Daniel CANA/ “Të bëhet ujku bari”

632
Sigal

Lëvizjet politike të muajve të fundit, mbas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, kanë qenë të tensionuara për të gjithë ne, plotë ankth ndryshimesh, mosbesime, pikëpyetje, ngjarje problematike si nga brenda edhe jashtë. Çdo gjë mbas zgjedhjeve lëvizi nga vendi, që në gjuhën popullore quhet “shkundje”! Kjo shkundje e shoqërisë por kryesisht e administratës, duke filluar që nga punonjësi më i thjeshtë i zyrave të komunave dhe të bashkisë, e deri tek punonjësit e shërbimit shëndetësor, arsimit, pa harruar policinë e shtetit, e cila ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm deri tani, gjatë qeverisjes së djathtë, rolin e ujkut të zi për qytetarët dhe atë të deles së zezë për kriminelët.

Ne emigrantët rrallë shkojmë në atdhe, sepse dihet që nuk mungon kur të duash nga puna, por këtë vit, mua më rastisi të shkoj më tepër nga vitet e tjera, aq tepër saqë pata fat të marr pjesë në fushatën zgjedhore, në zgjedhje, mbas 20 vjetësh dhe pashë disa lëvizje dhe veprime të policisë së shtetit si në vitet e para të prishjes së sistemit komunist, vitet ‘90 –‘91. Atëherë nuk dinin njerëzit se nga do merrnin, majtas apo djathtas! Nuk dinte policia e shtetit se kë do përkrahte, si do ishte, si do vepronte dhe filloj ryshfeti hapur fare, më jep ta kesh mirë …ndryshe ballafaqohu me probleme.
Ato lëvizje pashë edhe sivjet tek policia dhe ndjeva një shtrëngim në fyt….Polici kërkonte 200 lekëshin pa llapë syri fare nga shoferët dhe kishte edhe pretendime… Kam qeshur me lot në Jorgucat një ditë. Aty është një ndalesë policie e përhershme, si ç’është edhe në Ujë të ftohtë të Tepelenës. Arsyeja përse janë këto post-blloqe policie, nuk më intereson fare, nëse duhet të jenë apo jo, ajo është problemi i ministrisë së rendit, ( unë po të isha ministër do t’i zhdukja këto post-blloqe sepse janë kthyer në  ”shtrunga” për të mjelë qytetarët që kanë mjete transporti ). Për mua më e rëndësishmja është se kush merr pjesë në këto post-blloqe! Udhëtoja pra një ditë me një mikun tim, për në Kakavijë dhe Greqi. Më rastisi që brenda muajit ta bëja katër herë atë rrugë. Sa herë ndalonte aty miku im, policia mbasi e njihnin, se ai kalonte shpesh dhe flisnin me emra, përshëndeteshin ngrohtësisht por, polici shikonte me vëmendje lëvizjen e duarve të shoferit. Shoferi direkt nga dritarja e mjetit i zgjaste 200 lekëshin, (ishte minimumi, se kishte që ishin më “xhymert” i jepnin 5 apo 10 euro!)  Kjo ishte e përditshme me këta tipa policash dhe me këdo. Ose do ta merrnin direkt nga dritarja ose do ti thoshin shoferit zbrit për të kontrolluar bagazhin, shoferi ishte instruktuar më parë se çdo të thoshte hape bagazhin, kë ke në makinë, ku shkon, përse shkon etj…të gjitha këto pyetje mbaronin kur shoferi zgjaste 200 lekëshin përndryshe aty ishe një orë!
Atë ditë që qesha ishte një skenë e bukur. Mbas nesh ishin ndaluar edhe katër mjete të tjera të gjitha vetura. Polici me tabelën e ndalimit në dorë u afrua tek dritarja jonë. Ishin nja 3-4 polic që merreshin me këtë punë, nuk ishte një. Ata të tjerët mbaruan punë me makinat që ishin mbrapa. Shoferi ynë po kërkonte xhepat se nuk i kishte bërë gati lekët dhe po vonohej pak. Shoku tjetër mbrapa i thoshte të lejonte të parakalonte  mbasi nxitohej. Polici ngaqë u hutua për momentin mori atë 200 lekëshin dhe nuk po dinte në cilin xhep ta fuste, majtas apo djathtas dhe e hidhte sa në një dorë-në tjetrën dhe nga nxitimi, tabela e ndalimit i ra tek këmbët. U bë një lëmsh për momentin që unë nuk munda të rrija pa qeshur sepse po i ndiqja me vëmendje lëvizjet e policit. Shoku im më shkeli syrin duke më thënë ngadal: Mos qesh tani se do ofendohet dhe na vonon këtu, lëre të ikim! Kush merret me këta palaço që kanë zbritur nga stani!
– Këtë punë bëni gjithmonë? – E pyeta shokun tim.
– Po kjo punë është me të gjitha mjetet, fugonet, autobusët, sepse këta nuk njohin ligje, i bëjnë vetë si ju thotë koka. – Mu përgjigj shoku.
– Pse s’ke ndezur dritat i thotë polici emigrantit që vjen nga Greqia, sepse këtu tek ne është tjetër ligj, nuk më intereson se çfarë ligji ka atje!
– Po mirë mo z.Polic, – i thashë njëherë njërit që më ndaloi në Jorgucat, kur kthehesha me makinën time. – Ti kur e paske ligj për ndezjen e dritave në mes të drekës, vendos një tabelë atje në kufi ku të lajmërohen të gjithë ata që vijnë andej se çfarë rregullore përballen këtu. Është njëlloj si të hysh në një tunel pa drita. Me rregullore ka tabelë paralajmëruese.
– Atë tabelën ti zotëri shko kërkoja ministrit, jo mua, unë të gjobis, të marrë patentën, të sekuestroj makinën. Të, të, të….
…..Nuk mbarojnë tëtëtttt e policit sa t’i japësh diçka dhe i harron të gjitha tëttttt……
Një herë e një kohë, në kohën e monizmit, polici ishte bërë tmerr për shumë qytetar sepse nuk të lejonte të mbaje flok të gjata, të dëgjoje muzikë të huaj, të mbaje veshje ekstravagante të flisje ndonjë fjalë për udhëheqjen…dhe me të drejtë atëherë quhej “ujk” polici nga populli. Kur u prish sistemi dhe erdhi “demokracia”, shumë nga djemtë e fshatit vendosën atëherë e thoshin: Do shkoj të vesh rrobën e ujkut, më mirë kështu, sepse një rrogë do ta marr dhe pesë rroga do dalën nga merhumët…! Kemi të drejtë të themi si qytetar se nuk mund të bëhet ujku bari!
Pa një ndryshim rrënjësor dhe një rifreskim të policisë së shtetit, kryesisht kokat drejtuese, qytetari shqiptar nuk fiton besimin tek kjo forcë e rëndësishme e ruajtjes dhe mbajtjes së qetësisë, lirisë qytetare!