Dako: Mbështetja e grave dhe vajzave, garanci për fitoren

623
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun Durrës dhe kandidatët për deputetë, takim me banorët e Sukthit

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh kandidate për deputete, Milva Ekonomi, dhe kandidatët për deputetë, Klodiana Spahiu dhe Roland Xhelilaj zhvilluan një takim me banorët e Sukthit. “E ndjej të sigurt që do të fitojmë në Sukth. Kjo pjesëmarrje e kaq shumë grave, vajzave, e kaq shumë të rinjve, është një ogur i mirë që ne do të jemi të suksesshëm në Sukth, falë mbështetjes tuaj”, u shpreh Dako. Kryebashkiaku kërkoi votën e banorëve të Sukthit për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për punësim dhe mirëqenie për çdo banor. “Kërkojmë përsëri votë për Edi Ramën për të bërë më të mirën, për të vazhduar sepse kemi ende shumë për të bërë, për Durrësin që duam, për Sukthin që duam, për Shqipërinë që duam. Të jeni të sigurt, që me Edi Ramën kryeministër, Durrësi dhe gjithë Shqipëria do të jetë më e mirë, më e pastër, më e gjelbëruar, më e bukur dhe do të ketë mundësi punësimi për të gjithë dhe do të ketë mirëqenie më të mirë për të gjithë shqiptarët”, theksoi Dako. Gjithashtu, Vangjush Dako, së bashku me kandidaten për deputete, Klodiana Spahiu, zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 18. Në fjalën e tij para banorëve, Dako solli në vëmendje reformat e ndërmarra nga qeveria në këto 44 muaj qeverisës teksa kërkoi mbështetjen e banorëve për kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për të vijuar rrugën e nisur dhe për të bërë akoma dhe më shumë. “Ne na duhet dhe një mandat për Edi Ramën për të vazhduar gjithë këto reforma të mëdha që kemi nisur, për të bërë punë më të mira për Shqipërinë që duam, me më shumë shtet, me më shumë mundësi punësimi, me më shumë mirëqenie dhe një Shqipëri ashtu siç e duam të gjithë, një Shqipëri drejt Europës”, deklaroi Dako. Kryebashkiaku theksoi se në këto vite, që Bashkia që ai drejton ka punuar me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, janë bërë për Durrësin aq shumë investime sa nuk janë bërë në 25 vite të marra së bashku. “Me Edi Ramën kryeministër të jeni të sigurt që Bashkia e Durrësit do të ketë një mbështetje më të madhe, do të ketë financime më të mëdha dhe të jeni të sigurt që gjithë këto investime, gjithë këto financime, do kalojnë në shërbim të qytetarëve. Në katër vjet që kemi punuar me qeverisjen e Edi Ramës kemi bërë punë për Durrësin sa nuk ishin bërë për 25 vite të marra së bashku. E për të vazhduar përsëri në këtë drejtim, për të bërë akoma punë të mira na duhet vota për Edi Ramën në 25 Qershor, votë për numrin 2, votë për Partinë Socialiste”, u shpreh Dako. Ndërkohë, kandidatja Spahiu vlerësoi mbështetjen që qytetarët i dhanë qeverisë “Rama” për reformat e ndërmarra teksa shtoi se ka ende edhe shumë punë për të bërë. “Kanë qenë reforma të vështira që pa mbështetjen tuaj nuk do të ishin realizuar kurrë. Për të bërë më shumë punë të mira, për të patur më shumë vëmendje na duhet patjetër ndihma juaj në datën 25”, theksoi Spahiu.
Sigal