“Çmendet” Dashamir Xhika, 81 milionë euro për 13 kilometra

473
Pesë vjet më parë, pikërisht në këtë kohë, mbase janë të paktë ata që e kujtojnë lajmin entuziast ku qeveria e atëhershme arriti të tenderojë ndërtimin e Tunelit të Elbasanit me vlerë 40 për qind më lirë se shuma e ofruar për tender. Kompania greke “Aktor” i ka surprizuar të gjithë kur ofroi 8.3 miliardë lekë për ndërtimin e tunelit (rreth 58 milionë euro), teksa Ministria e Transporteve kishte vendosur në dispozicion 15.5 miliardë lekë. Autoritetet e atëhershme thane se vlera e ulët e punimeve ishte rrjedhojë e krizës greke për shkak të së cilës “Aktor” ofroi vlera të ulëta për kontratat e asaj periudhe me qëllim mbajtjen e fuqisë punëtore në punë. Por tani 5 vite më pas situata është ndërlikuar. Shembja e ndodhur në zonën e Ibës në 13 kilometrat e para, duket se ishte një fatkeqësi natyrore në favor të kompanisë. E ndodhur nën presion për lënien e punimeve për shkak të shembjes qeveria shqiptare ka miratuar një fond shtesë që ka çuar koston e projektit për 13 kilometrat e para në 11,2 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro (shih. http://www.ekonomia.gov.al/files/userfiles/Investimet_PBA_2016-2018.pdf), nga të cilat 10.9 miliardë lekë janë kërkuar të financohen këtë vit dhe pjesa tjetër 348 milionë lekë vitin që vjen.

Justifikimet e Ministrisë së Transporteve

Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se shtesat për punimet nga shembja në Ibë janë llogaritur 30 milionë euro. Ndërsa ekspertë të sektorit pohojnë se vlera për meremetimin e saj është shumë e vogël, por shpjegojnë se kompania greke Aktor e ka shfrytëzuar këtë situatë për të kompensuar humbjet që ka pësuar për punimet në tunel. I kontaktuar nga “Monitor.al”, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika tha se tashmë është rënë dakord për shtesën e punimeve dhe përfundimi i tyre kryhet brenda këtij viti. Xhika nuk preferoi të fliste me shifra rreth çështjes, por ka pohuar se tashmë çështja e shembjes është zgjidhur. Vlerësimi i kostove është bërë nga një grup pune i posaçëm, tha ai. Teksa kompania “Aktor” ka harxhuar rreth 58 milionë euro (8,3 miliardë lekë) për ndërtimin e 5 kilometrave tunel duket se kompania ka siguruar 81 milionë euro (11.2 miliardë lekë), për disa kilometra rrugë, vlerë kjo rreth 35 për qind më e lartë se kosto e tunelit.

Shpjegimet e Ministrisë së Ekonomisë

Ish-ministër i Ekonomisë, tani ministër i Financave, Arben Ahmetaj në fund të nëntorit 2015 duke raportuar për investimet publike në Komisionin Parlamentar te Ekonomisë tha se, rruga Tiranë-Elbasan, ishte një projekt i bërë keq. ”Nuk e bëjmë dot. Dua ta ndaj me qytetarët, është një projekt i bërë keq, që nuk i mjaftojnë paratë e dhëna, do gati 50 milionë të tjera euro. Duhet ta themi të vërtetën. Nuk besoj se ka të bëjë me qëllimin e keq sepse nuk besoj të ketë qenë qëllim i keq. Unë besoj që ka qenë një keqmenaxhim i projekti, i bërjes së projekti në radhë të parë, i nxitimit për ta përdorur atë projekte dhe ja ku jemi. Gati 50 milionë euro të tjera për të përmbyllur atë rrugë. Duhen gati 50 milionë euro të tjerë për shkak se projekti nuk ka qenë i bërë mire”, është shprehur ministri Ahmetaj.
Sigal