DASH/ Raporti ndërkombëtar për lirinë e fesë në Shqipëri, për vitin 2013

593
Sigal

Raporti: Ka harmoni fetare. 57% e popullsisë myslimane, 10% katolikë, 7% të krishterë, 2% begtashinj. Problem me pronat e fetarëve

Përmbledhje e Përgjithshme Kushtetuta dhe ligje e politika të tjera e mbrojnë lirinë e fesë dhe, në praktikë, qeveria përgjithësisht e ka respektuar lirinë e fesë. Qeveria përparoi pak në shqyrtimin e pretendimeve nga grupet fetare për kthimin ose kompensimin e pronave të shtetëzuara gjatë periudhës së mëparshme komuniste dhe shumë prej këtyre pretendimeve për pronën mbetën të pazgjidhura. Nuk pati raportime për abuzime sociale apo diskriminim mbi bazën e përkatësisë fetare, besimit apo praktikimit të fesë. Zyrtarë të ambasadës amerikane patën takime rregullisht me drejtues të qeverisë dhe grupeve fetare për të diskutuar rreth çështjeve që lidhen me lirinë e fesë të ngritura nga shtetasit, media dhe grupet fetare, përfshirë çështje si rëndësia e rikthimit të pronës fetare konfiskuar gjatë periudhës së komunizmit. Ambasada amerikane organizoi aktivitete për nxitjen e lirisë së fesë, si për shembull iftarin e përvitshëm dhe vizita në medrese dhe institucione të tjera arsimore. Zyrtarët amerikanë vizituan kisha, xhami dhe vende të tjera fetare gjatë vitit.

