Dashuria për Krijuesin tek Imami ynë

389
Dervish Abdyl Musalib Beqiri -Maqedoni*

I nderuar Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj! 

Të nderuar profesorë dhe studiues të bektashizmit! E prita me kënaqësi të veçantë ftesën e organizatorëve për të marrë pjesë në këtë konferencë ndërkombëtare dhe lus Zotin e Lartë t’ia arrijmë qëllimit dhe të hedhim sa më shumë dritë diturie dhe dashurie për Imam Aliun, alekum selam. Për mua, si për çdo klerik bektashian, nuk ka dyshim se fjala dhe mendimi i këtij imami, kanë udhëhequr bektashizmin në të gjitha kohërat, në të gjitha vendet e botës. Në shikimin e parë, tema e dashurisë së Krijuesit, brenda Imam Aliut, m’u duk diçka jo fort e vështirë. Por sa më shumë thellohesha në burimet e shkruara, sa më shumë pashë rrëfimet e klerikëve bektashianë për jetën e tij, sa më shumë meditova, aq më e vështirë m’u duk kjo tematikë. Sepse është e vërtetë që imami ynë ka pasur dashuri të thellë për Ehli-Bejtin, për ndjekësit e tij, për njerëzit e urtë dhe të ndershëm, për besimtarët dhe fakirët, por kur bëhet fjalë për dashurinë ndaj Zotit, ai vërtetë qëndron shumë lart. Në ato lartësi të besimit, shumë elementë mistikë janë gati të panjohur për njerëzit e zakonshëm. Ka ardhur mjaft bukur kjo cilësi e vyer e Imam Aliut, përmes perceptimit të autorit të njohur Xhorxh Xhordan, i cili thotë se në çdo gjë që ka lidhje të afërt ose të largët me qenien e njeriut e me jetën e tij të brendshme, të cilën individi e përfytyron dhe e ngjyros me forma e ngjyra të dala prej tij, ose që janë arritur prej lidhjeve të tij me mjedisin përkatës. Imam Aliu, edhe pse ishte zëvendësuesi i Profetit, kështjella e Islamit dhe prijësi i besimtarëve, kundërshtonte me forcë të madhe që ndonjë njeri të detyrohet të besoj në fenë që besojnë myslimanët. Sipas tij, njerëzit janë të lirë të besojnë Zotin ashtu si ata mendojnë

dhe secili të besojë sipas rrugës së tij, me kusht që kjo të mos fyejë komunitetin e të mos sjellë dëm mbi ‘të, sepse të gjithë njerëzit janë nën përkujdesjen e Allahut, kurse feja është veprim i ndërsjelltë. Cilësia e të qenit njeri, është e mjaftueshme në vështrimin e Imam Aliut, që e bën njeriun të respektuar dhe të dashur, të shoqërohej me të. Të kishte mëshirë për të dhe të mos i mohohej asgjë e asnjë nga të drejtat që i takojnë. Në letrën që i dërgonte guvernatorit të tij në Egjipt, imami ynë i thoshte: “Kurrë mos u bëj me njerëzit bishë, që u rrëmben atyre ushqimin, sepse ata janë njeri nga dy llojet: ose vëllai yt në fe, ose i ngjashëm me ty në krijim. Jepi atij faljen e çiltërsinë tënde, ashtu siç dëshiron të të japë Allahu ty prej faljes e çiltërsisë së Tij dhe kurrë mos u pendo për faljen që ofron dhe kurrë mos u krekos me dënimin që jep.”

