Dako: Pushuesit nga Kosova janë të mirëpritur

549
Kryebashkiaku i Durrësit sqaron se autobusët kanë disa akse në dispozicion për të shkuar në zonën e plazhit
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka sqaruar opinionin publik në lidhje me komentet për “ndalimin” që i bëhet autobusëve me pushues për të kaluar në rrugën “Pavarësia” në plazhin e Durrësit. Kryebashkiaku Dako shprehu keqardhjen për zërat që thonë se diskriminohen pushuesit nga Kosova, pasi sipas tij, pushuesit nga Kosova janë turistët bazë të plazhit të Durrësit dhe ata janë të mirëpritur. Kryebashkiaku Dako deklaroi se gjysma e rrugës “Pavarësia” është transformuar në një rrugë për këmbësorë dhe sheshe pushimi për vizitorët dhe qytetarët që jetojnë në atë zone ndaj lëvizja e autobusëve në këtë rrugë krijon kaos, por kjo nuk do të thotë që ata ndalohen për të ardhur në plazh. Përkundrazi, u shpreh kryebashkiaku Dako, janë në dispozicion të këtyre mjeteve 5 akse që lidhen me rrugën “Pavarësia” dhe që bëjnë të mundur që pushuesit të shkojnë në plazhin e Durrësit.

“Bashkia e Durrësit, duke parë trafikun e rënduar në në rrugën “Pavarësia”, ka vendosur tabela për mosqarkullimin e autobusëve në këtë zonë. Arsyeja e këtij vendimi është që mos të ketë fluks dhe trafik në zonën e plazhit. Kemi kërkesë nga shoqëritë e transportit dhe agjencitë turistike, të cilët sjellin turistë nga Rinasi me destinacion një hotel të vetëm. Për këto raste, kemi dhënë leje kundra-tabelë për hyrjen e autobusëve në destinacionin e përcaktuar”, tha Dako. Sipas tij, ka një ndryshim të autobusëve që vijnë nga Kosova dhe autobusëve me turistë me destinacion. “Autobusët që vijnë nga Kosova përshkojnë të gjithë gjatësinë e rrugës “Pavarësia”, duke ndaluar në çdo stacion dhe duke zbritur pasagjerë të ndryshëm. Kjo bëhet pengesë për funksionimin normal të qarkullimit në atë rrugë që ka fluks shumë të madh lëvizjeje në këtë sezon turistik. Ndërsa autobusët që vijnë me destinacion një hotel të caktuar, vijnë nga Rinasi ose pikat kufitare dhe shkojnë direkt në destinacion, pra kanë vetëm një pikë ndalimi”, u shpreh kreu i bashkisë. Sipas tij, gjysma e rrugës “Pavarësia” është transformuar në një rrugë për këmbësorë dhe sheshe pushimi për vizitorët dhe qytetarët që jetojnë në atë zonë. “Por kjo nuk do të thotë që ne i ndalojmë autobusët që vijnë me turistë nga Kosova. Më vjen shumë keq me zërat që thonë që janë diskriminuar turistët nga Kosova. Ne i kemi pritur historikisht këta vizitorë. Gjithashtu bizneset që gjenden gjatë rrugës së plazhit mbajnë familjet e tyre me turistët kosovarë duke i mirëpritur me dashamirësi. Në gjithë këto vite kemi punuar në zonën e plazhit për të përmirësuar infrastrukturën, për të patur një ambient sa më të mirë në funksion të turistëve dhe turistët bazë të cilët vijnë në Durrës janë turistët që vijnë nga Kosova”, tha Dako. Kreu i bashkisë së qytetit bregdetar nënvizoi se në asnjë mënyrë ne nuk i ndalojmë turistët kosovarë, përkundrazi i ftojmë të vijnë në plazhin e Durrësit. “Ata mund të përdorin një seri aksesh për të shkuar në destinacionin përkatës. Janë 5 akse për t’u lidhur nga autostrada me rrugën “Pavarësia”: Rruga e ndërtuar prej nesh, gjysma e së cilës ka përfunduar, segmenti i rrugës mbi kanal, i jep mundësi këtyre autobusëve të bëjnë lëvizje paralele me një distancë jo më shumë se 100 m larg rrugës “Pavarësia”. Autobusët që vijnë nga Kosova i kanë të gjithë alternativat e mundshme për të zbritur pasagjerët në vendet të cilat i kanë zbritur edhe më parë, por ndoshta shoferët e autobusëve dukë mos qenë në dijeni të këtyre hyrjeve të reja, krijohet kaos. Rruga dytësorë mbi kanal është më standarde, 7 m e gjerë, pra është mundësia që autobusët të kalojnë në atë rrugë”, shpjegoi kryebashkiaku.
Sigal