Dashuri e respekt mbresëlënës si dikur!

948
Maksim Ramohitaj
( Takim shokësh skënderbegas pas 50 vitesh)
Shkolla ushtarake “ Skënderbej” u krijua më 28 mars 1945 në të cilën filluan të përgatiten kuadrot e parë ushtarakë pas çlirimit të vendit e në vazhdim për drejtimin e reparteve e njësive ushtarake me kuadro të aftë e të përgatitur të ushtrisë shqiptare. Brezi im i viteve shtator 1963- korrik 1967 e gjeti shkollën Skënderbej me kushte mjaft të mira jetese, edukimi, argëtimi e stërvitjeje ushtarake, me kabinete moderne, me qytete sportive e palestër të kompletuar. Po ashtu ishte e plotësuar me pedagogë civilë nga me të mirët në shkallë Republike dhe me kuadro ushtarakë nga më të aftët në drejtimin ushtarak.

Vite të vështira, por të mrekullueshme
Në vitet e moshës më rinore 13-18 vjeç, por vitet më aktive të formimit tonë, ku vinim nga një jetë e lirë dhe e pavarur civile, vinim nga fshatra, qytete e zona të ndryshme të Shqipërisë, u futëm, u mësuam dhe u edukuam me jetën e ngurtë ushtarake, me jetën kolektive, por dhe me rregulla të detyruara nga rregullat dhe rregulloret ushtarake, të cilat fillimisht për ne ishin mjaft të vështira, por dalëngadalë u bënë moto dhe norma të edukatës të jetës sonë të përditshme, të cilat edhe sot në këtë moshë kanë ngelur të tilla. Aty njohëm shoku-shokun mësuam të kuptonim të shqiptuarit e njëri-tjetrit sipas krahinave. Aty krijuam shoqërinë, aty krijuam dhe forcuam karakterin, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin, për edukatorët, pedagogët tanë të mrekullueshëm dhe për kuadro ushtarakë drejtues me aftësi nga më të mirat. Kaluam plot 48 muaj bashkërisht jetë kolektive të organizuar 24 orë në 24. Shkolla e Begsave (e Kadetave siç quhej) një shkollë e mrekullueshme, fidanishtja e ushtrisë shqiptare, nxori për vite të tëra nga krijimi i saj e deri në mbyllje të kësaj shkolle kuadro të zotë, të aftë e të përgatitur teorikisht me dije dhe arsim të përgjithshëm, por edhe kuadro të aftë ushtarakisht dhe drejtues të kompletuar të reparteve e të njësive të ushtrisë e deri në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Çdo skënderbegas kujton me ndjesi, me dashuri e me mirënjohje më të madhe vitet e shoqërisë 4-vjeçare, kujton shokët e klasës dhe maturës së vet, kujton pedagogët e jashtëzakonshëm, të shkëlqyer, të përgatitur e edukatorë të gjithanshëm si: Stefan Poga, Vedat Çami, Stavri Angjeli e Fiqiri Shtepani, Bejkush Birçe etj, apo kuadro ushtarakë si: Nazim Tafa, Kiço Mustaqi, Namik Hasani, Hasan Gjata dhe drejtuesit e shkollës Luto Haxhiu e Agim Tepelena etj. Respekt e mirënjohje të gjithë pedagogëve dhe kuadrove të atyre viteve në shkollën “Skënderbej”. Është e vështirë të përshkruash e të hedhësh në një shkrim ato kujtime të paharruara e të mrekullueshme të asaj shoqërie gjimnaziste, por edhe ushtarake, të asaj pune kolosale e edukative mësimore nga ana e pedagogëve, por edhe të përgatitjes ushtarake të kuadrove që na stërvitnin me rregullat, kërkesat dhe artin ushtarak.

Takim i shumëpritur 
Para 3-4 muajsh shokët nismëtarë ish-skënderbegas, Perlat Sula, Kujtim Dervishi, Daut Meço, Nevzat Bozhani morën iniciativën për organizimin e një takimi të të gjithë maturës të korrikut të vitit 1967 me rastin e 50 vjetorit të mbarimit të shkollës së mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej”, por me gjithë përpjekjet e tyre nuk mundën ta realizonin e për rrjedhojë ky takim u ngushtua vetëm në takimin e klasës së 4-t (Toga e 4-t) , e cila kishte në maturë 34 nxënës. 50 vjet larg njëri-tjetrit me detyra dhe reparte të ndryshme të ushtrisë shqiptare, prisnim me dashuri takimin e shumëpritur, si do të ishim, ç’ndryshime do të kishim fizikisht nga 18-19 deri në moshën 70- vjeçare? A do të njihnim të gjithë njëri-tjetrin? Të gjitha këto pyetje i bënte secili prej nesh deri ditën e takimit. Disa prej nesh hodhëm nëpër telefona apo grumbulluam fotografi bardhë e zi të atyre viteve 1963-67 për t’ia treguar njëri-tjetrit. Takimi u zhvillua më, 17 shtator 2017 në një nga lokalet pranë parlamentit shqiptar. Nga 34 nxënës të klasës tonë u grumbulluam 16 veta. 7 shokë kishin nderuar jetë, 7 të tjerë janë të larguar me banim jashtë Shqipërisë, kurse 4 të tjerë nuk mundën të vinin për arsye shëndetësore. Organizatorët e këtij takimi, shokët Perlat Sula dhe Kujtim Dervishi në vendin e përcaktuar të takimit i kishin marrë të gjithë masat e nevojshme për të kaluar një takim shumë të këndshëm dhe mbresëlënës. Të gjithë ishim flokëbardhë apo me flokë të rëna, dikush i dobët e dikush i shëndetshëm, 4-5 shokë tanët kishin goxha ndryshime dhe kur u prezantuan s’e njohëm njëri-tjetrin. Filluam të bënim prezantimin e njëri-tjetrit me familjet e gjithë secilit dhe përbërjen e tyre. Eh, çfarë takimi! Kaluam një drekë të këndshme dhe me shumë dashuri për njëri-tjetrin. Fillimisht nismëtari i këtij organizimi, shoku Perlat Sula na ftoi që për shokët e ndarë nga jeta në shenjë respekti, mirënjohjeje e dashurie për ta të mbanim një minutë heshtje dhe më andej kaluam në shkëmbim të kujtimeve, episodeve të veçantë midis njëri- tjetrit, treguam fotografi të asaj periudhe, treguam batuta e veprime të moshës rinore. Bëmë foto dhe video nga organizatori e shoku ynë i dashur e gjenerali i njohur, i respektuar e krenaria jonë, shoku Perlat Sula. Episodet e vitet të përbashkëta të shkollës “Skënderbej” fillimisht shokët ma dhanë fjalën mua si më i vjetri dhe pastaj vazhduan të gjithë shokët, duke treguar edhe për punët e detyrat e kryera gjatë gjithë jetës dhe karrierës në ushtri deri në daljen e tyre në lirim. Koha prej 4-5 orësh e këtij takimi të ngrohtë vëllazëror kaloi shumë shpejt e pa u kuptuar. Të gjithë pa përjashtim uronim njëri-tjetrin, por veçanërisht dhe shpirtërisht uruam shokun Perlat dhe Kujtim për këtë takim që na organizuan, duke iu shprehur dashurinë, respektin e mirënjohjen tonë më të veçantë. Nga ky takim na u rinua vetja si dikur para 50 viteve. Të gjithë shokëve të mi të dashur e të respektuar ju uroj gjendet, lumturi në familje e jetë të gjatë! Mirë u takofshim!
*Ish-skënderbegasi:
Sigal