Seksioni I. Demografia fetare Qeveria e SH.B.A-së e përllogarit popullsinë si 3 milionë banorë (përllogaritje e muajit korrik 2013). Është e vështirë të përcaktohet madhësia e grupeve fetare sepse afro 20 përqind e pjesëmarrësve nuk pranuan t’i përgjigjeshin pyetjes me zgjedhje në lidhje me përkatësinë fetare në regjistrimin zyrtar më të fundit, atë të vitit 2011. Sipas këtij regjistrimi, myslimanët sunitë përbëjnë përafërsisht 57 përqind të popullsisë, katolikët romakë 10 përqind, të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) afro 7 përqind dhe bektashinjtë (një formë e sufizmit shiit) 2 përqind. Qëndrimi i kishës katolike të Romës dhe asaj ortodokse, si edhe përfaqësuesve bektashinj është se kanë më shumë anëtarë nga sa paraqesin shifrat e regjistrimit zyrtar. Grupet e tjera të pranishme përfshijnë Bahait, Dëshmitarët e Jehovait dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (mormonët). Komiteti Shtetëror i Kulteve raporton mbi 220 grupe, organizata, fondacione fetare dhe institucione arsimore që veprojnë në vend. Seksioni II. Gjendja e respektimit të lirisë së fesë nga ana e qeverisë Kuadri ligjor/i politikave Kushtetuta dhe ligje e politika të tjera në përgjithësi e mbrojnë lirinë e fesë. Vendi, me ligj, është laik. Sipas kushtetutës, nuk ka fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta. Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi merr dhe përpunon ankesat për diskriminim, përfshirë ato që kanë lidhje me praktikimin e fesë. Komisioni Shtetëror i Kulteve, nën juridiksionin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, rregullon marrëdhënien mes qeverisë dhe grupeve fetare, mbron lirinë e fesë dhe nxit bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes besimeve. Komiteti regjistron të dhënat dhe statistikat mbi grupet fetare të huaja që kërkojnë ndihmën e tij. Ai ndihmon gjithashtu punonjësit e huaj të grupeve fetare për t’u pajisur me leje qëndrimi. Qeveria nuk kërkon regjistrimin apo licensimin e grupeve fetare. Cilido grup mund të marrë status zyrtar duke u regjistruar në Gjykatën e Rrethit Tiranë si shoqatë jofitimprurëse, pavarësisht karakterit që ka grupi, qoftë ai kulturor, argëtues, fetar apo humanitar. Regjistrimi u siguron grupeve fetare të drejtën të kenë llogari bankare, të zotërojnë prona si edhe të përfitojnë një nivel të caktuar përjashtimi nga taksat. Kushtetuta kërkon marrëveshje të veçantë dypalëshe për rregullimin e marrëdhënieve mes qeverisë dhe grupeve fetare. Qeveria ka marrëveshje të tilla me kishën katolike, me komunitetet myslimane, ortodokse dhe bektashiane dhe me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare, organizatë protestante ombrellë. Përveç avantazheve të tjera, marrëveshjet garantojnë njohje zyrtare, përparësi në rikthimin e pronës si edhe përjashtime nga taksat. Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat publike janë laike dhe ligji ndalon mësimet fetare. Nuk ka lëndë fetare në shkollat publike. Sipas shifrave zyrtare, grupet, organizatat dhe fondacionet fetare kanë 125 shoqata dhe fondacione të lidhura me to që administrojnë 96 institucione arsimore. Sipas ligjit, Ministria e Arsimit duhet t’i licensojë këto shkolla dhe programi i tyre duhet të jetë në përputhje me standardet kombëtare të arsimit. Grupet katolike dhe myslimane drejtojnë një numër shkollash të licensuara nga shteti. Kisha ortodokse administron shkolla fetare dhe një universitet. Praktikat Qeveritare Qeveria vijoi të shqyrtonte si pretendimet ekzistuese edhe pretendime të reja nga grupe fetare në lidhje me kthimin dhe kompesimin e pronave marrë gjatë periudhës së komunizmit. Megjithatë, shumë pretendime pronash mbetën të pa zgjidhura. Agjencia Shtetërore për Kthimin dhe Kompesimin e Pronës duhet me ligj t’i japë përparësi pronave në zotërim të grupeve fetare, megjithëse grupet fetare raportuan se përparimi në zgjidhjen e këtyre ka qenë i ngadaltë. Në disa raste, qeveria dha grante për tokë në vend të kthimit të pronës. Sfidat administrative dhe ligjore lidhur me pretendimet për pronësi në përgjithësi e kanë vështirësuar kthimin e pronës për individët dhe organizatat, përfshirë edhe grupet fetare. Për shembull, gjatë vitit qeveria përfundoi kthimin e katër ndërtesave në Durrës dhe Korçë kishës ortodokse nëpërmjet procesit të rikthimit, por afro 435 pretendime mbetën të pa zgjidhura. Në gusht, përmbarues privatë me kërkesë të bashkisë së qytetit të Përmetit nxorrën me forcë disa klerikë ortodoksë dhe disa objekte fetare nga një pronë e diskutueshme. Kisha ortodokse kishte përdorur një kishë në këtë pronë si vend adhurimi që prej shekullit të shtatëmbëdhjetë deri në vitin 1962, kur regjimi komunist e ktheu këtë ndërtesë në qendër kulturore. Në vitin 1998 kisha e kërkoi pronën mbi bazën e ligjit të vendit për rikthim prone. Gjykatat në fillim morrën vendim në favor të kishës, por më vonë e rrëzuan vendimin dhe ia dhanë pronën bashkisë, në vitin 2002. Drejtues nga tre komunitetet e krishtera në vend me të cilat qeveria ka marrëdhënie dypalëshe (Kisha Ortodokse, Kisha Katolike dhe Aleanca Ungjillore Protestante) lëshuan një deklaratë të përbashkët ku dënonin përdorimin e forcës në ekzekutimin e urdhërit dhjetëvjeçar të gjykatës, dhe bënë thirrje që kishës t’i kthehet prona. Anëtarë të kishës ortodokse më pas fituan mbi ruajtësit për të rimarrë pronën, e cila më vonë u rivu nën mbrojtjen e qytetit dhe u mbyll me dërrasa. Kisha ortodokse vazhdoi të organizonte shërbime fetare përpara portës së ndërtesës në shenjë proteste. Negociatat vazhdonin deri në fund të vitit. Mosmarrëveshjet mbi zotërimin e pronës dhe problemet me gjetjen dhe regjistrimin e pronësisë së tokës e vështirësuan marrjen e tokës së re për ndërtime vendesh adhurimi për grupet fetare. Për shembull, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë morri me qera ndërtesa ekzistuese, por raportoi se vështirësitë për marrjen e tokës dhe ndërtimin e një ndërtese të tyren I penguan në mbajtjen e shërbesave fetare. Komuniteti Islamik Shqiptar (KISH) vazhdoi të provonte të merrte lejen e ndërtimit nga qeveria për një xhami të re në Tiranë, në tokën që po i kthehej komunitetit nëpërmjet procesit të rikthimit. Tërheqja e licencës për të ndërtuar një qendër tregtare në tokën pranë vendit ku do të ndërtohet xhamia ngriti pikëpyetje edhe mbi ndërtimin e xhamisë. Ndonëse nuk ka pengesa ligjore kundër veshjes së rrobave dhe simboleve fetare, drejtorët e shkollave kanë të drejtën të vendosin standarde për “veshjen e përshtatshme”, e cila në disa raste përfshinte kufizime në shfaqjen publike të simboleve fetare. Disa drejtues fetarë vazhduan të sfidonin rezultatet e regjistrimit zyrtar të vitit 2011, duke pohuar se regjistruesit zyrtarë as nuk kishin shkuar tek një numër i madh i pasuesve të tyre. Gjithashtu, ngatërresa në lidhje me pasojat e vetë identifikimit etnik dhe fetar mund të ketë bërë që shumë prej të pyeturve gjatë regjistrimit të mos identifikojnë përkatësinë e tyre fetare. Për shembull, grupet e pakicave etnike greke i kishin nxitur anëtarët e tyre të bojkotonin regjistrimin, duke ndikuar kështu në përllogaritjen e pakicave etnike greke dhe të Kishës Ortodokse Greke.

