“Çmendet” Këshilli Bashkiak i Maliqit”: Shpërblen vetveten pa punuar, vendos të moszbatohen vendimet e KLSH-së

708
Nga Vepror HASANI
Nuk është hera e parë që Këshilli i Bashkisë Maliq, merr vendime në kundërshtim të hapur me ligjet e shtetit shqiptar. Pak kohë më parë vendosi të mbajë si këshilltar z. Viktor Adri (Qyllalli), i cili njëherazi është edhe kryeplak i fshatit, Vashtmi, gjë që nuk e lejon asnjë ligj i këtij vendi. Për këtë arsye, kundër këtij vendimi doli edhe Institucioni i Prefektit të Qarkut Korçë, i cili i kërkoi Këshillit në fjalë, “të marrë në konsideratë dhe të vlerësojnë ligjërisht faktin që z. Viktor Adri në mënyrë të kundërligjshme, ushtron njëkohësisht detyrën e kryetarit të fshatit dhe atë të anëtarit të Këshillit Bashkiak”. Ndërkaq Prefekti i qarkut Korçë i kujtonte këshillit se, “për këtë gjë u jemi drejtuar disa herë zyrtarisht ku kemi bërë të ditur qëndrimin tonë institucional”, por Këshilli i Bashkisë Maliq vijon të mbetet po aq shpërfillës sa edhe më parë. Denoncimi për rastin e mësipërm u bë nga Eqerem Avdolli, banor i fshatit Vashtmi në Korçë. Së fundi mësuam se Këshilli i Bashkisë Maliq ka marrë një tjetër vendim në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit. Për të mësuar çfarë ka ndodhur realisht, vijoni të lexoni informacionin që vjen më poshtë: 
E pabesueshme!
E pabesueshme por e vërtetë: 35 këshilltarë dhe ish-këshilltarë të Bashkisë Maliq, pavarësisht nga fakti, nëse merrnin pjesë në mbledhje ose jo, në fund të muajit që të gjithë e merrnin rrogën të plotë, edhe sikur të kishin qenë në dasmë. Kjo lloj pagese pa qenë në punë është evidentuar që nga dt. 01.01.2013, kur Këshilli i Bashkisë përbëhej nga 15 anëtarë, ndërsa nuk dihet çfarë ka ndodhur para kësaj date. E njëjta situatë ka vijuar edhe pas datës 27.07.2015, kur Këshilli i Bashkisë u bë me 35 anëtarë, ku shpërblimi i këshilltarëve, sipas kësaj praktike ka vijuar deri në dt. 31.12.2015, ndërsa nuk dihet çfarë ka ndodhur pas kësaj date. Saktësisht dihet se nga dt. 01.01.2013 deri në datën 31.12.2015, këshilltarët e Këshillit të Bashkisë Maliq janë paguar rregullisht edhe kur nuk merrnin pjesë në mbledhje. Dëmi financiar për këtë periudhë kohore shkon në vlerën 1,109,856 lekë (të rinj). Mbetet të verifikohet periudha kohore para datës 01.01. 2013 dhe pas datës 31.12.2015, pasi sipas të gjitha gjasave, mund të jenë paguar edhe kur nuk shkonin në punë. 
“Çmendet” Këshilli i Bashkisë Maliq
Shkeljet financiare, për të cilat folëm më sipër, u kapën nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i la detyrë Drejtorisë Ekonomike të Bashkisë Maliq të merrte masa duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative e ligjore për të kërkuar arkëtimin e vlerës 1,109,856 lekë, ndaj 35 këshilltarëve dhe ish-këshilltarëve të Bashkisë Maliq, për sa kishin përfituar shpërblime mujore pa marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak. Mirëpo çfarë ndodhi me zbatimin e kësaj detyre? Këshilli i Bashkisë Maliq mori vendim që rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të mos zbatohen, pasi ata nuk dëshirojnë t’i kthejnë lekët e përfituara padrejtësisht. Nga çdo kënd që ta vështrosh këtë vendim të Këshillit të Bashkisë Maliq, nuk është gjë tjetër veçse një marrëzi, pas vendimmarrja e tij bie në kundërshtim me pikën 2 të nenit 29, të ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimi dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe pikën 69, të UMF nr. 30, datë 27.12.2011“Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”. Veç kësaj, vendimi i Këshillit të Bashkisë Maliq legjitimon pagesën pa shkuar në punë. Kjo është çmenduri.
“Çmenduria” e Këshilltarëve u legjitimua me vendim të Këshillit të Bashkisë nr. 68, datë 20.09.2016 “Për miratimin e kërkesave të këshilltarëve për raportin e KLSH-së, ku vendosën që Kryetari i Bashkisë të mos zbatojë rekomandimet e KLSH-së për mbajtjen e shpërblimeve të këshilltarëve. Për më shumë, këtë vendim, Prefekti i qarkut Korçë me shkresë nr. 844/1 datë 23.09.2016 nuk konfirmoi besueshmërinë ligjore, megjithatë këshilltarët e këshillit të Bashkisë Maliq nuk u tundën nga “istikami” i tyre. Këshilltarët janë të vendosur të mos kthejnë shumën prej 1,109,856 lekë. 
Si u përvetësuan shpërblimet e padrejta?
Nga auditimi i dokumentacionit të Urdhër-shpenzimeve, për pagesat mujore të punës për këshilltarët bashkiakë, rezulton se për gjithë periudhën e përmendur më sipër, (2013-2015) i ishte bashkangjitur urdhër-shpenzimeve për pagesat mujore të këshilltarëve bashkiak, borderoja e pagesave, e firmosur nga kontabilistja, por e pa konfirmuar nga Kryetari dhe Sekretari i Këshillit Bashkiak, veprim ky në kundërshtim me pikën 69 të Udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, kur, siç dihet, Sekretari dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak kanë detyrimin ligjor të konfirmojnë çdo fund muaji listë-prezencën e anëtarëve të këshillit, dokument ky që për të gjithë periudhën e sipërpërmendur nuk u gjet bashkëngjitur dokumenteve të pagesave me bankën. Gjithashtu, borderoja e pagesave, ishte hartuar dhe konfirmuar nga Drejtoria Ekonomike, por nuk ishte e shoqëruar me listë-prezencën për pjesëmarrjen në mbledhje të këshilltarëve, veprim ky në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 29.4.2004 “Për kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”. 
I verifikuar çdo emër
Megjithatë, pas verifikimeve të mëtejshme, referuar protokollit të mbledhjeve rezultojë se për çdo mbledhje mujore, ishte mbajtur procesverbal si dhe në të gjitha rastet, në hyrje të procesverbaleve ishin evidentuar mungesat, sipas emrave të anëtarëve të këshillit bashkiak, por listë-prezenca, nuk merrej parasysh, nëse vinin të gjithë këshilltarët në punë ose jo. Referuar të dhënave, rezulton se janë paguar për punë të pakryer në total 148 pagesa mujore. Pra emrat e këshilltarëve që nuk kanë shkuar në punë janë verifikuar një për një, madje edhe shuma në lekë për gjithsecilin, por këshilltarët kanë dalë në mbrojtje të shokëve dhe nuk mund t’i “tradhtojnë” ata, pasi më të rëndësishëm janë shokët dhe jo ligjet e shtetit! 
Sigal