CIA në Vietnam dhe skandalii “Watergate”

895
Nga Dr. Bledar Kurti

Presidenti Johnson dhe Vietnami
Pas vrasjes së Kenedit në 22 Nëntor, 1963, Lyndon B. Johnson mori detyrën e Presidentit të SHBA. Johnson tregoi një interes për Vietnamin që prej fillimit të presidencës së tij. Sikurse edhe paraardhësi i tij, ai i mbështeti manovrat e CIA-s në Vietnam me bindjen se, nëse dorëzohej Vietnami, pjesa tjetër e Azisë Juglindore do t’i nënshtrohej pa asnjë dyshim mbizotërimit komunist. I quajtur “Efekti domino” prej Presidentit Eisenhower në vitin 1954, ky koncept ishte ngulitur shumë thellë në mendjen e politikë-bërësve. Presidenti i ri ishte më pak i interesuar për veprimet e shërbimit sekret në Vietnam, sesa për operacionet e saj të fshehta. Johnson nxiti CIA-n të bënte lëvizje të shpejta për të shkundur personelin në Saigon. Në Nëntor 1963, Presidenti aprovoi NSAM-273 që autorizonte planizimet për rritjen e aktivitetit ushtarak kundër Vietnamit të Veriut. Johnson iu drejtua Departamenteve të Shtetit dhe të Mbrojtjes që të vlerësonin “mohimin e mundshëm” nga Shtëpia e Bardhë pavarësisht përfshirjes sekrete amerikane në Vietnam. Këshilltarët që Johnson mbajti nga personeli i Kennedit kishin interes për suksesin e politikës së ndërhyrjes amerikane për të forcuar qeverinë e Vietnamit të Jugut. Ata besonin se braktisja e angazhimit amerikan në Vietnam do të përbënte një hap mbrapa në Luftën e Ftohtë. Incidenti i Gjirit të Tonkinit, ku dy destrojerë amerikanë u sulmuan nga vietnamezët e veriut në lidhje me një operacion të fshehtë (OPLAN 34-A), ofroi një mundësi për një rezolutë që kërkohej prej muajsh nga Johnsoni. Sekretari i Shtetit, Robert McNamara, dëshmoi para Kongresit që të dy destrojerët (Maddox dhe C. Turner Joy) ishin sulmuar. Destrojerët i ishin afruar bregut njëmbëdhjetë milje në një operacion vëzhgimi duke provokuar marinën e Vietnamit të Veriut të sulmonte. McNamara duket qartë që nuk tregoi të vërtetën kur ai i siguroi ligjvënësit që destrojerët po lundronin në ujëra ndërkombëtare dhe po kryenin një patrullim rutinë. Të dyja dhomat kaluan Rezolutën e Gjirit të Tonkinit, më 6 Gusht 1964, e cila i dha mbështetjen e kongresit për presidentin që “të përgjigjet menjëherë me përdorimin e duhur të forcës për të zmbrapsur çdo lloj sulmi të paprovokuar kundër forcave të Shteteve të Bashkuara.” Kongresi autorizoi gjithashtu, në rast të kërkesës së çdo vendi të Azinë Juglindore, “të gjitha masat që përfshijnë përdorimin e forcave të armatosura për të asistuar kombin në mbrojtje të pavarësisë së tyre politike dhe integritetit territorial kundër agresionit dhe subversionit.” Autoriteti i jashtëzakonshëm i dhënë nga Rezoluta nuk kishte afat kohor. Më vonë Johnson do ta përdorte këtë për të përligjur rolin e zgjeruar jashtë mase të Amerikës në luftë. Në 28 Korrik, 1965, Johnson njoftoi për dërgimin e trupave shtesë në Vietnam. Shtetet e Bashkuara ishte plotësisht në luftë. Gjatë viteve 1966 dhe 1967 numri i ushtarëve amerikanë në Vietnam u rrit nga 190.000 në 535.000. Gjatë konfliktit të Vietnamit, CIA ishte injoruar edhe pse shërbimet e zbulimit dhe vlerësimet për ngjarjet ishin më realistet. Vlerësimet e Agjencisë ishin në pjesën më të madhe as të mirëpritura dhe as të përvetësuara nga politikë-bërësit, dhe CIA pak mund të thoshte për ngjarjet, sepse shumica e operacioneve ishin shndërruar në operacione ushtarake. Ndikimi i shërbimit sekret në zbulimin e vendimeve për të shkallëzuar rolin e Amerikës në luftë ishte i papërfillshëm. Rezistenca e administratës së Johnsonit për gjykimin e CIA-s ndodhte për shkak të faktit që politikë-bërës të rëndësishëm kishin pikëpamje të tjera. Për më tepër, këshillimi presidencial i Drejtorit të Përgjithshëm të CIA-s nuk përshinte Vietnamin, dhe këshilla e tij kishte pak ndikim të dukshëm në vendimet e politikës së Presidentit. Johnson nuk përfshiu kurrë Drejtorin e Përgjithshëm të CIA-s, John McCone, mes këshilltarëve të tij më të afërt për Vietnamin. Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s kishte pikëpamje të ndryshme nga ato të presidentit, së paku në lidhje me mënyrat dhe mjetet e zbatimit të politikës. Ai i shprehu pikëpamjet e tij në këtë mënyrë: “Mendoj se ajo që jemi duke bërë në nisjen e një rruge e cila përfshin operacione të forcave tokësore… (do të thotë) një angazhim gjithnjë e më i madh i personelit të SHBA-së pa përmirësuar materialisht shanset e fitores… Në fakt, do ta gjejmë veten në kurthin e luftës në xhungël në një përpjekje luftarake që nuk mund ta fitojmë, dhe prej së cilës do të kemi vështirësi të jashtëzakonshme për të dalë.” Pavarësisht nga mungesa e ndikimit të CIA-as, Programi Phoenix tregonte që CIA ishte përfshirë jashtëzakonisht në Vietnam. CIA organizoi sulme guerile kundër Vietnamit të Veriut, dhe këto operacione ishin në shkallë të gjerë dhe një pjesë e rëndësishme e përpjekjes së përgjithshme e luftës amerikane. Lufta e Vietnamit ilustron faktin që CIA ishte në atë kohë një armë e degës ekzekutive, nën autoritetin e Presidentit, i cili e shikonte Agjencinë me skepticizëm, pavarësisht nga aktiviteti i mirë zbulues që kishte kryer. 

Rëndësia e Luftës së Vietnamit ishte thelbësore në dhënies fund të “epokës së besimit” për shërbimet sekrete. Ajo u bë një konflikt që nuk mund të mbahej më shumë sekret, rrjedhimisht nisi të përfshinte publikun, shtypin dhe Kongresin. Në periudhën e Vietnamit, kohë kur zotëronte një atmosferë cinizmi ekstrem dhe dyshimi mbi qeverinë, fshehtësia nuk konsiderohej një instrument i nevojshëm për të praktikuar zbulimin dhe inteligjencën, por si mjet me anë të cilës zbulimi dhe inteligjenca mund të fshihte të pabërat e saj dhe maskonte aktivitetet e saj të errëta. Në fakt, vetë fshehtësia e nxiste një pikëpmaje të tillë. 
Presidenti Nixon – Operacioni KAOS 
Pasi opinioni publik u kthye kundër pjesëmarrjes së SHBA në luftën e Vietnamit, amerikanët reflektuan thellë mbi vendimet e marra në vitin 1965. Në vitin 1971, kur New York Times botoi pjesë nga historia e Pentagonit për vendimmarrjen amerikane në Vietnam, e cila mori emër në mënyrë popullore si Letrat e Pentagonit, ku u ekspozuan disa nga operacioneve të fshehta të CIA-s, “hendeku i besueshmërisë” kundrejt CIA-s dhe ekzekutivit u rrit ndjeshëm. “Hendeku i besueshmërisë” i cili ishte thelluar gjatë administratës së Johnsonit dhe u zgjerua gjatë Nixonit bëri që segmente të mëdha të popullsisë të bëheshin dyshuese për agjencitë e qeverisë në përgjithësi dhe e shtyu shtypin drejt një qasjeje më hetuese dhe armiqësore mbi aktivitetet e qeverisë. CIA sigurisht nuk bënte përjashtim. Për shkak të fshehtësisë e cila rrethonte aktivitetet e CIA-s, ajo ishte objektivi më i cenueshëm. Richard Nixon hyri në Shtëpinë e Bardhë në Janar të vitit 1969. Në takimin e parë të Niksonit me këshilltarin e tij të ardhshëm të sigurisë Henry Kissinger, pas triumfit në zgjedhje, ai e denoncoi CIA-n si “Liberalët e Ligës së Fildishtë që i ishin kundërvënë gjithmonë politikisht.” Përveç dyshimit të tij të përgjithshëm për liberalët e Langley-t, Nixon u kap pas teorisë absurde që Agjencia kishte komplotuar për të bërë që ai të humbiste në zgjedhjet presidenciale me Keneddin në vitin 1960. Ai ishte gjithashtu i bindur që “faktorët komunistë” qenë të një rëndësie të madhe, dhe ishte skeptik për vlerësimin e zbulimit që arrinte në një përfundim të ndryshëm nga mendimi i tij. Sikurse Johnsoni, Presidenti Nixon ishte i bindur që disa njerëz dhe organizata ishin nën ndikimin komunist dhe të financuara nga burime komuniste. Më 23 janar, 1969, ai urdhëroi që