DASH: Policia dhe aparatet e sigurisë të komprometuara me krimin

561
Sigal

Ndërlidhjet personale, lidhjet politike apo kriminale dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme shpesh ka ndikuar në moszbatimin e ligjeve

Departamenti Amerikan i Shtetit, publikoi ditët e fundit raportin vjetor për vendet e Eurpës dhe të Ballkanit në lidhje me zbatueshmërinë e ligjit dhe luftën kundër krimit. Ne po zbardhim atë pjesë, në të cilën fokusohet Shqipëria dhe raporti i DASH-it bën fjalë së policia dhe aparatet e sigurisë janë të kompromentuara me krimin. “Drejtoritë rajonale dhe lokale të policisë së rendit publik operativisht dhe administrativisht janë nën komandën e drejtorit të përgjithshëm të policisë të shtetit, i cili nga ana e tij i përgjigjet Ministrisë së Punëve të Brendshme. Policia e shtetit është organizata kryesore përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Garda e Shtetit mbron nivelet e larta të zyrtarëve shtetërorë, personalitetet e huaja, dhe pronat e caktuara shtetërore. Forcat e armatosura nën Ministrinë e Mbrojtjes janë kryesisht përgjegjëse për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, me disa detyra shtesë si të ndihmojnë popullsinë në kohë të nevojave humanitare. Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) mbledh informacion dhe kryen zbulimet e huaja dhe aktivitete të kundërzbulimit që synojnë mbrojtjen e pavarësisë, integritetin e shtetit, dhe rendin e tij kushtetues. Autoritetet civile kanë mbajtur kontroll efektiv mbi policinë e shtetit, Gardën e Republikës, forcat e armatosura dhe SHISH, megjithëse burimet shtetërore periodikisht u përdorën edhe për përfitime personale. Për shembull, ishin të shumta rastet kur instancat e policisë pranonin ryshfet në këmbim të mos marrjes së deponimeve ose nuk hidhnin të dhënat personale në detabasen e krimeve. Qeveria ka mekanizmat e saj për të hetuar dhe ndëshkuar abuzimet dhe korrupsionin. Si pjesë e përpjekjeve të reformave institucionale, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) ka kryer auditime, iu është përgjigjur ankesave, dhe ka kryer hetime me theks rritjen e të drejtave të njeriut, kushtet e burgjeve dhe me respektimin e procedurave standarde të operimit.

Oficerët e policisë shtetërore nuk e kanë zbatuar ligjin gjithmonë në mënyrë të barabartë. Ndërlidhjet personale, lidhjet politike apo kriminale, infrastruktura e dobët dhe mungesa e pajisjeve ose mbikëqyrja e pamjaftueshme shpesh ka ndikuar në moszbatimin e ligjeve. Pagat e ulëta, motivimi dhe udhëheqja e dobët dhe mungesa e diversitetit në fuqinë punëtore ka kontribuar në korrupsion të vazhdueshëm dhe sjellje joprofesionale. Gjatë vitit, Avokati i Popullit ka përpunuar ankesa kundër oficerëve të policisë kryesisht në fazat e arrestimit dhe paraburgimit. Avokati i Popullit mori 4.252 ankesa gjatë vitit 2012 dhe hetoi ose dha këshillë në 385 raste.

Procedurat e arrestimit dhe trajtimi gjatë ndalimit

Kushtetuta kërkon që autoritetet të informojnë personat e ndaluar menjëherë për akuzat që janë ngritur kundër tyre dhe t’i lexojnë të drejtat e tyre, megjithatë, kjo e drejtë nuk është respektuar gjithmonë. Sipas ligjit policia duhet të informojë menjëherë prokurorin për arrestimin e kryer. Nuk ka një sistem efektiv për trajtimin e aspektit monetar të dorëzanisë. Në vend të kësaj, gjykatat shpesh urdhërojnë të dyshuarit që të raportojnë tek policia apo prokurorët në baza javore. Shumë prej të dyshuarve janë urdhëruar që të vuajnë arrest shtëpiak, shpesh me vet kërkesën e tyre. Arresti shtëpiak nuk monitorohet në mënyrë efektive, dhe të dyshuarit mund të lëvizin lirshëm jashtë vendit pa u zbuluar nga autoritetet.

Arrestimi arbitrar: Policia herë pas here ndalon personat për t’i marrë në pyetje për një kohë të pacaktuar pa i arrestuar formalisht ata.

Paraburgimi: Ndërsa Ligji kërkon që shumica e hetimeve gjyqësore të përfundojnë brenda tre muajsh, një prokuror mund ta zgjasë këtë periudhë deri në dy vjet ose më gjatë. Ndalimet e gjata në paraburgim shpesh kanë ndodhur për shkak të hetimeve të vonuara, gabimeve të mbrojtjes, apo prej dështimit të qëllimshëm të avokatit të mbrojtës për tu paraqitur. Sipas ligjit një gjyqtar nuk mund të lejojë një avokat të mospërfilli gjykatën dhe të mos paraqitet në gjyq.

Megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara nganjëherë kanë penguar gjyqësorin të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase. Përveç kësaj, seancat gjyqësore shpesh kanë qenë të mbyllura për publikun”