Atëherë, çdo njeri ka të drejta. Pse ai ndryshon në disa gjëra në të cilat beson ti dhe ti ose ai ndryshon, se i përket një feje tjetër. A nuk është qëllimi yt të lidhesh sa më shumë me lidhje vëllazërore? Kur ti e gjen lidhjen e vëllazërisë vetëm në cilësinë e njeriut, pa tjetër që në këtë nuk ka mëkat. Përkundrazi, është vëllazëri e bekuar nga Allahu. Në të gjithë gjendjet, Imam Aliu nuk dëshiron që mendimin tënd ta bësh boshtin e gjykimit dhe matësin absolut në ndonjë punë të jetës apo të njerëzve. Kufijtë e jetës janë pa përmasa, tepër të gjera dhe njerëzit janë ata që sillen në këtë gjerësi kaq të madhe. Nuk duhet t’i japësh vetes më shumë rëndësi seç duhet, që gjykimi yt të jetë fjalë e parë dhe e fundit për veprimet e njerëzve…. Imam Aliu thotë një fjalë të qartë: “Kurrë mos e konsidero të parëndësishëm ndonjërin prej robve të Allahut, sepse ai mund të jetë mik i Allahut dhe ti nuk e di”. Nëse ti e mbart këtë fjalë të urtë deri në horizontet e saj të largët, do të kuptosh qëndrimin e tij të qartë ndaj fanatizmit dhe lirisë pa kufi. Kur vëllai yt është në gabim ose punon keq, detyra jote është t’i japësh atij faljen dhe çiltërsinë tënde. Kurrë mos u pendo që fale e u tregove i çiltër. Përsëri detyra jote është “të korrësh të keqen prej zemrës së tjetrit me shkuljen që i bën ai asaj prej zemrës tënde”. Njeriu, cilido qoftë besimi i tij, ka detyrë të porositë veten që lidhja e tij me tjetrin të jetë në atë mënyrë që atë që dëshiron për vete, ta dëshirojë edhe për tjetrin dhe të mos dojë për tjetrin atë që nuk e do për vete. Pra, misioni është: “Duaje për veten atë çka do për veten tënde. Mos duaj për tjetrin atë çka nuk e do për veten tënde dhe kënaqi njerëzit me atë çka ti je i kënaqur prej tyre”. Nëse do të vendosësh ballë për ballë, sipas rrugës së Muhamedit, do të shohësh se ajo nuk ndryshon në asnjë send nga bota e rrugës së Mesijhut ose edhe nga rruga e kujtdo që ka përvetësuar virtytet njerëzore. E rëndësishme në pikëpamjen e Aliut, është afrimi te virtytet dhe, për sa i përket miteve, në këtë drejtim, njerëzit janë të lirë të zgjedhin. “I Dërguarit e Allahut- paqja e shpëtimi i Allahut qoftë mbi” të e mbi familjen e tij- është modeli më i mirë, për imamin tonë. Ai kishte hequr dorë nga të mirat e kësaj bote, kishte lënë mënjanë pijet që bota ofron dhe prej tij ishin hequr gjithë zbukurimet. Unë mund të them të njëjtat fjalë edhe për Isanë, të birin e Merjemit, paqja e shpëtimi i Allahut qoftë mbi të. Ky vinte gurin për jastëk, vishte rroba të zakonshme, hante gjëra të thata, gjithnjë ishte i uritur. Llamba e tij gjatë natës ishte hëna, hijet kur pushonte ishte toka e hapur, frutat e lulet aromatike për të ishin bimësia që toka nxirrte për bagëtinë. Ai nuk kishte grua që ta tundonte, as fëmijë që ta turpëronin, as pasuri që t’i merrte mendjen, as ambicie që ta poshtëronin! Mjet lëvizje për të ishin vetëm këmbët e tij dhe shërbyes për të ishin vetëm dy duart e tij. 

…Edhe liria e besimit në fe është një prej të drejtave të njeriut në kushtetutën e Imam Aliut. Liria nuk copëtohet dhe njeriu nuk mund të jetë i lirë nga njëra anë dhe i kushtëzuar nga ana tjetër. Myslimani është vëlla i kristianit, do apo nuk do. Sepse njeriu është vëlla i njeriut, e do apo e urren. Sikur në kushtetutën e Aliut të mos ishte afrimi te virtyti, matësi bazë në lidhje me lirinë, atëherë liria e nderuar kurrë nuk do të ishte tek ai një e drejtë e shenjtë. Ky e konsideronte vëllazërinë në besime apo fe të ndryshme si dashuri ndaj vetë Krijuesit.

Unë bëj pjesë sot në vargun e gjatë të dervishëve dhe baballarëve bektashianë, të teqesë së “Harabati-Babës”. Vetëm pak javë më parë ne festuam 480 vjetorin e ngritjes së kësaj teqeje, të njohur në krejt Ballkanin si për përcjelljen e mësimeve të Zotit, ashtu dhe për ndjenjat e kulluara nacionaliste. Natyrisht në pesë shekuj veprimtarie, kjo teqe është përballur me lloj-lloj shtrëngatash qofshin ateiste, qofshin të llojeve të tjera. Por ne ja kemi dalë se përveç të tjerave, klerikë dhe besimtarë në krejt Maqedoninë, jemi përpjekur ta duam Krijuesin me po atë devocion e dashuri të thellë si të prijësit të besimtarëve.

*Kjo është një nga temat që do të referohet sot në simpoziumin ndërkombëtarPërgatiti materialet: Kujtim Boriçi

Dede Edmond Brahimaj: Ja aktivitetet në kuadër të festës së Sulltan Novruzit
Me shfaqet e monodramës: “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”” me interpretimin e “Mjeshtrit të Madh të Skenës”, Mirush Kabashi, mbrëmë në sallën e Teatrit Kombëtar, Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, nisi aktivitetet e shumta në kuadër të Ditës së Sulltan Novruzit. “Me aktivitetin e mbrëmshëm në sallën e Tetarit Kombëtar, ne çelëm aktivitetet e programuara për ditën e shenjtë të Sulltan Novruzi. Sot, në ‘Tirana Internacional’ zhvillohet Simpoziumi Ndërkombëtar kushtuar Imam Aliut. Ndërsa ditën e enjte, datë 22 mars 2018, ora 10:00, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, organizohet ceremonia tradicionale e Sulltan Novruzit, ku jepet një shfaqje artistike dhe do organizohen pritje për personalitete shtetërorë dhe besimtarë. Po këtë ditë, në orën 18:00, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, promovohet libri i autorit japonez Masaru Emoto, “Fuqia e vërtetë e ujit”-pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Me mjaft interes pritet sot zhvillimi i simpoziumit ndërkombëtar. “Në këtë Simpozium Ndërkombëtar që nis sot në ora 10:00, në sallën ‘Balsha’ të Hotel-Tirana Internacional, me pjesëmarrjen e liderëve të lartë fetarë si dhe studiuesve bektashianë, do të referojnë personalitete nga Turqia, Gjermania, Maqedonia, Rusia, Bosnja, Iraku, Irani, Azerbajxhani, Kosova dhe Shqipëria”-pohon mes të tjerave moderatori Syrja Xhelaj