Këshilli Kombëtar i Sigurisë të ndërmerrte një studim global të revoltës së studentëve. Ditën tjetër, pas raportimeve të televizionit për demonstratat e studentëve nga Parisi në Tokio, ai udhëzoi: “Dua që të kem analizat e detajuara të CIA-s për faktorët komunistë që turbullojnë rininë.”I përballur me andrallat mosbesuese që nxori Presidenti, mënyra e vetme me anë të së cilës CIA mund të justifikonte mospajtimet e brendshme të cilat nuk ishin pjesë e një komploti ndërkombëtar komunist, ishte të zgjeronte vazhdimisht spektrin e Operacionit “Kaos”. Operacioni “Kaos” daton në vitin 1967 dhe e kishte zanafillën tek administrata e Johnsonit. Në këtë kohë, Presidenti Johnson u përball me një lëvizje të shpejtë popullore kundër-luftës, nga demonstrata të shumta protestuesish, rebelimet e përgjakshme dhe një stuhi bombardimesh dhe akuzash politike. Duke u ndjerë i përgatitur për betejë në Shtëpinë e Bardhë, ai urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të CIA-s, Richard Helms, për të zbuluar nëse kishte ndonjë financim të huaj apo manipulim prapa lëvizjes kundër-luftës apo prapa ndonjërës prej grupeve radikale dhe disidente të shoqëruara me të. “Kaos” ishte emri i koduar i këtij projekti, i cili ishte themeluar për të spiunuar qytetarët amerikanë. Në përpjekjet për të provuar lidhjen midis disidentëve amerikanë dhe agjitatorëve të huaj, CIA hartoi 13.000 dosje, ndër të cilat 7.200 për amerikanë, dhe kishte nevojë për një sistem kompjuterik të quajtur HYDRA, për të hartuar treguesit e të dhënave nga hetimet për njerëz dhe organizata. Projekti, i realizuar nga një personel prej 52 vetash, ishte Top-Sekret edhe brenda vetë Agjencisë. Nën/programet Merrrimack dhe Rezistenca u krijuan brenda Operacionit “Kaos”, për të infiltruar grupe paqësore dhe aktivistë të lëvizjes me qëllim marrjen e informacionit nëpërmjet tyre. 
Vijon nesër…
Të gjitha grupet apo organizatat që konsideroheshin radikale ose ekstremiste ishin objektiv i hetimit të CIA-s. Ato përshinin Koalicionin e Popullit për Paqe dhe Drejtësi, Komitetin Kombëtar të Paqes në Veprim, Grevën e Grave për Paqen, Panterat e Zeza, Panterat e Bardha, Nacionalistët e Zinj, Grupet e Lirisë, Studentët për Shoqëri Demokratike, Unioni i Rezistencës dhe Revolucionit. Madje edhe lëvizjet e grave për liri iu nënshtruan hetimit. 
Në mesin e vitit 1969, CIA ishte nën trysni shumë më tepër sesa në kohën e Johnonit pasi duhej të minimizonte dyshimet e Presidentit Nixon për Agjencinë. Operacioni Kaos ishte ilegal dhe kundër statutit të CIA-s. Në seksionin 103 d (1) deklarohej që Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sekret “duhet të grumbullojë të dhënat e zbulimit nëpërmjet burimeve njerëzore, me përjashtim të rastit kur Agjencia nuk ka polici apo fuqi për të vënë në zbatim ligje apo funksione të sigurisë së brendshme.” Paligjshmëria e asaj që CIA po urdhërohej të bënte u njoh brenda Agjencisë nga disa prej pak njerëzve në dijeni të ekzistencës së Kaosit, gjë për të cilën protestuan. Vërejtjet u bënë por ato u hodhën poshtë. Ajo ishte direktivë e presidentit dhe funskioni i CIA-a ishte t’i shërbente Presidentit. 
Skandali i Watergate
Nëse Operacioni “Kaos” u realizua me pretekstin e sigurisë kombëtare, skandali i Uatergejtit e vuri Shtëpinë e Bardhë dhe CIA-n përballë një publiku dhe shtypi të zemëruar. Më 17 Qershor, 1972, ndodhi hyrja pa leje në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat, me qëllim, vendosjen e disa çimkave përgjuese. Nga shtatë njerëzit e përfshirë në skandalin e Watergate, pesë prej tyre punonin për CIA-n. Dy prej tyre, James McCord dhe Howard Hunt, ishin veteranë njëzetë- vjeçarë të Agjencisë. Për më tepër, Agjencia kishte pajisur Huntin dhe kolegët e tij me pajisje dhe shërbime për projekte të mëhershme. 

