Çorovodë / Ujëmbret

3142
Sigal

Nga Viktor Bakillari

Çorovoda është qendra administrative e Skraparit. Banorët e saj /tij janë autoktonë, denbabaden (rrënjës) shqiptarë, pasardhës të fiseve ilire të Dasaretëve dhe Atintanëve. Popullsia është tërësisht homogjene, pa grupe a ngulime pakicash sociolinguistike.
Banoret janë të besimit bektashian. Bukuri! Por, ç’do emri Çorovodë në një krahinë të pastër shqiptare?
Si shpjegohet?
Për ketë ne kemi folur gjerë e gjatë në librin tonë “Visare të Skraparit” (Sh. B. “Albatros, Tiranë, 2008), por, ngaqë një patrioti im i mirë u habit dhe u befasua kur lexoi diku emrin ‘Ujmbret’ në vend të Çorovodë, duke përfituar nga rasti, shkurt, për të sqaruar atë, por edhe kureshtarë të tjerë, po japim sqarimin e mëposhtëm:
Pra, emri Çorovodë në Skrapar… Shumica do të ngrejë supet, do të rrudhë vetullat dhe do të palosë buzët. Të tjerë, që kanë lexuar, thonë se është emërtim sllav. Por fjala “sllav” është një term përmbledhës. Specialistët thonë se emër-vendi ‘Çorovodë’ është një toponim bullgar që na ka mbetur qysh nga koha e pushtimit të Arbërisë (pra, edhe Skraparit) prej bullgarëve para një mijëvjeçari e ca dhe, përkthyer në shqipe, ka kuptimin si me poshtë vijon:
черно (Çerno) = I zi
Вода (Voda) = Ujë
Pra, Çernovoda (Çorovoda, si rezultat i punëve të fonetikës) = Ujë i Zi.

Për të mos e bërë shkrimin të lodhshëm, sepse keni jo vetëm për të lexuar edhe gjëra të tjera, keni edhe punë të tjera, shkurt po themi dy fjali para se të japim legjendën e emrit ‘Ujmbret’ (Uji-Mbret, Ujëmbret). Në vitin 1938, regjimi i kohës (Mbretëria Shqiptare) mori vendimin që krejt toponimia shqiptare të kthehej në identitet, të shqiptarizohej. Mbretëria caktoi komisione pune me njerëz kompetentë dhe të përkushtuar ndaj punës, specialistë gjuhësh të huaja dhe vendosi ndryshimin e emrave me përmbajtje ose prejardhje të huaj në të gjithë Shqipërinë. Në këtë kuadër, Çorovoda do të quhej Uji-Mbret…

Po përse komisioni ia vendosi emrin Uji-Mbret (Ujëmbret, Ujmbret) dhe jo Uji i Zi?
Ka një legjendë:

Në kohë të lashta, një mbret i fuqishëm që kishte zaptuar shumë dhera dhe kishte pushtuar shumë vende papritur u sëmur rëndë. Doktorët e tij nuk lanë kurë të kohës pa përdorur, por më kot. Kishin dëgjuar se në këtë vend që sot njihet me emrin Çorovodë gurgullonte një ujë që bënte mrekulli (Guaku!?). Mbreti mori udhën e gjatë që nga kryeqyteti i tij dhe erdhi në këtë vend. Qëndroi disa ditë dhe u shërua plotësisht. Pasi u shërua, fjala mori dhenë, se ilaç më të mirë se ai ujë nuk kishte… Teksa kishte marrë rrugën për t’u kthyer në vendin e vet, një kasnec i sjell lajmin se kundërshtari i tij më i betuar ishte sëmurur dhe vuante nga e njëjta sëmundje. Kështu, edhe ai kishte marrë udhën po për të bërë kurën me ujin shërues-mrekullibërës. Mbreti që ishte shëruar duke e parandiere rrezikun, ngaqë kundërshtari kishte ushtri më të madhe në numër, por ishte dhe më i ri në moshë, dha urdhër që, burimi që nxirrte atë ujë, të shkatërrohej plotësisht deri sa të humbiste uji. Shpura e madhe që shoqëronte mbretin e shëruar u kthye mbrapsht, mbushi shumë voza e fuçi me ujë (thoshin se ishte ujë i bekuar, që nuk prishej kurrë) dhe, pasi e shkatërroi burimin, ia mbathi. Dhe, nëse nuk e dini, mësojeni: Uji trembet nga shpërthimet dhe fshihet! Kur vjen mbreti tjetër i sëmurë, pa se aty dilte vetëm ujë i zi. Ky mbret ca nga sëmundja, ca nga lodhja (rruga e gjatë), po ca dhe nga marazi, vdiq. Që atëherë i mbeti emri Uji i Zi, të cilin pushtuesit bullgarë, rreth vitit 1000, e administruan dhe e regjistruan në defterët e tyre me emrin Çernovoda (sot: Çorovoda)…

Ai vend që njihet me emrin Çorovodë, herët e vonë do të kthehet në identitet: Ujmbret!
Urojmë sa më parë që Bashkia e Çorovodës të kthehet në Bashkia e Ujmbretit dhe të shkruajë një tabelë gjigante në hyrje / dalje të qytetit:
MIRË SE VINI NË UJMBRET!
dhe të mos harrojë nga ana e pasme:
Bashkia e UJMBRETIT ju uron: UDHË TË MBARË!

Le ta marrin vesh tejembanë, aq sa duhet të ketë Shqypnia Bjeshkë të Nemuna, aq duhet të ketë edhe Skrapari i Shqipërisë Çorovodë. U BËFTË!