Çfarë do të shohë Kryeministri nga maja e kullës së Filo-Peleshit në Korçë

769
Sigal

 Në qytetin e Korçës, atje ku çudirat nuk kanë të sosur!

Kulla që po ndërtohet në qytetin e Korçës te sheshi para teatrit “Andon Zako Çajupi” po shkon drejt përfundimit. (Në mbyllje të vitit gjithçka do të jetë gati). Nga shumë banorë të këtij qyteti thuhet se, ditën e përurimit do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama. Shumëkush mendon kështu nga që ai ishte në Korçë edhe në ditët kur nisën të hidheshin themelet e kësaj “vepre madhështore”. Kështu e quajnë drejtuesit e bashkisë Korçë. Sipas terminologjisë së tyre, ndërtesa nuk do të quhet “kullë”, por do të pagëzohet me emrin “obelisku panoramik”. Kështu tingëllon edhe më bukur.  Korça e ka patur dikur një kullë, por ajo quhej “Kulla e hirit”; emri i saj kumbonte mjaft shëmtuar. Tashmë nuk do të jetë më kështu. Fatmirësisht “Kulla e hirit” nuk ekziston më. Ajo u shkatërrua shumë vite më parë ashtu siç u shkatërruan shumë hane, hotele, kazino tavëhane, dyqane dhe ndërtesa të tjera të vjetra karakteristike të qytetit të Korçës, të cilat ishin pjesë e pazarit të tij, i cili daton  që nga viti 1468, kur themeluesi i qytetit, Iljaz bej Mirahori vuri gurin e parë në themelet e xhamisë, 546 vjet më parë. Për disa, ato kishin një kumbim të shëmtuar. Kjo që po ndërtohet do të jetë e bukur dhe elegante, 33.5 metra e lartë. Do të ndërtohet aty edhe një shatërvan me një sipërfaqe prej 350 metrash katrorë, i cili në stinën e dimrit do të funksionojë si pistë patinazhi. Gjithë sipërfaqja ku do të shtrihen punimet do të jetë 30.000 metra katrorë, pra, gjithkush e kupton se çfarë madhështie do të marrë sheshi para teatrit “Andon Zako Çajupi”. Vlera e projektit shkon në 240 milionë lekë (të rinj). Kjo është dhe arsyeja pse njerëzit mendojnë se ditën e përfundimit të kësaj vepre do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri. Kjo tingëllon edhe më bukur. Megjithatë, pavarësisht nga çfarë trumbetohet prej Kryebashkiakut aktual, Sotiraq Filo dhe zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi, i cili është ideatori i kullës, për ne kjo e ashtuquajtur “vepër madhështore” nuk është tjetër gjë veçse një kullë mashtrimi. As ardhja e Kryeministrit Edi Rama, (nëse do të vijë), nuk mund ta fshehë dot këtë të vërtetë që kumbon thekshëm me zërin e saj

Përse kjo kullë?

Sipas kryetarit aktual të bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, “obelisku panoramik” do t’u ofrojë qytetarëve dhe vizitorëve një këndvështrim të zgjedhur të pjesës tradicionale të qytetit”. Pra, e thënë edhe me shkoqur, për ndërtimin e obeliskut gjithë vëmendja paska qenë e përqendruar në gjetjen e një këndi të veçantë nga ku do të shihet pjesa “tradicionale” e qytetit. Por cila është “pjesa tradicionale” e qytetit? Çfarë kuptojnë zotërinjtë Filo-Peleshi me “pjesë tradicionale”? Mos vallë me “tradicionalen” kanë parasysh pjesën më të vjetër të Korçës?  Po ku shtrihet kjo pjesë e vjetër? Mos ndoshta përmes majës së kësaj kulle të ashtuquajtur “obelisk panoramik” do të përpiqen t’u mbushin mendjen të huajve dhe vendasve të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë se “pjesa tradicionale” fillon nga bulevardi “Shën Gjergji” e shtrihet drejt kopshtit “Themistokli Gërmenji”? Po të jetë kështu, atëherë “obelisku panoramik”, nuk është gjë tjetër veçse një obelisk mashtrimi dhe kjo tingëllon shumë shëmtuar. Askush nuk mund të mashtrohet nga trillime të tilla dhe aq më pak të huajt. E gjitha kjo është një komedi. Për këtë arsye, te ndërtimi i kësaj vepre 240 milionëshe nuk mund të gjesh dot asnjë lloj fisnikërie. Dhe kjo është sërish po kaq e shëmtuar. As ardhja e Kryeministrit të vendit, Edi Rama, ditën e përurimit, nuk mund t’i bëjë dot të vërteta ato që janë kaq dukshëm mashtrime. Dhe sigurisht, kjo nuk kumbon aspak bukur, sepse paratë janë të shqiptarëve dhe jo të zotërinjve Filo-Peleshi.

