Cili është sovrani dhe çfarë kërkon shoqata “Bregdeti” nga sovrani?

870
Sigal

Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”

 Në zgjedhjet e datës 23 Qershor 2013, sovrani vendosi rotacionin e pushtetit. Por, cili është sovrani i vërtetë, populli apo personi që do drejtojë pushtetin pasi i fiton zgjedhjet? Drejtuesit e politikës shqiptare kanë quajtur Sovran popullin, por populli është i tillë vetëm në ditën e votimit. Rrjedhimisht për katër vjet pa një ditë “Sovrani” është ai që drejton pushtetin. Kështu është kudo, por gjithçka për popullin përcaktohet se si drejton dhe si sillet personi i zgjedhur me parimet themelore. Nuk ka Sovran, popull apo qytetar të ndershëm, që nuk e do pronën e tij të trashëguar. Nëse filozofinë e lirive dhe të drejtave të njeriut do ta koncentronim në një fjali të vetme, ajo do të ishte respektimi i pronës private prej nga burojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e njeriut.

Për këto katër vjet në vazhdim në drejtim është z. Edi Rama, Partia Socialiste dhe koalicioni për Shqipërinë Europiane që fitoi shumicën e votave. Fakti se procesi i votimit dhe pranimi i rezultateve u bënë të pranueshme sipas modeleve demokratike perëndimore, është një hap i rëndësishëm se u plotësua një prej kërkesave të BE-së të shprehura prej Komisionarit Fyle, por kjo nuk do të thotë se tani Shqipëria plotësoi kushtet që të pranohet vend kandidat në BE. Këtë moment duhet ta analizojnë mirë media dhe analistët politikë dhe ekonomikë, që gjithë këto ditë po komentojnë gjatë në media, pa i dhënë vëmendjen e duhur pronës.

Shqipëria në 1991 përmbysi diktaturën komuniste shfuqizoi kushtetutën komuniste të vitit 1976 dhe me kushtetutë pranoi sistemin demokratik, por në këto 22 vjet nuk populli nuk është në rrugën e demokracisë sipas modeleve euroatlantike. Të gjithë njerëzit, por në mënyrë të veçantë Kryeministri i ri z. Edi Rama dhe kryeministri në largim z. Sali Berisha, duhet të kuptojnë se pa kthyer pronën tek i zoti, nuk ka pranim në BE dhe ky tranzicion i zgjatur është përgjegjësia e të gjithë atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këto 22 vjet. Sali Berisha humbi për shkak të gabimeve të tij, të qëndrimit negativ ndaj pronarëve dhe të përndjekurve politikë. Berisha duhet ta ketë kuptuar se ka gabuar rëndë duke imponuar zbatimin e platformës së Katovicës, se i trajtoi pronat e konfiskuara nga komunizmi si prona në funksion të qeverisë dhe kështu  instaloi korrupsionin me pronat me pasojat që janë të njohura si dhe nuk i dëgjoi asnjëherë kërkesat e legjitime të pronarëve. Tani i takon z. Edi Rama që ta administrojë mirë votën, që t’i japi fund kleptokracisë mbi pronat që kanë zot dhe të heq pengesat për Shqipërinë.

Ndryshimi themelor midis dy sistemeve është qëndrimi ndaj pronës private. Situata e pronës private në zonës turistike denoncon faktin se komunizmi, që dhunoi pronën private për 45 vjet,  në zonat turistike mbijeton në kaos, kleptokraci edhe në mungesë të shtetit ligjor. Është absurde situata aktuale ku Perfekti i Qarkut Vlorë, nuk zbaton ligjet në fuqi, përfshi dhe detyrimin ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë. Janë me mijëra vendime gjykatash të formës së prerë që nuk zbatohen nga Përmbarimi dhe kulmi arrin kur nuk zbatohen as vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Kjo situatë nuk mund të ndodhte as në kohën e monizmit.

