Çfarë provash ka në dorë Prokuroria për 4 të arrestuarit

557
Sigal

Prokuroria e Krimeve të Rënda do kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 të arrestuarit si të përfshirë në grabitjen e 9 Prillit në Aeroportin e Rinasit.

Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli dhe Saimir Çela janë të arrestuarit e parë për grabitjen e 6.5 milionë eurove.

Gjyqtari Bibë Ndreca ditën e Martë në orën 12:30 do të vendosë për fatin e 4 të arrestuarve.

Organi i akuzës i përfaqësuar nga Arenc Çela, Besnik Muçi dhe Klodian Braho do të relatojnë para gjykatës të gjitha provat që kanë kundrejt 4 të dyshuarve. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se provat kryesore janë përgjimet telefonike midis të pandehurve dhe nga këqyrja e qindra orëve të kamerave të sigurisë.

Oltian Veseli dyshohet se ka ndihmuar grabitësit e tjerë që të largohen nga vendi i ngjarjes me një tjetër makinë. Ndërsa pjesa tjetër kanë bërë modifikimin e furgonit më mbishkrimin “Hetim Tatimor”. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë shoqëruar edhe dy vëllezërit e tjerë të Oltian Veselit, Ardit dhe Ermal Veselin. Vëllezërit do të hetohen edhe për pasurinë, nëse kanë apo jo burime të ligjshme për krijimin e saj.

Sipas burimeve nga organi i akuzës Ermal Veseli është pronar i një picerie në zonën e Fushë-Krujës e cila quhet , “Pizzeri Kupa Hallall”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dyshime të forta se Oltian Veseli ka lidhje me Dash Kupën,  i cili është dënuar për vjedhejn e parave në vitin 2017.

Ndaj 4 të arrestuarëve rëndojnë akuzat e “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, “Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.