CIA dhe Kongresi Amerikan, 1974-1975

633
Dr. Bledar Kurti
Në një konferencë shtypi të datës 16 Shtator, 1974, presidenti Ford mbrojti me guxim aktivitetet e shërbimeve sekrete në një mënyrë të tillë që presidentët e mëparshëm nuk kishin guxuar ta bënin. Për herë të parë, Fordi pranoi ekzistencën e një Komiteti të Sigurisë Kombëtare, atëherë të njohur si “Komiteti i të dyzetëve”, i cili kishte rishikuar për më shumë se dy dekada programet e fshehta, para se ato t’i jepeshin presidentit për miratim. Fordi gjithashtu bëri të ditur që komitete të rëndësishme të Kongresit ishin informuar vazhdimisht për secilin program të fshehtë.

Asnjë qeveri nuk e kishte pranuar ndonjëherë që ishte duke kryer operacione të fshehta, aq më pak të përshkruante mënyrën se si i rishikonte ato. Pranimi publik nga Presidenti për operacionet e fshehta siguroi një vatër të re për sulme ndaj shërbimeve sekrete. Brezi i ri i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatorëve ishin vazhdimisht dyshues për motivet e Ekzekutivit. Fraza “shkeljet e CIA-s”, maskonte kritikat e tyre për konceptin e operacionit sekret dhe ndaj CIA-s si simbol i rolit të Amerikës së Luftës së Ftohtë, të cilës ata ishin të vendosur për t’i dhënë fund. 

