Çmimi i gazit nuk njeh limit, rritet 60% nga fillimi i vitit

477
Çmimi i gazit për automjete ka shënuar një tjetër rritje gjatë ditëve të fundit, e treta radhazi që nga fillimi i janarit të këtij viti.
Në pikat e tregtimit të naftës dhe gazit për automjete, një litër gaz tregtohet me 67-74 lekë/litër, teksa në fund të vitit të kaluar çmimi i tij luhatej mes 40-48 lekëve, pra më një rritje rreth 50-60%.
Rritja e parë u shënua që në ditët e para të vitit, duke reflektuar vendosjen e akcizës së gazit, me rreth 10 lekë për litër (8 lekë akciza e gazit, plus TVSH).
Më pas u shënuan dhe dy rritje të tjera, gjatë periudhës së ngricave dhe më e fundit javën e kaluar, duke e çuar rritjen totale në 26-30 lekë për litër, pra me gati trefishin e taksës.
Operatorët e tregut pohojnë se shtrenjtimi i gazit ka refektuar akcizën dhe rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare dhe ka ardhur nga grosistët.
Ndonëse paketa e re Fiskale, e rriti me 8 lekë për litër vetëm akcizën për gazin që do të përdornin automjete, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë dhe ata industrial, duke u shtrenjtuar me minimum 20 lekë për litër.
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur në janar hetimin paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.
Nga monitorimi i Autoritetit konstatohet se në treg ka subjekte që tregtojnë me të njëjtin çmim, sjellje e cila mund të përbëjë shenja të një kufizimi të konkurrencës në shkelje të nenit 4 dhe 9 të Ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Konkurrencën”, i ndryshuar.
Sipas Autoritetit, tregu i GLN-së funksionon në zbatim të ligjit nr. 8450 datë 24.02.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera nënligjore, në të cilin përcaktohen qartë rregullat teknike për tregtimin me shumicë dhe pakicë të GLN- së, rregullat e transportit dhe kushtet në të cilat duhet të instalohet dhe përdoret bombola e GLN- së. Pas hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale 2017 ku parashikohet vendosja e akcizës për kategorinë GLN vetëm për automjetet në vlerën 8 lekë/litër prej datës 1 Janar 2017.
Sigal