Chelsea, vajza e ish -Presidentit Bill Klinton dhe ish-sekretares së Shtetit, Hilari Klinton zbret në Butrint

201

EKSKLUZIVE NGA SARANDA/ Vizita e vajzës së ish -Presidentit është konsideruar private, nuk është shoqëruar nga autoritetet shtetërore

Një ngjarje e rrallë dhe e këndshme i ra për pjesë, dje qytetit antik të Butrintit, i cili ka pritur vajzën e ish- Presidentit Bill Klinton dhe ish-sekretares së Shtetit Hilari Klinton. Vajza e tyre, Chelsea erdhi në qytetin turistik së bashku me bashkëshortin. Padyshim, për banorët vendas, ky emocion do të mbahet mend gjatë, sepse ishte një rast i mirë që sarandjotët dhe shqiptarët t’i shprehnin mirënjohjen, vajzës së familjes së nderuar presidenciale, që ka bërë aq shumë për Shqipërinë. Qyteti antik i Butrintit, 20 Km në jug të Sarandës ka qenë më i vizituari ditët e fundit. Vetëm ditën e shtunë, 10 gusht, parkun kombëtar të këtij qyteti e kanë vizituar 1500 vizitorë. Por dita e diel ka pasur një vizitor të veçantë e të jashtëzakonshëm që do të përmendet në vizitat e rralla të këtij qyteti antik shqiptar. Sipas informacioneve ekskluzive për gazetën “Telegraf” bëhet e ditur se, për dy orë ka vizituar mjediset e këtij qyteti në një vizitë private vajza e miqve të pazëvendësueshëm historik të shqiptarëve, Bill e Hilari Klinton, Chelsea, së bashku me bashkëshortin e saj Marc Mezvinsky. Vajza e ish-Presidentit të 40-të të SHBA-ve dhe ish-sekretares së Shtetit, ka qenë në këtë vizitë private, por ekskluzive për Butrintin e shoqëruar edhe nga drejtori i këtij parku dhe gazetar i “Zërit të Amerikës”, Rajmond Kola. Znj. Klinton, mësohet se është interesuar për qytetin antik, gërmimet arkeologjike dhe investimet që kryhen. Por vizita e saj, meqenëse është konsideruar private, nuk është shoqëruar nga autoritetet shtetërore. Butrinti, kështu regjistron edhe një vizitë tjetër të klasifikuar “VIP” dhe të rrallë. E veshur sportive, me një kapele të thjeshtë të kokë, Chelsea e shoqëruar nga Lordi Rothschild ka kërkuar të njihet më historinë mijëravjeçare të Butrintit. 33-vjeçarja e lindur më 27 shkurt të vitit 1980 është martuar me Marc Mezvinsky, 35-vjeç në vitin 2010. Dasma e tyre u cilësua si “dasma e shekullit”.