Seksioni III. Gjendja e respektimit të lirisë së fesë nga ana e shoqërisë Nuk pati raportime për abuzime nga shoqëria apo diskriminime bazuar në përkatësi, besim apo praktikë të fesë, megjithëse etnia dhe feja shpesh ishin të lidhura ngushtë, në veçanti brenda pakicës greke. Kjo gjë vështirësonte përcaktimin e disa incidenteve si të motivuara mbi bazë etnike apo fetare. Në shkurt, Kryepeshkopi Anastas i Kishës Ortodokse Shqiptare reagoi ndaj një deklarate lëshuar kundër tij nga drejtuesi i partisë nacionaliste Kreshnik Spahiu dhe At Nikolla Marku, një prift ortodoks maqedonas në Shqipëri. Ata kërkonin heqjen e Kryepeshkopit Anastas si drejtues i kishës për shkak të etnisë së cilës i përkiste, asaj greke. Ai tha se deklaratat kundër tij dhe kishës kërcënonin të minonin traditën e harmonisë fetare në vend. Respektimi i lirisë së fesë nga ana e shoqërisë ishte përgjithësisht i lartë. Nëpërmjet Këshillit Ndër fetar të Shqipërisë, drejtues të komuniteteve myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane diskutuan shqetësimet e përbashkëta dhe dolën me deklarata të përbashkëta publike mbi një sere çështjesh. Drejtuesit fetarë shpesh morrën pjesë në kremtimet e komuniteteve të tjera fetare në shenjë respekti.

Seksioni IV. Politikat e Qeverisë së SH.B.A.-së Zyrtarët e ambasadës së SH.B.A.-së vazhduan të nxitnin qeverinë të shqyrtonte pretendimet për pronat fetare dhe t’u kthente grupeve fetare ndërtesat, tokën dhe prona të tjera të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit. Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës shpesh përfshinë drejtuesit fetarë dhe anëtarë të komunitetit në ngjarje si iftari vjetor ndërfetar i organizuar nga amasada ku ambasadori theksoi vlerën e tolerancës fetare në kulturën shqiptare. Zyrtarë amerikanë vizituan kisha, xhami dhe vende fetare gjatë vitit. Nëpërmjet një programi për edukimin qytetar, ambasada organizoi gjithashtu një sërë aktivitetesh në mbarë vendin për të promovuar lirinë dhe tolerancën fetare, përfshirë vizita në shkolla fetare islamike apo ortodokse, në shkolla të mesme publike dhe institucione të tjera arsimore. Nëpërmjet këtij programi, ambasada përfshiu mbi 7000 nxënës për diskutimin se si vlerat qytetare si mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i dhunës në familje dhe dhunës kundër grave janë pjesë e përbashkët për shumë fe. Nxënësit dhe mësuesit më pas punuan me anëtarë të grupeve të tjera fetare dhe shkollat në komunitet për të kryer projekte shërbimesh të përbashkëta dhe për të paraqitur kërkimet e bëra mbi tema me të njëjtën vlerë përmes besimesh të ndryshme. Në korrik ambasada organizoi dhe financoi udhëtimin e Baba Edmond Brahimajt (“Baba Mondi”) për të marrë pjesë në darkën e iftarit organizuar nga Sekretari i Shtetit në Uashington, D.C. Baba Mondi udhëheq urdhrin botëror bektashian të sufizmit islamik, me zyra qendrore në Shqipëri, dhe është mbrojtës i fuqishëm i tolerancës fetare në vend.