Çudia detare e radhës në Shqipëri Mjete detare pa motorist

99
Nga Shefqet KËRCELLI

Për çdo detar e lundrues në Shqipëri e në botë është çudi e radhës kur dëgjon se, si mundet që ekuipazhi i një mjeti detar të lihet organikisht pa motorist. Dihet që zemra e çdo mjeti lëvizës në botë është motori, kudo ku këto mjete veprojnë, në det, në tokë dhe në ajër. Nuk dua të bëj James Wat-in, sepse njohuritë e mia në këtë fushë janë mesatare, por cilindo detar të pyesësh në botë, kur i thua që në anije apo në mjetin detar të çdo tonazhi, s’ka motorist, ai do ta kthejë:- Çfarë po thua? Si ka mundësi? Si do lundrojë e manovrojë ky mjet pa motoristin?! Motori është zemra e anijes, dhe ta lësh anijen motorin pa zot, do të thotë që ti këtë anije do ta flakësh mes valëve të detit, atje midis ujërave në mëshirën e fatit. Ta mbytësh me paramendim. Mjerisht kjo po ndodh tek ne. Konkretisht mjetet detare të Sektorit të Antikontrabandës Detare në Durrës, në varësi të Ministrisë së Financave, janë parashikuar që këtë vit të lihen organikisht pa motoristë, duke i zëvendësuar ata me inspektorë finance!? Nuk e di kush i bën këto struktura apo organigrama, siç i shkruajnë rëndom, por që të lësh anijen, motoskafin apo çdo mjet detar pa motorist, kjo është një handikap i vërtetë, nuk ta pranon asnjë rregullore e ligj i përdorimit e mirëmbajtjes së anijes kudo në botë. Kapiteni dhe motoristi i anijes, janë dy “direkët” kryesorë të anijes, pa mohuar rolin dhe rëndësinë e personelit tjetër të ekuipazhit. Nuk e mendoja se nënvleftësimi i vlerave morale dhe profesionale të detarëve tanë të arrinte deri në këtë pikë. Janë anatemuar dhe nënvleftësuar për 27 vjet, por ky është një mohim që kalon çdo kufi. Duke qëndruar përmbi dyzet vjet pranë detarëve shqiptarë, si botues i qindra shkrimeve për jetën dhe veprën e tyre, por dhe i dy librave të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, më vjen tmerrësisht keq kur dëgjoj veprime të tilla amatoreske dhe arbitrare të drejtuesve apo zyrtarëve përgjegjës që kanë të drejtën e vendimmarrjes. Jemi popull me fat, jo thjesht për kufirin detar që zotërojmë, por dhe sepse ne kemi numrin më të madh të detarëve të arsimuar për frymë në rajon e botë. Duke referuar statistikave që unë disponoj, kemi mbi 2000 lundrues me arsim të lartë, të aftë për punë, që kanë përfunduar studimet para dhe mbas viteve 1990, brenda e jashtë vendit. Tashmë dy Universitete, “Ismail Qemali” në Vlorë dhe “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kanë rritur cilësinë e nivelin e përgatitjes së kuadrove të ardhshëm detarë, duke përmirësuar çdo ditë kurrikulat dhe bazën didaktike. Por ç’ndodh në praktikë? Duke përjashtuar aktivitetin privat detar që mbijeton me vështirësi e sakrifica, ku janë punësuar dhjetëra detarë shqiptarë, nëpër institucionet tona detare shtetërore, ku duhet të diskutohet veprimtaria dhe legjislacioni detar, eksperienca dhe praktikat botërore, nuk janë vendosur specialistë detarë, por militantë partiakë, e lloj-lloj të diplomuarish që ose e kanë parë detin me dylbi, ose e shijojnë atë vetëm për plazh. Pra, në institucione tona detare në vend të vijë era det e oqean, vjen era myshk, breshkë e kërpudhë. Këtë fenomen e shoh tek të gjitha institucionet tona detare. Detarët tanë janë vlerë kombëtare, pasi me punën dhe veprën e tyre është krijuar pasuria kombëtare dhe aktualisht mbahet gjallë gjysma e transportit dhe shkëmbimit të mallrave në vend. Duke mos i caktuar njerëzit sipas aftësive profesionale, por mbi partiçkat dhe militantizmin, ndodh ky fenomen, largohen detarët nga detyra të mirëfillta funksionale, që mund ti bëjnë vetëm ata dhe s’duhet ti zëvendësojë askush. Popullorçe duhet thënë, mos ia hani bukën detarëve, se të zë! Ata e kanë lidhur jetën me detin që fëmijë. Nëse ne themi do bashkë qeverisim me qytetarë e profesionistë, çdo teoremë e aksiomë do të thotë që në institucionet detare shqiptarë duhet qeverisur me detarë profesionistë, që fatmirësisht i kemi të çdo moshe e me nivel të lartë arsimor, kjo në shumicën e rasteve në sajë të përpjekjeve të tyre vetjake. Në librin “Antologjia e Detarisë shqiptare”, vëllimi i 2-të, përshkruhet gjerësisht historia e të gjithë institucioneve detare shqiptare, konkretisht dhe Antikontrabanda detare, fq. 618-620. E shoh të arsyeshme ta citoj për lexuesit: Antikontrabanda Detare si strukturë e Departamentit Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave {MF}, u krijua në nëntor të v. 1998. Misioni i saj kryesor është Lufta kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal në det dhe Kontrolli dhe monitorimi i mallrave që lëvizin në hapësirën detare shqiptare. Këto operacione ky sektor i zhvillon në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Rojën Bregdetare, Kapitanerinë e porteve, etj. Mirë ose keq ata kanë vepruar paralel me institucionet e tjera ligj-zbatuese të shtetit shqiptar dhe punën e tyre nuk jam unë ai që duhet ta vlerësoj. Theksoj se, mbështetur në misionin e kësaj strukture, në janar 1998, mbërritën nga Italia 4 Motovedetat e para, të cilët funksionalizuan operacionalitetin e kësaj strukture. Ndërkohë u specializua dhe personeli përkatës për përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Në vijim ky sektor është pajisur dhe me mjete të reja, të cilat i kanë kushtuar partnerëve dhe shtetit shqiptar, miliona euro ose dollarë. Por, që këto mjete të jenë efikase dhe operacionale në det, duhen mirëmbajtur, duhen riparuar çdo ditë, muaj e vit. Kush e bën këtë? E këtë në radhë të parë e bëjnë motoristët, të cilët aparatçikët tanë i quajnë të panevojshëm?! Sa herë kaloj në ditët e pushimit pranë molit “0” të portit të Durrësit, shoh të gjithë detarët e Forcës Detare, Sigurisë Portuale, Policisë Kufitare e Antikontrabandës Detare duke i bërë shërbime mjeteve të tyre. Me kominoshe e llërë përveshur ata i hyjnë çdo cepi të anijes, duke “garuar” me njëri-tjetrin, kush e kush ta mbajë më mirë mjetin e tij. Jo më larg se një muaj, në prag të festës së pavarësisë, motoristët e mjeteve detare të Antikontrabandës, i bënë një profilaktikë të përgjithshme mjeteve të tyre. I shihje duke punuar ditë e natë, në shi e diell, duke i ngritur dhe ulur nga shkalla këto mjete, sikur t’i kishin të tyret. E pra, këta njerëz i duhen në radhë të parë shtetit shqiptar, që i shërbejnë anijes direkt, që përleshën çdo ditë më dallgët e detit, e jo ata që e shtyjnë ditën pranë kondicionerëvë, me paga 4 fish më të larta, duke medituar për detin. Kjo duhet të jetë filozofia e shtetit shqiptar, logjika profesionale e ekonomike. 

