“Dashtë Zoti, na gjen Viti i Ri në Angli”, Daily Mail artikull për të rinjtë shqiptarë nëpër kamionë (FOTO)

627
Prestigjozja britanike Daily Mail, i ka kushtuar një artikull një fenomeni shqetësues në Shqipëri që është largimi i të rinjve nga atdheu dhe përpjekjet e tyre të jashtëligjshme për të mbërritur në Angli për një jetë më të mirë.
Daily Mail ka marrë për bazë një prej faqeve të Facebook në Shqipëri, ku postohen foto të vetë të rinjve që udhëtojnë ilegalisht në brendësi të kamionëve të ndryshëm.
Disa foto selfie të postuar në rrjetet sociale tregojnë shkallën e rritur të emigrimit të paligjshëm në Britani.
Fotot e djemve të rinj të fshehur në kamionë janë ngarkuar në faqe në Facbeook si “Shqiptarët në Londër” bashkë me mbishkrimin “…për rrugë”.
Në Shqipëri, familjarët e kanë pranuar hapur që i dërgojnë fëmijët e tyre në Britani për një jetë më të mirë, shkruan Daily Mail.
Disa prej tyre janë të detyruar të punojnë si korrierë droge për bandat kriminale shqiptare, të cilat policia i ka përshkruar kohët e fundit si “më të pamëshirshmet që Britania e Madhe ka parë ndonjëherë”.
Imazhet në tri faqe në Facebook tregojnë se si të rinjtë shqiptarë festojnë hyrjen e tyre ilegale në Britani. Duke qeshur, e duke ngritur lart ndonjë shishe me pije apo duke paraqitur flamurin shqiptar, “selfie-t” e qindra adoleshentëve publikohen në një foto që arrin 60 mijë ndjekës.
Në një prej fotove të hedhura, duket një i ri në një furgon dhe mbi foto ndodhet mbishkrimi “Dashtë Zoti, na gjen viti i ri në Angli”. Sipas bisedave që bëhen aty, 8000 paund kushton udhëtimi ilegal i fshehur në pjesën e prapme të kamionit, ndërsa 3000 paund i fshehur në shasi.
Shqiptarët, vitin e kaluar, ishin të dytët në renditjen e numrit më të madh të fëmijëve të pashoqëruar që kërkojnë azil në Britani, madje me më shumë aplikantë se sa Siria e shkatërruar nga lufta.
Shumë prej tyre inkurajohen nga prindërit që të udhëtojnë drejt Britanisë, shkruan Daily Mail. Shumica e të rinjve dhe e të miturve të pashoqëruar janë emigrantë ekonomikë, disa prej të cilëve pretendojnë se i rrahin prindërit e tyre ose janë viktima të gjakmarrjes, për të rritur kështu pretendimet e tyre për azil.
Por kur pretendimet e tyre bien poshtë, shumë prej tyre zhduken nga kujdestaria e financuar nga shteti, dhe detyrohen të punojnë si skllevër.


Sigal