Çlirim Hoxha/ Si të mos mbytet Shqipëria…

199

Do mbytet Shqipëria sa herë do të bjerë shi me ditë të tëra. Mbyten shtete të fuqishme ekonomikisht, por janë të pafuqishëm përballë forcave të verbra të natyrës. Shqipëria mbytet jo vetëm për shkak të natyrës, se natyra do bëjë punën e saj. Shqipëria mbytet për shkak të papërgjegjshmërisë së njerëzve të saj, të politikanëve të saj, të cilët për 23 vjet me radhë kanë mbyllur sytë përpara babëzisë. Shqipëria pas vitit 90 u kthye në mall pa zot dhe kushdo që gjeti shesh bëri përshesh, vuri dorën në pronën e përbashkët, në pasurinë e përbashkët. Ku ishin demokratët që erdhën nga betejat e luftës kundër komunizmit dhe proklamuan shtetin ligjor, shtetin e së drejtës?! Ç’u bënë heronjtë me dy gishta përpjetë, që na treguan kuotën zero nga duhet të niste udhën e gjatë Shqipëria. Këta, pikërisht këta, i frynë burive të mashtrimit dhe hapën portat e digave të zhvatjes së gjithçkaje që ishte e përbashkët. Shqipëria po pataksej nga shushunjat që ngulnin tentakulat e tyre mbi truallin e saj të bukur. Dhe ja tani, natyra hakmerret dhunshëm, lumenjtë dalin nga shtrati dhe të tregojnë se një herë në 100 vjet mund të të bëjnë gjëmën. Shikoni çka ndodhur në këto 23 vitet e fundit me natyrën. Fshatarët u vërsulën dhe shkatërruan kanalet kullues duke vjedhur pllakat. Fshatarët u vërsulën dhe vodhën tubacionet e ujit të ujësjellësve të fshatrave dhe i montuan në shtratin e hardhisë së tyre. Shkon babai im një herë në fshatin Kalivaç të Tepelenës, aty nga viti 96, tek disa njerëzit e tij dhe shikon se ata mbushnin ujë me gomar në lumin e Vjosës. Fshatarët kishin prishur kanalet dhe vjedhur tubacionet e ujësjellësit dhe ishin kthyer pas në kohë duke mbushur ujë me gomar në Vjosë?! Po kush do ti ndalonte fshatarët, politika e kishte mendjen tek pushteti, pa nami le të bëhej mbi Shqipëri. Lukuni firmash të inerteve u vërsulën mbi shtratin e lumenjve të Shqipërisë në këto 23 vjet dhe zhvatën zhavorrin shekullor, rregullatorin e vetëm të natyrës që frenon hovin e lumit mbi tokën. Pasojat po i shohim tani kur lumenjtë nuk po përmbahen. Shkojnë fshatarët në Novoselë dhe ndërtojnë shtëpi në buzë të lumit apo përgjatë tij dhe askush nuk u thotë STOP! A e dini të nderuar fshatar të Novoselës se të parët tuaj e kishin ngritur fshatin Mifol shumë larg nga Ura dhe Lumi Vjosë, pikërisht për këtë arsye. Për t’u mbrojtur nga vërshimi i lumit në ditë të veçanta dimri, por ju, babëzia juaj nuk pyeti shumë, por shkuat dhe ndërtuat shtëpi në anën e lumit dhe ja tani, këtë punë do të keni sa herë të bëjë dimër dhe të bjerë shi në Gjirokastër, në Përmet, në Tepelenë e deri poshtë tek Ura e Mifolit. A mund të jetohet me frikën e përmbytjeve gjithë jetën?! Vjosa zbret tatëpjetë deri në Myzeqenë e Vlorës, sepse tani e ka më të lehtë të prishë argjinaturat dhe të përmbytë fshatrat dhe shtëpitë që gjen përpara. Mos kujtoni se Vjosa nuk përmbyt në deltën e saj, siç ndodhi në fshatin Darzezë. Deti nuk mund të pranojë një sasi të menjëhershme uji nga lumenjtë e fryrë. Pikërisht për këtë gjë ai thith aq sa të mos i zihet fryma. Po ku janë kanalet kullues në