“Kongresi luftarak i 94”, sikurse quhej, ishte zgjedhur në nëntor të 1974-ës, pikërisht tre muaj pasi presidenti Nikson kishte dhënë dorëheqjen. Dhjetë senatorë të rinj fituan në zgjedhje vendet në Senat por ndryshimet më të mëdha ndodhën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky ishte Kongresi Post-Watergate me anëtarë të rinj dhe madje disa shumë të vjetër të ngazëllyer nga pushteti që kishin për të rrëzuar një president, dhe jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj shtypit dhe presioneve të publikut. Hetimi i shërbimeve sekrete ishte kthyer në luftë politike, një shesh-betejë midis Kongresit dhe Presidentit, dhe me një CIA që kishte nevojë për ndihmë. Dy dhomat e Kongresit kishin pikëpamje të ndryshme në lidhje me gjerësinë e reformave të nevojshme. Senati shprehte dëshirën e pjesës më të madhe të shtypit për të stabilizuar institucionet dhe vendosjen e mirëkuptimit Ekzekutiv-Kongres. Por shumë anëtarë të Dhomës, më shumë të ndikuar nga ndryshimet në kulturën politike, u përpoqën të mbanin shpirtin e Watergate dhe kufizonin rreptësisht të gjitha format e fshehtësisë në qeveri. Këto qasje të ndryshme, do të çonin në rezultate të ndryshme gjatë dy hetimeve të Kongresit. Komiteti i Senatit u drejtua nga Senatori Frank Church ndërsa komiteti i Dhomës u drejtua nga Përfaqësuesi Otis Pike. Këto komitete çuan në hetimet e shërbimeve sekrete dhe një mbikëqyrje më të afërt nga Kongresi. Për më tepër, ata krijuan një numër rekomandimesh për ri-organizimin dhe ri-grupimin e Bashkësisë së Shërbimeve Sekrete. 
CIA nën Hetimin e Komitetit të Senatit
I krijuar pas zbulimeve sensacionale për komplotet e vrasjeve politike të organizuara nga CIA, Komiteti i kryesuar nga Senatori Frank Church kishte një mandat shumë më të gjerë se sa Komisioni Rockfeller i ngritur më parë nga Ekzekutivi, duke shkuar përtej CIA-s në të gjitha agjencitë e zbulimit. Ai përqendrohej në shkeljet sesa mbi çështjet organizative apo të menaxhimit të saj. Shumë prej sesioneve ekzekutive të tij iu përkushtuan komploteve të hamendësuara të vrasjeve politike, kundër udhëheqësve të huaj. Në seancat e veta dëgjimore, fokusi i Komitetit Church, ishte në operacionet sekrete, ku nuk gjeti abuzime. Përkundrazi, të gjitha veprimet e bashkë-quajtura Track II në Kili ishin sipas procedurave të vendosura politike dhe ishin paraqitur tek komitetet e caktuara të mbikëqyrjes nga Kongresi. Çështja ishte se kryetari dhe anëtarë të rëndësishëm të shumicës së Senatit ishin parimisht kundër operacioneve sekrete, dhe mund të justifikonin veten përballë të zgjedhurve të tyre vetëm duke nxjerrë plotësisht në publik atë që kishin hetuar. Kështu që, teksa përshkruante saktësisht qëllimet e përgjithshme të programit të fshehtë të CIA-s, raporti final i Komitetit Church përfshinte një vështrim historik të metodave dhe burimeve, dhe identifikonte shumë prej grupeve dhe individëve që kishin ndihmuar CIA-n. Individë, që kishin mbështetur CIA-n në mirëbesim ishin kompromentuar rëndë, dhe aftësia e CIA-s për të rekrutuar njerëz për operacione në të ardhmen u dobësua jashtë mase. Pas seancave të gjera dhe shumë të mediatizuara, komiteti bëri afro 183 rekomandime në raportin e tij final, të lëshuar më 26 Prill, 1978. Rekomandimi themelor ishte që legjislacioni të dekretohet për të deklaruar qëllimet themelore të aktiviteteve edhe të përcaktojë marrëdhënien ndërmjet aktiviteteve të zbulimit dhe Kongresit. Duke kritikuar paqartësinë e Aktit të Sigurisë Kombëtare të vitit 1947, komiteti nxiti përdorimin e grafikëve për shumë agjenci zbulimi në të cilat përcaktoheshin strukturat organizative dhe procedurat, rolet dhe përgjegjësitë themelore. Një numër rekomandimesh reflektonin pikëpamjet e komitetit mbi rolin e duhur të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në drejtimin dhe monitorimin e punës së agjencive të zbulimit. Objektivi i dukshëm i saj ishte të inkurajonte një proces më formal, me përgjegjësi të ngarkuar ndaj zyrtarëve të nivelit të kabinetit. Komiteti arriti në përfundimin se operacionet sekrete duhet të kryhen vetëm në bazë të miratimit të autorizimit presidencial pas lajmërimit të komiteteve të duhura kongresuale. Në lidhje me operacionet sekrete, komiteti rekomandoi ndalimin e vrasjeve politike, përpjekjeve për të shkatërruar qeveritë demokratike, dhe mbështetjen për policinë dhe forcat e tjera ndërkombëtare të sigurisë që ushtrojnë dhunim sistematik të të drejtave të njeriut. Vëmendje iu kushtua rolit të Drejtorit të Përgjithshëm të CIA-s brenda bashkësisë së zbulimit. Komiteti rekomandoi që Drejtori i Përgjithshëm të njihet me status si këshilltari kryesor i Presidentit për zbulimin e huaj dhe që ai duhet të jetë përgjegjës për vendosjen e kritereve kombëtare të shërbimeve sekrete dhe përgatitjen e buxhetit kombëtar për inteligjencën, dhe sigurimin e udhëzimeve për operacionet e shërbimeve sekrete. Komiteti i drejtuar nga senatori Church e lau veten deri diku duke bërë një numër propozimesh në Kongres, të cilat formuan bazën e organizimit modern të shërbimit sekret, dhe e përmbylli raportin e tij me përfundimin që “Agjencia Qendrore e Inteligjencës“ ishte në terma të përgjithshëm “jashtë kontrollit”. Por, gjatë seancave dëgjimore të Komitetit dega e ekzekutivit ishte e alarmuar dhe e frikësuar. Shumë prej pjesëtarëve të administratës së Fordit u bindën që Church po kryente një hetim sensacional, të pandërgjegjshëm që duhej kontrolluar. Por, personi që alarmoi më shumë ekzekutivin ishte Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s vetë, William Colby. Colby e kishte kuptuar nevojën për ndryshime brenda CIA-s.
– Vijon –
Sigal