Cilat janë ngjarjet dhe incidentet kryesore me Greqinë fqinje në vite

912
Albert Zholi
Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet e Filatit, Paramithisë, Margëllëçit, Pargës, Gumenicës e Prevezës
Shekulli i 14-të. Ja ç’shkruan Faik Konica në vitin 1940 për “bëmat” e dhespotit grek me emrin Thanas: “Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Siç thotë Dukasi, (një historian grek) një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte, t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni” 

Marshimi për të pushtuar Epirin, 5 tetor 1912
Organizatat greke deklarojnë bashkimin e forcave ballkanike për të mbrojtur territoret nga faktori shqiptar që kërkonte pavarësinë. Veç ushtrisë u organizuan dhe banda të armatosura që qarkullonin fshatrave myslimanë të Çamërisë. Ishte koha kur përpjekjet e Shqipërisë për të shpallur pavarësinë po jepnin frytet e para. Ky mobilizim i shqiptarëve u pa si kërcënim për Greqinë, e cila nisi hapur ofensivën për pushtimin e Vorio Epirit. Emërimi i një guvernatori me origjinë shqiptare në Janinë u interpretua nga grekët si zgjerim i një rreziku shqiptar për marrjen e Janinës dhe krahinave përreth.

Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 20 dhjetor 1912
Kërkesat për pavarësi të shqiptarëve u kundërshtuan, jo vetëm me armë, por dhe në rrugë diplomatike nga ana e Greqisë. Madje përfaqësuesit e shtetit grek në Konferencën e Ambasadorëve në Londër kërkuan që përveç Vorio Epirit, Greqia të aneksonte edhe Vlorën, në portin e së cilës ishte vendosur Flota Helene. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”, ky ishte qëndrimi i delegacionit grek në Londër.

Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, 7 mars 1913
Ushtria greke pas largimit të trupave turke pushton Çamërinë. Gjenerali Deli Janaqis vendos të thërrasë në një takim krerët qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë për të vendosur një marrëveshje. Për disa ditë me radhë, krerët çamë nuk pranojnë kushtet e komandantit grek. Atëherë ai vendos t’i mbledhë për herë të fundit dhe urdhëron vrasjen e 62 kryetarëve çamë. Dhe sikur të mos mjaftonte, dy prej tyre, Fuat Pronjo dhe Suhbi Bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë.

Komisioni i Kontrollit, Shqipëri, shtator 1913
Ndërkombëtarët vendosin të zgjidhin çështjen e Epirit, duke dërguar në terren një komision kontrolli, i cili do të verifikonte pretendimet e grekëve për Korçën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën. Ushtria greke u përpoq që të pastronte rrugën ku do kalonte komisioni nga shqiptarët, madje dhe banesat në disa fshatra u lyen me bojën e flamurit grek. Grupe grekofilësh dërgonin peticione, ku thuhej se Jugu i Shqipërisë nuk duhet të jetë i shqiptarëve. Mes grekëve dhe komisionit u regjistruan dhe incidente.

“Batalioni i Shenjtë”, Andartët, 1913
Konferenca e Ambasadorëve nuk i dha të drejtë Greqisë për pretendimet në Epirin e Veriut dhe urdhëroi tërheqjen e trupave greke. Në këtë pikë nis plani i dytë i Greqisë për pushtimin e tij. Strukturat ushtarake organizojnë “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët.

“Protokolli i Firences”, 17 dhjetor 1913
Është dokumenti që caktoi kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një pjesë e Jugut të Shqipërisë ngeli në territorin grek. Ndërkohë që Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë trungut helen Epiri i Veriut, me disa dhjetëra mijëra minoritarë. Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet e Filatit, Paramithisë, Margëllëçit, Pargës, Gumenicës e Prevezës.

“Grushti i Shtetit”, dhjetor 1913
Ndërsa Evropa pretendoi se e rregulloi përfundimisht çështjen greko-shqiptare, në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar, se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës, Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.

Masakrat në Përmet, 25 shkurt 1914
Masakrat greke nuk u bënë vetëm në zonën që, sipas tyre, i përket Vorio Epirit, por edhe jashtë saj. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës ku i vrau në mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan ku një kronikë e kohës shkruan. “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u prisnin kokat dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë dhe pasi i përdhunuan i vranë me bajoneta”.

Protokolli i Korfuzit, 17 maj 1914
Më 24 prill 1914, Fuqitë e Mëdha njoftuan Greqinë se ishin të gatshme t’iu bënin lëshime ”Vorio-Epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të saj. Qeveria e ndodhur nën një presion të gjithanshëm u detyrua t’ua besonte Fuqive zgjidhjen e krizës. Protokolli parashikoi që Korça e Gjirokastra, edhe pse do ishin në shtetin shqiptar të kishin një administratë të vetën. Për shkak të ndihmës që i dha Italia, Greqia i la ishullin e Sazanit.

“Qeveria” e Epirit të Veriut, nëntor 1914
Qarqet greke u përpoqën që revoltën ta organizonin në një lëvizje për pavarësi të Epirit të Veriut. Për këtë qëllim ish-ministri i Jashtëm grek, Nikollaq Zografi, së bashku me një grup ish-ministrash të tjerë, shpalli krijimin e qeverisë së Vorio Epirit në Gjirokastër. Me ndihmën e Andartëve, Zografi izoloi Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Zyrtarisht qeveria greke nuk e njohu këtë qeveri të re, por nuk hezitoi ta ndihmonte me ushqime dhe me armë.

Incidentet fetare, 1919
Qeveritë e brishta të Shqipërisë kishin arritur të krijonin institucionet e para dhe të ruanin disi integritetin e vendit. Qeveria e Iliaz Vrionit kish arritur të zmbrapste disa sulme të grekëve. Ndërkohë shqetësim ishte propaganda antishqiptare e kishës greke. Rasti më tipik ka qenë ai i Peshkopit Jakov të Korçës. Sipas raporteve ai e kish kthyer kishën në një qendër propagande për Vorio Epirin. Me urdhër të qeverisë Jakovi u largua nga vendi, gjë që solli dhe reagimin e Athinës.

Konferenca e Paqes, Paris 1919
Konferenca e Londrës dhe ndarja e territoreve shqiptare nuk e kënaqën oreksin grek. Në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, kryeministri grek Eleftherios Venizelos kërkon aneksimin e pjesës më të madhe të Shqipërisë. Sipas tij, shqiptarët nuk kishin aftësi shtet-formuese dhe nuk mund të krijonin një qeveri. “Shtetasit grekë në Shqipëri duhet të drejtohen nga qytetërimi i lartë që përfaqëson shteti helen dhe jo nga shqiptarët, të cilët nuk kanë asnjë qytetërim”.

Nesër do të lexoni:
Incidenti për të drejtën e minoriteteve, mars 1921
Shkëmbimi i çamëve me turq, mars 1923
Fan Noli për Çamërinë 22 gusht 1924
Sigal