Brenda ditëve të skandalit të Watergate presidenti Nixon kishte vendosur të përdorte CIA-n për të mbuluar shkallëzimin e skandalit, i cili në fund të fundit do të shkaktonte dorëheqjen e tij. Natën e 20 Qershorit, Shefi i Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, i telefonoi Nixonit për t’i sugjeruar rritje të shumës së parave për “mbrojtësit” duke përdorur maskimin kuban për paratë. Ai në mënyrë indirekte sugjeroi trysni të mundshme mbi CIA-n që kubanët të ishin të gjithë nga Gjiri i Derrave në mënyrë që çështja kësisoj të trajtohej sipas mbrojtjes së emërtimit të “sigurisë kombëtare”. Në 23 Korrik, Nixoni ra dakord për një skemë në të cilën Agjencisë i urdhërohej të bllokonte hetimet e FBI-së, e cila ishin përgjegjëse për hetimin e Watergate. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sekret, Richard Helms, bëri çfarë ishte e mundur për të ndaluar hetimet, por u katandis i pushuar nga Nixoni pas zgjedhjeve dhe u dërgua si ambasador në Iran. Helmsi po e distanconte me kujdes Agjencinë nga Watergate dhe për shkak të kësaj, Nixoni e pushoi atë dhe emëroi James Schlesinger si shefin e ri të CIA-s. Roli real i CIA-s dhe motivimi në Watergate mbeti një mister, por ata ishin pa dyshim aty. Nixoni u përpoq të blinte heshtjen e grabitësve duke i paguar ata, madje duke premtuar zbutje të masave kundër tyre, ndërkohë që CIA u mbulua nga mosbesime dhe dyshime të mëtejshme. Të dy Presidentët, Johnson dhe Nixon erdhën në pushtet me armiq të rëndësishëm. Kongresi, media, burokracia federale, protesta në rritje dhe organizimi i reformave të vitit 1960-të, të gjithë ishin armiq të administratës. Sulmet ndaj ekzekutivit vinin nga katër blloqe madhore pushteti në Washington: shtypi, burokracia, Kongresi, dhe komuniteti i shërbimeve sekrete. Më në fund, ishte shtypi, më i egër se të tre blloqet e tjera bashkë, që bëri çfarë ishte e mundur për ta rrëzuar Nixonin. Ai kishte qenë armiku i tyre për dekada të tëra. Kur Richad Nixoni dha dorëheqjen në Gusht të vitit 1974, SHBA mbylli një nga kapitujt më traumatikë në historinë e saj. Gjatë skandalit të Watergate, amerikanët ishin shokuar nga krimet e ndodhura gjatë presidencës së Nixonit. Besimi i publikut te qeveria ishte lëkundur. Megjithatë, pa kaluar as katër muaj në 22 Dhjetor, reporterët e New York Times bënë publike që krimet e qeverisë shkonin përtej Watergate-it. Kësaj here kundërshtari ishte CIA. Gazetari Seymour Hersh, i New York Times, pretendonte që CIA, në kundërshtim me ligjet në fuqi të SHBA-së,, kishte grumbulluar dosje për 10.000 qytetarë, kishte kryer hyrje të paligjshme në institucione, si edhe kishte bërë përgjime telefonash dhe kontroll të letrave postare. Kjo histori e pazakontë doli të jetë njëra prej të shumtave. Për tetëmbëdhjetë ditë të tjera, NY Times publikoi tridhjetë e dy histori që kishin të bënin me CIA-n. Hetimet e mëvonshme vërtetuan që të gjitha historitë ishin të sakta. Artikujt e Hersh-it tërhoqën vëmendje mbarëbotërore. Shtëpia e Bardhë, Kongresi dhe publiku reaguan menjëherë ndaj historisë. Presidenti Gerald Ford, i cili zëvendësoi Nixonin pas dorëheqjes së tij, kërkoi të bëhej një hetim i plotë për çfarë kishte bërë publike NY Times. Menjëherë pasi kishte në dorë raportin, Fordi emëroi një komision blue-ribbon të drejtuar nga Zëvendës/Presidenti Nelson Rockfeller për të hetuar më tej akuzat. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të pa ndalur nga komisioni presidencial, krijuan komitete të veçanta hetimi brenda dy muajve. NY Times e nisi ta quante atë periudhë të keqe për Agjencinë si “viti i shërbimeve sekrete” dhe “biri i Watergate”. Edhe një herë tjetër, CIA ishte sërish nën shënjestër. 


Sigal