Crawford: Paqëndrueshmëria e TVSH-së dhe monopolet është problem i biznesit të huaj

60
Shqipëria është vendi i fundit në Ballkan, për sa i përket investimeve të huaja, edhe pse vlera e ditës së punës është më e ulëta, e krahasuar me vendet fqinje në Ballkan. Vendet e tjera ballkanike, po tërheqin gjithnjë e më shumë investitorë të huaj, kompani dhe truste të fuqishme, sepse kanë krijuar një klimë të përshtatshme të të bërit biznes, kanë ulur taksat, kanë përmirësuar kuadrin ligjor, kanë shkurtuar burokracinë etj. Por, kryesorja është se në Shqipëri mbetet problem edhe korrupsioni në drejtësi, si edhe problemi i pazgjidhshëm i pronësisë, të cilat ua bëjnë gati të pamundur investitorëve të huaj, të interesohen dhe të investojnë në Shqipëri.

Në një intervistë ekskluzive për Fax News, kreu i dhomës amerikane të tregtisë, Mark Crawford ka folur për klimën e biznesit dhe raportin e qeverive me investimet e huaja. Duke shprehur shqetësimin, Crawford tha, se një problem i madh mbetet paqëndrueshmëria e TVSH mbi bizneset. “Nuk mund të parashikojmë dot si do të ecë TVSH e biznesit.” – u shpreh ai. Crawford shtoi se, ka problem me TVSH dhe për këtë dhoma amerikane po flet vazhdimisht me qeverinë. Sipas Crawford, probleme të mprehta mbeten; rritja e taksave, monopolet dhe ekonomia informale. “Shpresojmë të shkojë në një drejtim pozitiv. Për taksat duhet të jemi konkurrentë në rajon.” – u shpreh Crawford. Për sa i përket raportit dhe mbështetjes së Ambasadës Amerikanë ndaj Dhomës Amerikane të Tregtisë, Crawford tha, se ambasadat zakonisht nuk kanë shumë lidhje me biznesin por me politikën. Crawford u shpreh edhe se nuk shkon të investojë në sektorë ku ka shqiptarë, por më tepër investon në sektorë ku ka ndonjë pengesë për investim si për shembull në sektorin e financës.