Dako ngre flamurin në përkujtim të 102 vjetorit të Ditës së Flamurit në Durrës

536
Sigal

Bashkia e Durrësit me në krye Vangjush Dakon, organizoi ceremoninë e ngritjes së flamurit në Durrës

Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Xhelilaj, deputetë, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues dhe qytetarë të Durrësit. Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Kryebashkiaku Dako, deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit: “Jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 102 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912 dhe se kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. 102 vjet më parë përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga Perandoria Osmane. Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu, tek Stefan e Marie Kaculini, tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëvitën flamurin kombëtar në qytetin tonë, për delegatët durrsakë Dom Nikolle Kaçorri, Abaz Celkupa, Mustafa Basha, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë. Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912, bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial. Ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se shpallja e pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë, më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, sundimtare, që kishte lënë “Porta e Lartë” tek njerëzit shqiptarë. Ne në këtë 102-vjetor festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk është më ajo e fillim shekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur, populli më pa aleatë. Ishte populli me trojet e të cilit mund t’ u bëheshin ndere të tjerëve. Sot pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet. Kurrë ndonjëherë nuk jemi ndjerë kaq të realizuar sa sot prandaj le të festojmë me madhështi dhe le t’ i gëzohemi këtij fakti në këtë jubile të madh, duke heshtur me pak luks për çfarë ka ndodhur me historinë e sistemit politik, me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar dhe të vetëdijes shtetërore të shqiptarëve. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të 102 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë”! Më pas kryebashkiaku Dako dhe të pranishmit e tjerë kanë vizituar ambientet e Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, ku është çelur një ekspozitë me piktura nga fondi i Galerisë së Arteve me tematikë “Festat e Nëntorit”.

Artur  AJAZI