DASH: Shqipëria mbështetëse e fortë kundër terrorizmit dhe ISIS

518
Raporti i Departamentit amerikan te shtetit për terrorizmin, e ka cilësuar Shqipërinë si një mbështetëse të fortë të ërpjekjeve anti-terroriste gjatë vitit 2014 dhe u bë pjesë e Koalicionit Global kundër grupit Shteti Islamik. Sipas DASH Shqipëria i dhuroi një sasi të madhe armatimi dhe municioni luftëtarëve Peshmerga në veri të Irakut. Po kështu thuhet se Shqipëria është një vend burim për luftëtarë të huaj terroristë që shkojnë në Siri dhe Irak. Legjislacioni shqiptar i dënon aktet terroriste, financimin e terrorizmit, transferimin e fondeve që financojnë terrorizmin, rekrutimin dhe trajnimin e individëve për të kryer akte terroriste, nxitjen, krjimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.
Ndërsa organet e rendit në Shqipëri punojnë aktivisht për të zbuluar dhe penguar aktivitete të paligjshme që lidhen me drogat dhe trafiqet, ato ende nuk kanë të njëjtën qasje agresive për të përballuar kërcënimet e mundshme terroriste. Policia njoftoi plane në tetor të vitit 2014, për të zgjeruar ndjeshëm njësinë anti-terroriste. Trajnimi dhe pajisja e kësaj njësie do të ketë nevojë për përpjekje të konsiderueshme që ajo të arrijë nivelin e duhur të kapacitetit për të përballuar me efektivitet terrorizmin. Shqipëria nuk ka kapacitetet për të grumbulluar të dhëna biometrike veç atyre të kartave të identitetit dhe pasaportave që paraqiten në pikat e kalimit kufitar. Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë një sistem të ri, i cili u jep mundësi autoriteteve të inkorporojnë funksionet e identifikimit on-line të shenjave të gishtave.
Po ashtu Shqipëria është duke marrë teknologji për të përpunuar shenjat e gishtave në të 26 pikat e kalimit kufitar. Teknologjia e kontrollit në kufi do t’i lejojë autoritetet të grumbullojnë të dhëna gjatë hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve. Korrupsioni, i kombinuar me një sistem të dobët drejtësie, vazhdon të pengojë përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit. Shqipëria ka miratuar nisma kundër personave dhe organizatave të përfshira në listën e OKB-së si financuese të terrorizmit dhe ka krijuar një sistem parandalues kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit që e detyron atë të raportojë transaksione të dyshimta. Qeveria e Shqipërisë i jep ndihmë financiare Bashkësisë Islame dhe bashkëpunon me të aktivisht për të diskutuar rreth radikalizimit dhe rekrutimit të individëve për synime terroriste, shkruhet ne këtë raport.
Sigal