Sigal

Jakup B. GJOÇA

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në fundmuajin e nëntorit bëri me dije se nga data 1 dhjetor e këtij viti kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare të Vodafone, Telekom dhe Albtelekom, të cilat janë ulur me 17.5% me tarifat ekzistuese dhe pritet të reflektohen në tarifat që paguajnë abonentët.

Vendimi për uljen e tarifave të bisedimeve celulare

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kaloi në një kalvar të gjatë për marrjen e vendimit për uljen e tarifave të cilat duhet të ishin miratuar që në vitin 2016 kur AKEP nëpërmjet Vendimit Nr.2699, datë 01.12.2016, miratoi nxjerrjen në këshillim publik të dokumentit “Analizë e tregut të shërbimeve celulare: tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet individuale celulare – Këshillim Publik”. Ky konsultim publik nuk u konkludua me vendim për uljen e tarifave, të cilat mbeten në fuqi për vitin 2016. Vendimi do shtyhej sërish në vitin 2017 pasi bazuar në kërkesën e Vodafone Albania, Këshilli Drejtues i AKEP në mbledhjen e datës 16.02.2017, vendosi për shtyrjen e periudhës së këshillimit publik të këtij dokumenti. AKEP me shkresën nr.2285 prot., datë 16.12.2017 i kërkoi operatorëve celularë Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom që në vijim të përfundimit të procesit të konsolidimit të tregut celular (me daljen nga tregu të Plus Communication më 1.01.2018), brenda datës 15.01.2018, të depozitojnë komentet finale në lidhje me dy dokumentet e nxjerrë në këshillim publik në Dhjetor 2016. Vetëm pas ndryshimeve në strukturat drejtuese dhe menaxheriale të AKEP u mundësua realizimi i analizave të tregut dhe Bordi AKEP me vendimin Nr.11 datë 22.02.2018 miratoi dokumentin “Analizë e tregut të shërbimeve celulare: tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet individuale celulare – Dokumenti Përfundimtar”. Bordi i AKEP me Vendimet nr.12, 13 dhe 14, datë 22.02.2018 vendosi përcaktimin e sipërmarrësve Vodafone Albania Sh.a., Telekom dhe Albtelecom me Fuqi të Ndjeshme në Treg për terminimin e thirrjeve në rrjetin publik telefonik të lëvizshëm Vodafone Albania dhe vendosjen e masave rregulluese. Pas konsultimit publik të tarifave të terminimit, AKEP vendosi tarifa simetrike terminimi për të tre operatorët, me vendimet 72, 73 dhe 74 të datës 1.10.2018 sipas nivelit maksimal të vlerave dhe afateve të mëposhtëm: Hyrja në fuqi e tarifave të reja të terminimit nënkupton që llogaritjet e operatorëve për pagesat e thirrjeve hyrëse dhe dalëse me shumicë drejt një operatori tjetër (p.sh. nga Vodafone te Telekom Albania) për muajin dhjetor do të llogariten sipas këtyre vlerave të ulura dhe pritet të reflektohen në uljen e tarifave përfundimtare që paguajnë abonentët për thirrjet celulare jashtë rrjetit (të barabarta me ato brenda rrjetit).

Operatorët celularë nuk kanë ulur ofertat për klientët

Kryetari i AKEP u emërua Ilir Zela, nga qeveria e Rilindjes, para disa kohësh, ndërkohë, që Ilir Zela ka punuar edhe në detyrën e ish zv.drejtori i Përgjithshëm i “Albtelecom”. Emërimi i ish-zvdrejtorit të Përgjithshëm të një operatori në krye të AKEP, mund të lindë edhe dyshime për favorizime të mundshme ndaj operatorit ku dikur ka marrë rrogën. Mirëpo, këto mund të mbeten thjesht dyshime, ndërkohë që pas datës 1 dhjetor 2018 operatorët e celularëve në Shqipëri nuk kanë ndryshuar aspak ofertat për pajtimtarët e tyre, sikurse njofton AKEP-i që “ nga 1 dhjetori 2018 do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare të Vodafone, Telekom dhe Albtelekom, të cilat janë ulur me 17.5% me tarifat ekzistuese dhe pritet të reflektohen në tarifat që paguajnë abonentët”.

Gazeta “Telegraf” nëpërmjet telefonit 069 …30 pyeti edhe operatorin Vodafon në numrin e komunikimit me klientët 140 dhe përgjigja që dha operatori celular është se nuk do të ndryshojë asnjë tarifë për pajtimtarët e vet, sepse nuk ka marrë asnjë njoftim nga AKEP.

Për cilat interesa punon AKEP?

Natyrshëm na lindin pyetjet, nga përgjigja që na dha operatori Vodafon:

-Për cilat interesa punon AKEP?

-Të operatorëve celularë?

-Apo për shqiptarët?

-Përse AKEP duhet të rregullojë me ligj tarifat midis operatorëve, kur ato nuk reflektohen në përfitime për shqiptarët?

Përgjigja e kryetarit të AKEP ndaj gazetës “Telegraf”

Gazeta “Telegraf” iu drejtua kryetarit të AKEP Ilir Zela për të marrë një përgjigje, përse operatorët celularë në Shqipëri, Vodafon, Telekom Albania dhe Albtelecom nuk kanë ulur tarifat për pajtimtarët e tyre. Kryetari i AKEP Ilir Zela u përgjigj: “Në 1 dhjetor kanë ndryshuar tarifat e interkoneksionit operator me operatorët, jo tarifat e pajtimtarëve. Është në të drejtën komerciale të operatorëve të ndryshojnë tarifat e pajtimtarëve. Tarifat e pajtimtarëve i caktojnë operatorët vetë, jo AKEP.”