Ç’po ndodh në Këshillin Bashkiak Sarandë?!

571
Sigal

Fadroma e firmës “Politikë+Interes” ka shkërmoqur ndërtesën informale të aleancave politike në Këshillin Bashkiak të Sarandës. Pas divorcit LSI-PD, oreksi i socialistëve të Sarandës është zgjuar për interesa politike të reja. E themi këtë se zhvillimet politike dhe lëvizjet në këtë këshill kanë qenë si në asnjë qytet të Shqipërisë. Maxhoranca e koalicionit të djathtë ka fituar drejtimin me një votë të PDK-së, në atë kohë aleate e PS-së për të arritur deri tek zhgënjimi që tre këshilltar të PS-së largohen nga grupimi elektoral për t’u bashkuar me LSI. Por jo ashtu si mendohet në raste të rëndomta kanë rrjedhur ngjarjet. Fundjavën që lamë pas e shoqëroi një tjetër sfidë politike: Është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e këshillit, pa u mbajtur mbledhja e zakonshme, sipas pretendimit të Kryebashkiakut Stefan Çipa, ardhur kjo si pasojë e një mbledhjeje të këtij të fundit në institucionin e Ujësjellës –Kanalizimeve pas një vendimi të Gjykatës së Faktit Sarandë dhe asaj të Apelit Gjirokastër, që vendimi i Këshillit Bashkiak ka shkelje procedurale. Por përsëri Këshilli Bashkiak i Sarandës i ka hequr të drejtën Kryebashkiakut Çipa për në Ujësjellës dhe kjo edhe me firmat e tre këshilltarëve të larguar nga PS-ja dhe inkuadrimin tek LSI, pasi dy këshilltarët tradicional, ku njëri është edhe nënkryetar i këshillit nuk ka marrë pjesë dhe mjekja Venera Guri, janë larguar kur Stefan Çipa ka kërkuar largim nga kjo mbledhje që sipas tij “… përbën një turp…”. Por mjekja e nderuar nuk ka qenë asnjëherë e vendosur në aleancën politike PD-LSI dhe këtu gjeti veten, se përveç kësaj edhe këshilltari “monument” i PBDNJ-së, aktualisht i punësuar nga Ministria e Kulturës, është larguar pak më herët nga mbledhja me pretendimet profesionale se duhet transparencë. Por Kryebashkiaku Stefan Çipa ka sqaruar qytetarët në një deklaratë për shtyp se, “tallja” me qytetarët duket ashiqare. Këshilltarët janë në ankand, ndërkohë që “dinakët” vijon të hanë me dy bulçi dhe të tjerët nuk kanë bukë në shtëpi. Punësim në Qeverinë Berisha dhe votim kundër Qeverisë Berisha?! Në të ardhmen priten edhe trafiqe të tjera votash brenda Këshillit Bashkiak të Sarandës, brenda filozofisë dhe praktikës së “Kalit të Trojës”. Ndërkohë që, Kryebashkiaku vijon punën në shërbim të qytetarëve dhe sqarimet publike për ç’ka ndodh në Sarandë.