China State Construction do të ndërtojë Rrugën e Arbërit

535
Sigal

Kompania kineze China State Construction engrg.corp.ltd do të ndërtojë Rrugën e Arbërit. Kjo u bë e ditur për ATSH-në nga burime nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Një ditë më parë, vet ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, tha se punimet për ndërtimin e rrugës së Arbërit, konsideruar si rruga e dytë e rëndësishme në vend pas Rrugës së Kombit, do të nisin brenda muajit prill. “Besoj se brenda muajit prill do miratojmë ligjin përkatës për akordimin e kontratës së Rrugës së Arbërit kompanisë kineze, e cila paraqiti ofertën”, tha ministri. Ende nuk janë bërë publike detaje të ofertës së paraqitur nga kompania kineze China State Construction.
 
Qeveria shqiptare nënshkroi në mesin e muajit dhjetor të vitit që lamë pas memorandumin e bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e disa projekteve në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë i këtij bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës planifikohej Rruga e Arbërit. Rruga e Arbërit është rrugë në ndërtim e sipër e cila do të lidhë Tiranën me Maqedoninë. Në fund të muajit dhjetor përfundoi edhe shpimi i tunelit të Qafës Buallit, pjesë e Rrugës së Arbërit. Tuneli ka një gjatësi prej 464 m. Ky tunel është tuneli i parë, që po ndërtohet nga një kompani shqiptare. Rruga e Arbërit përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës nga ana e Tiranës, duke dalë në anën e Matit në luginat malore të Xibrit e Gurit të Bardhë, në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës dhe pasi kalon luginën e Planit të Bardhë dhe tunelin e Qafës së Buallit, del në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit deri sa del në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës dhe për të vazhduar deri në Dibër të Madhe.
 
Kush është kompania China State Construction Engineering Corporation: 
CSCEC u themelua në vitin 1957 si një kompani shtetërore. Kompania ka një profil ndërkombëtar në ndërtimin e industrisë së rëndë dhe të infrastrukturës në Azi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Me inkurajimin e ndihmës kineze e qeverisë dhe financimin nga Eksport-Import Bank e Kinës, CSCEC ka ndërmarrë hapa gjithnjë e më të guximshëm si një ndërtuese dhe investitore e projekteve jashtë shtetit. Kjo është kompania më e madhe e ndërtimit në vendet në zhvillim. CSCEC ka zgjeruar biznesin e saj në mbi 29 vende të vendit me krijimin e 29 degëve në të gjithë botën. Ajo gjeneron rreth 800.000 vende pune për shoqërinë çdo vit./ATSH/