Në Shqipëri, populli/elektorati,  i të dy krahëve është i ndershëm dhe historikisht e ka respektuar me rigorozitet pronën private. Situata sot është shumë më keq se në kohën kur zbatohej e drejta zakonore, kanuni apo Kushtetuta e Shkodrës e shekullit XIV, që nuk lejonte që njerëzit të ushqehen me bukë të vjedhur. Në këto 22 vjet pluralizëm politik, është nxitur me të gjitha mënyrat dhe është krijuar një sistem hibrid kleptokratik, ku korrupsioni mbrohet dhe rezulton më i fuqishëm se detyrimet e pushtetit për të zbatuar ligjin dhe detyrimet kushtetuese. Kjo ka dëmtuar  të gjithë popullin, si elektoratin e djathtë dhe të majtë por ju ka interesuar kupolave që quhen parti. Ato pavarësisht nga emërtimet nëse analizohen nuk janë parti por klane që kanë adaptuar fasadën demokratike dhe disa norma të ekonomisë së tregut, që detyrimisht në zbatimin praktik deformohen. Kjo situatë alarmante shtron si për kryetarin e maxhorancë edhe atë të opozitës si detyrë urgjente reformimin e forcave politike të të dy krahëve që ato të bëhen realisht parti të spektrit demokratik, që nuk pajtohen me vjedhjen në emër të ligjit dhe njëkohësisht ta pranojnë detyrimin të respektojnë pronën private konform Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

Që të minimizohen pasojat e këtij menaxhimit të keq të demokracisë në Shqipëri, duhet që ambasadorët e e BE, OSBE, USA të vlerësojnë se praktika e zbatuar deri tani që pronarin e konfiskuar nga diktatura e quan ish-pronar dhe pretendon zgjidhjen e problemit të pronës me kompensim, është rrugë e gabuar me pasoja për vendin. Në këtë pseudodemokraci 22 vjeçare, që nuk i ka respektuar detyrimet kushtetuese për pronën private, kanë ndikuar negativisht sugjerimet e gabuara të Bakës Botërore, sugjerimet apo spekulimet e ekonomistit Henando de Soto, etj. Ne nuk mund të kuptojmë pse studimi i Hernando De Sotos, nuk është bërë dhe nuk bëhet publik, por trajtohet si material rezervë(?!). Të gjitha pasojat vazhdojnë të bien mbi ekonominë dhe popullin që i shkelen të drejtat themelore. Do të ishte ndihmë në kohën e duhur nëse ambasadorët do të vepronin tani, që drejtuesi i maxhorancës dhe ai i opozitës të pranojnë se forcat politike që ata drejtojnë, kanë vepruar gabim me pronarët e shtetëzuar nga diktatura, se problemi i pronës nuk zgjidhet me Planin e Aprovuar, me ligje elektorale dhe kompensime por zgjidhet duke zbatuar parimet dhe detyrimet kushtetuese. Drejtuesi i maxhorancës dhe ai i opozitës duhet të pranojnë se nuk mund të ecet përpara me dy standarde, se shtetasit kanë të drejtë ta gëzojnë me të njëjtin standard pronën si në mal edhe në fushë edhe aq më tepër në zonat turistike, ku pushtetarët e të dy krahëve kanë bërë si ju ka interesuar.

Rruga Europiane ka si parakusht kthimin e pronës tek i zoti dhe nëse kryetari i maxhorancës dhe ai i opozitës dëshirojnë të punojnë në interes të popullit dhe të vendit kjo realizohet menjëherë nëse ata do ti reformojnë partitë e tyre.

Kryesia e shoqatës “Bregdeti” është e bindur se në Kuvendin e porsazgjedhur në të dy krahët e politikës shqiptare ka njerëz të aftë, patriotë dhe të zotë për ta çuar vendin përpara dhe një nga konsensuset Rama-Berisha që duhet të pranohet nga të dy krahët, duhet të jetë: kthimi i pronës si detyrim i shtetit, hapja e arkivave, shfrytëzimi i regjistrave të shtetëzimit komunist dhe i çdo burimi tjetër dokumentar për kthimin e pronës në origjinë, duke respektuar nenin 181 të Kushtetutës, shpalljen e pavlefshmërisë për aktet me të cilat shteti pluralist pas vitit 1991, shpërndau në persona të tretë pronat të cilat nuk ishin prona të shtetit, por prona që Shteti duhet t’i kthente tek i zoti. Duke çliruar pronën private dhe pronën shtetërore nga pushtimi postkomunist, Shteti ka mundësi të kompensojë për pronat që janë tjetërsuar për nevoja publike dhe përsëri për Shtetin mbeten shumë sipërfaqe toke që të organizojë ekonominë shtetërore.

Kryesia e Shoqatës “Bregdeti” shpreh urimet për bllokun e majtë që fitoi zgjedhjet dhe siç ka ofruar zgjidhjen ligjore për problemin e pronës, do të jetë e gatshme të ofrojë ndihmën në terren për zgjidhjen optimale të pronës, pa të cilin ekonomia, turizmi, investimet e huaja private dhe stabiliteti social mbeten të reduktuara dhe të deformuara.