Çfarë llum opozite në Parlamentin e sotëm!

564
Sigal

Njerëzit që morën mandatet që dogji PD dhe LSI si akt reagimi ndaj qeverisë “Rama”, kishin sot një mundësi të artë për të rrëzuar çdo akuzë dhe sulm ndaj tyre. Ata mund t’u thoshin shqiptarëve se i morën mandatet për t’i shërbyer demokracisë dhe jo për të degjeneruar totalisht bashkë me qeverinë “Rama”, por dolën se ishin një llum dinjiteti e kulture.

Rudina Hajdari, Kujtim Gjuzi, Ralf Gjoni, Selami Jenisheri e shumë të tjerë që vijojnë të jenë anonim në Kuvend humbën mundësinë, në mos të ishin opozita, të paktën të ishin qytetarë të lirë. Me ndonjë përjashtim të vogël, të gjitha prurjet e reja në Kuvend treguan se janë në ato karrige për pazare personale.

Në fjalimet e tyre, akti i Presidentit të Republikës sulmohej njëlloj si Edi Rama. Tentativa e kreut të shtetit për të mos destabilizuar vendin dhe për të shmangur viktimat, etiketohej nga “opozitarët” njëlloj me gjuhën e Elisa Spiropalit. Përpjekja e Presidentit për të zgjidhur krizën më të rëndë politike me dialog, u përqesh me fjalorin idiot dhe pa sens të Taulant Ballës. Nëse ndokush kishte dyshime se deputetët e rinj udhëzoheshin për fjalimet  dhe qëndrimet e tyre nga Taulant Balla, një foto e shkrepur në barin e Kuvendit gjatë seancës, tregon se Sekretari i PS-së ka nën kontroll edhe gjithë deputetët e rinj të Kuvendit.

Ja shikoni nga foto se sa me pasion e ndjekin Taulant Ballën.

Edhe pse e gabuar, ishte zgjedhje e tyre të godisnin PD dhe LSI duke u zënë vend në Kuvend dhe duke vijuar të mbanin në këmbë qeverinë “Rama”. Ishte zgjedhje e tyre edhe të shajnë krerët e partive që i vendosën në lista duke sabotuar gjithë kauzën opozitare. Edhe pse qëndrimet e tyre janë amorale, deri këtu kemi të bëjmë me një film që është parë dhe riparë disa herë në skenën politike. Por vënia sot në rresht të PS dhe Ramën, në kulmin e krizës më të rëndë politike në vend është  jo thjesht amorale, por anti-kombëtare.

Opozita nuk është vetëm te siglat e partive, por është nocion mbi të gjitha qytetar. Çdo njeri që nuk ka interesa ekonomike direkte me Rilindjen  e kupton se ajo çfarë po bën Edi Rama nuk është zbatim i ligjit, por çmenduri me kosto të rëndë për Shqipërinë. Një qytetar normal, a më tepër këta që thonë se do të jenë zëri i opozitës së re në Kuvend, sot nuk do rreshtoheshin tek lëpirërsit e pushtetit të Edi Ramës. Nuk do rreshtoheshin jo sepse diskutohet shkarkimi i Ilir Metës, por sepse sot ishin dëshmitarë okularë dhe autorë të një grushti shteti dhe vrasjes së institucioneve.

Pavarësisht gabimeve politike, çdo deputet i ardhur nga listat e opozitës që ishte në atë sallë duhet të tregonte se ishte aty për të mbrojtur qytetarët që nuk mendojnë si Rama dhe PS. Por me qëndrimet e tyre ja kaluan edhe deputetëve të PS, duke dhënë shfaqen më të shëmtuar politike.

Por tek e fundit askush nuk priste ndryshe. Në Kuvend hynë për të mbajtur në këmbë regjimin e Ramës dhe sot na provuan se ky është i vetmi qëllim politik i tyre. Të gjithë e dinim që nuk ishin deputetë të opozitës, por tashmë kuptuam se nuk janë aq qytetarë të lirë në vendimet që marrin. Janë disa emra më shumë në llumin e njerëzve që po shkatërrojnë përfundimisht demokracinë.