Çmimi në stratosferë, një gjel detit kushton 8 mijë lekë/kg

78

ABUZIMI/ Qytetarët beratas: Ka shkuar gjeli sa një dash. Veterineri, Valter Muka: “Shitësit duhet të jenë objektivë”

Festa e Vitit të Ri kërkon që sipas traditës së familjeve shqiptare të natën e ndërrimit të viteve në tavolinat e tyre të jetë domosdoshmërish edhe gjeli i detit. Për këtë arsye qindra qytetarë beratas i janë drejtuar vendeve, ku bëhet shitja e tyre, nëpër tregjet javore, rrugë dhe dyqanet e lagjeve. Numri i gjelave që ka dal në shitje është i lartë, po aq i lartë sa edhe çmimi i tyre. Rritësit e gjelave, të zbritur nga periferitë e qytetit kanë shkuar në tregjet e Beratit me mendimin për të fituar sa më shumë me gjelat dhe pulat e detit, që kanë nxjerrë në shitje. Çmimi i vendosur prej tyre është 8 mijë lekë/kg, peshë e gjallë. Ky është çmim abuziv, shprehen qytetarët e shumtë që iu vijnë anës gjelave. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit qytetarët janë më të varfër dhe si për t’i vënë pikat mbi “i” rritësit e gjelave kanë ngritur çmimin në stratosferë saqë asnjë person nuk afrohet dot për të marrë të paktën një pulë deti, pasi gjeli kushton më shumë për shkak të peshës.
Shitësit
Berati njihet për rritjen e gjelave të detit, si nga cilësia, por edhe nga pesha e tyre. Rritësit e gjelave shprehen se, i kanë rritur me ullinj dhe si pasojë kanë mish të shijshëm. Harxhimi për ne, ka qenë i lartë,- thonë ata, -prandaj ky fakt është reflektuar në çmimin e tij. Një numër i madh gjelash, të cilët kanë zaptuar një sipërfaqe të madhe para ish-merkatos, janë në dispozicion për festën tradicionale të Vitit të Ri, por jo për të gjithë, pasi për shumicën e qytetarëve gjeli është “mollë e ndaluar”, pasi gjendja ekonomike e tyre është e ulët saqë nuk i përgjigjen dot kërkesave që kanë shitësit e gjelave. Këtë javë të fundit të muajit dhjetor të tej mbushur me gjela janë edhe tregjet javore në Urë-Vajgurore, Poshnje, Velabisht, Kutalli, Lumas etj..
Koordinimi
Veterineri Valter Muka, u shpreh se ky çmim është shumë i lartë krahasuar me një vit më parë. “Shitësit e gjelave duhet të jenë objektivë dhe mos të shfrytëzojnë momentin e festës. Çmimi i tyre duhet të koordinojë edhe me gjendjen aktuale të ekonomisë që po kalojnë familjet beratase, të cilat me ato pak të ardhura që marrin nuk kanë mundësi të blejnë gjelin për Vitin e Ri. Ashtu siç po bëhet në Tiranë, ku po monitorohet tregu edhe këtu të ndodh një gjë e tillë, pasi çmimi është abuzivë”, tha Muka. Nga të dhënat paraprake në treg ka patur gjel deti që ka peshuar deri në 15 kilogram. “Atyre nuk u afrohesh dot. Një gjel deti ka shkuar sa një dash si nga pesha, por edhe nga çmimi. Unë ndihem i pafuqishëm ta ble për shkak të çmimit të lartë”, tha 50-vjeçari Ysmet Tare. Gjatë kohës së tregtimit të gjelave nuk kanë munguar as dyluftimet. Gjelat që ndeshen janë nga pesha 10- 15 kg.