtë
vend”.

D m th, jo vetëm deri tani, por edhe në të ardhmen
nuk ka për t’u gjetur dikush?

“Nga aq sa kam parë në arkiva duket që
ka pasur një kujdes të veçantë për t’u pastruar”.

Zoti Gumeni po më tronditni!

“Kjo është shumë e rëndë.  Ata kanë 27 vjet që i thonë pseudonimet
njëri- tjetrit në Kuvend.”

Mua më trondit fakti që menduam se pas 27 vjet thamë,
më mirë vonë se kurrë. Por kjo në fakt qenka kurrë!

“Me sa kam mundur unë të shoh, por jo
vetëm unë, por edhe specialistët. Edhe kur kemi pasur ndonjë kërkesë anësore
nuk del gjë”.

Nuk del gjë? Çfarë duhet të ketë ndodhur?

“Kur nuk gjendet duhet të pyeten ata që
kanë pasur në dorë pushtetet dhe çfarë kanë bërë me ato dosje.”

Kjo nuk pritej. E kisha marrë me shumë dëshirë
intervistën me ju dhe prisja ta tregonit publikisht dosjet që kishit hapur. Si
ka mundësi çfarë ka ndodhur?

“Nuk ka përplasje. Duke mos pasur
kambana merremi me gjera anësore. Nuk kemi arkiv sepse arkivi ka kërkesa.”

Çfarë pune bëni atje?

“Ne përpiqemi të plotësojmë kërkesat.
Por kjo nuk të bënë të zbatosh ligjin.”

Ju jeni duke thënë se nuk keni zbatuar ligjin?

“Po. Si ta zbatosh ligjin kur nuk e ke
mundësinë. Ne jemi akoma pa mundësi.”

Ju jeni njeri serioz. Ju shquheni për seriozitet.

“Kur nuk e ke mundësinë.”

Por për çfarë e keni marrë rrogën aty gjatë këtij
viti?

“Ka edhe momente që e merr rrogën kot.
Në këtë lloj pushteti institucione paftë mbi paftë nuk bëjnë asgjë. Jam gati të
iki nesër dhe jam më i qetë, se sa kur më ngarkojnë një punë dhe nuk më lejojnë
ta bëj këtë punë. Të vjedhësh rrogën i detyruar nuk është turp, vetëm për atë
që e vjedh, por edhe për atë që e detyron të vjedhë. Kjo është paftë mbi paftë.”

Si funksiononi ju me njëri tjetrin, 5 anëtarë?

“Funksionimi ynë varet nga këto kërkesa
që thashë. Ne mblidhemi. Nuk themi që të gjitha gjërat shkojnë vaj. Mund të
jetë edhe faji ynë, madje  edhe i imi.
Sepse më shumë bëjmë shfaqje se sa punë. Po e marr fajin unë  që ata që duhet të kontrollojnë e magjepsen më
shumë nga shfaqet se sa nga puna.”

Kam një pyetje të drejtpërdrejtë. A keni zbuluar ju ndonjë
gjë që vlen në këtë 1 vit?

“Mesa duket ne na kanë vënë në këtë
institucion për të mos zbuluar asgjë. Këtij institucioni nuk i mungon
serioziteti, por nuk e lejojnë të punojë. 
Për mua ligji aktual duhet të ndryshohet dhe të bëhet verifikimi, një
detyrim ligjor. Ndryshe kjo që po bëjmë është pa asnjë vlerë.”