Në vend të epilogut
Po bëja rrugën nga Kapitaneria për tek hyrja e portit Durrës, kur rastësisht, më del para detari i vjetër durrsak Hasani, i cili e kishte dëgjuar këtë muhabet. E kisha parë gjithmonë të qetë, shpesh më tregonte histori për detin dhe të kaluarën e tij ulqinake. “Më ka shqetësuar kjo histori, më thotë. -Si mund të heqësh motoristin nga anija?! Kush i bën këto? Jam dhe votues i kësaj qeverie… Me sa po shoh, drutë e shtrembër e kanë vënë para drurin e drejtë dhe ky po vjen vërdallë e s’di ku të futet!” Mjerisht, kjo po ndodh në administratën tonë nga lart e deri poshtë.

P.S. Si një dashamirës i detit dhe një nga organizatorët e Konferencës I të Rojës Bregdetare në maj 2003, një konferencë e nivelit të lartë nga pjesëmarrja dhe problematika, jam dakord që vullnetarisht, të ndihmoj çdo institucion detar për të organizuar një Konferencë Kombëtare për detin, ku të vihet pika mbi “I”, për detyrat dhe përgjegjësitë e çdo institucioni detar. Pavarësisht nga situatat e krijuara mendoj pozitivisht dhe kam besim se kjo çështje do gjejë rrugën e zgjidhjes nga vendimmarrësit përkatës, të cilët duhet ta gjykojnë atë objektivisht për të mirën e punës.