fshatrat e Myzeqesë së Vlorës, si janë hidrovorët dhe kapaciteti i tyre, këtë askush nuk mund ta thotë. Fakti që në Lushnjë dhe në Myzeqenë e saj nuk pati përmbytje, tregon se fshatarët e atyre zonave i kanë ruajtur pasuritë e përbashkëta dhe këta dy vitet e fundit kanë punuar për të shpëtuar tokat nga përmbytjet dhe mbajtur pompat e hidrovorëve në gatishmëri absolute. Por e gjithë kjo panoramë ka të fshehtat e saj të hidhura që duhen riparuar pa humbur kohë. Emergjenca civile duhet të jetë një grupim i gatishmërisë së lartë në çdo kohë dhe moment. U evakuuan me dhjetëra familja nga zonat e përmbytura Vlorë-Fier, por ku u sistemuan ato. A ka vende të posaçme akomodimi Shqipëria në raste të tilla fatkeqësisht natyrore?! Nëse këto 23 vite nuk ka menduar kush për këtë, kjo nuk duhet t’i lihet më spontanitetit. Duhet të përcaktohen drejtë që në rast fatkeqësish natyrore banorët e zhvendosur përkohësisht, duhet të akomodohen në filan shkollë apo konvikt të një qyteti ku ka ndodhur fatkeqësia e natyrës. Kjo shkollë apo konvikt i caktuar si vend akomodimi qysh më parë, duhet të ketë një depo të mbushur me batanije dhe krevat portativ, të cilët duhet të jenë në rezervë dhe gatishmëri 100 vjeçare, sepse fatkeqësia e natyrës mund të ndodh një herë në 100 vjet, por një shtet i vërtetë dhe me burra me mend, i paraprinë me masa të posaçme dhe protokollare situatave të paparashikuara. Po ashtu edhe për bagëtinë në pronësi të fshatarëve, duhet që mjetet e ushtrisë dhe të policisë të jenë në gatishmëri për evakuimin dhe shpëtimin e tyre. Nuk po themi se ushtria dhe policia nuk ishin në gatishmëri për situatën që ndodhi, por grupet e emergjencave civile duhet të evidentohen dhe trajnohen vazhdimisht. Parashikimet meteorologjike dhe shkencore tregojnë se si rezultat të ndryshimeve klimaterike do të ketë herë pas here çrregullime të motit dhe fenomene përmbytjesh në rajonin e Ballkanit, ku Shqipëria nuk bën përjashtim për shkak të papërgjegjshmërisë së njerëzve të saj. Janë prerë pyjet dhe është rritur erozioni, ku po rrëshqasin skarpatet e rrugëve nacionale dhe rurale. Janë gërryer shtretërit e lumenjve dhe është rritur shpejtësia e vrullit të ujit drejtë detit duke shkatërruar argjinaturat dhe marrë përpara çdo gjë. Janë bllokuar kanalet kullues, për të cilët vetëm tani po punohet për pastrimin dhe kthimin e fushave në normalitet. Fusha e Maliqit po tenton të kthehet në origjinën kënetore, megjithëse tani duket se ka një përgjegjshmëri më të madhe nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Shqiptarët dhe Shqipëria është e destinuar të vuaj papërgjegjshmërinë e politikanëve të saj, që për 23 vjet me radhë panë xhepin e tyre dhe jo të këtij vendi. Por, a do të mbajë ndonjëri prej tyre përgjegjësi ligjore një ditë?! Këtë askush nuk mund ta thotë, pasi deri tani nuk është provuar një risi e tillë. Ky shtet që lejoi shkeljen e ligjit në këto vite të demokracisë pa demokraci, duhet të kthejë normalitetin dhe këtë duket se po e bën ekipi i ri qeverisës, i cili vërtetë po merr mbi vete kosto politike, por po bën që shqiptarët më në fund të ndjejnë erën e shtetit të së drejtës.