E vërteta

E vërteta është vetëm një: nga kulla e Filo-Peleshit mund të shihen vetëm pallatet e ndërtuara me kontribut vullnetar gjatë kohës së diktatorit Hoxha dhe asgjë më shumë se kaq. Jo zotërinj, Filo dhe Peleshi, Korça ka vetëm një pjesë të vjetër dhe ajo është “Kasabaja” ose e thënë ndryshe qyteti i Korçës që shtrihej dhe shtrihet ende në krah të majtë të lumit, (kur lumi ekzistonte),  pasi në të djathtë të tij shtrihej fshati Peskëpi, (e mori këtë emër sepse fillimisht kishte patur 5 shtëpi, pesë-skëpi), i cili më vonë do të merrte emrin “Varosh”, ku jetonin banorët ortodoksë, dhe kjo pjesë që Filo-Peleshi e quajnë “tradicionale” nisi të krijohet shumë e shumë kohë më vonë. Sigurisht, ne do ta sqarojmë hap pas hapi. Dhe kjo do të jetë një gjë e mirë për të gjithë ata që vërtet nuk e dinë, por edhe për ata që hiqen sikur nuk e dinë. Ku i dihet, mbase i vijmë në ndihmë edhe Kryeministrit që të dijë si dhe pse po shpenzohen 240 milionë lekë, (të rinj doemos). Po mesa duket,  ku ka “vepra madhështore”, ka edhe para me thasë!

Ku është tradicionalja?!

Nëse ka drejtues bashkie që nuk e dinë ku është “pjesa tradicionale” e qytetit, ne mund t’u vijmë modestisht në ndihmë. Pjesa, që zotërinjtë Filo-Peleshi, përpiqen ta quajnë “tradicionale”, nisi të krijohet së paku 384 vjet më vonë nga dita e themelimit të qytetit të Korçës, (1486). Nuk doni ta besoni? Atëherë ne po ju servirim fakte. Sipas dëshmive historike, së paku deri në vitet 1860, në të majtë të lumit shtrihej vetëm qyteti i Korçës dhe më të djathtë të tij vetëm fshati Peskëpi me dy lagjet e tij: “Mitropolinë” dhe lagjen “Penço” që shtrihej nga ana e lumit. Përtej “Kasabasë” dhe Peskëpisë nuk kishte asgjë tjetër. Ajo çfarë do të shihet tani e tutje nga e ashtuquajtura “obelisk panoramik”, (kur ai të jetë i përfunduar), 140 vjet më parë nga sot, nuk ishte gjë tjetër veçse një moçalishte e mbytur në ujë, burime, mushkonja dhe ujëra të zeza që vinin nga pjesa e sipërme e banuar e fshatit. Gjithashtu, moçalishtja përdorej edhe për kullotjen e mushkave, kuajve dhe gomerëve. (Gomari ishte kafsha më e përdorshme nga banorët). Pjesët më të kulluara të moçalishtes mbilleshin me bostane, ndërsa aty ku balta ishte gjithnjë me tepricë e nuk mbaronte kurrë, poçarët (banorë të Peskëpisë), përpiqeshin të prodhonin dhe të shisnin poçe. Ndërtimi i banesave në këtë sipërfaqe të mbuluar nga uji as që nuk mund të mendohej, pasi jeta mbi këtë vend nuk mund të ishte e sigurt, ashtu siç nuk është  e sigurt as sot e kësaj dite. Rënia e tërmeteve ishte dhe mbetet një tmerr real për këto lagje që u ndërtuan mbi moçalishte. (Edhe për këtë do flasim shkurt pak më poshtë). Pra, deri në këtë kohë, në këtë vend, nuk kishte asgjë: as “tradicionale”, as “karakteristike”,  as “të re” dhe as “të vjetër”, as “banesa të bukura” dhe as “karakatina”. E çuditshme është se  përveç bostaneve që kultivoheshin, aty nuk mungonte kurrë as një lukuni qenësh që gjezdisnin nëpër moçalishte në kërkim të gjahut, të cilët, (nuk dihet pse), kohë pas kohe tërboheshin dhe bëheshin të rrezikshëm për banorët. (Ndoshta një herë tjetër do të shkruajmë edhe për tërbimin e qenëve). Pra, a nuk është e kuptueshme që ndërtimi i kullës ka vetëm një qëllim: “të shesë” “Varoshin” si lagjen më të vjetër të Korçës?! Ndaj e gjitha kjo s’është asgjë tjetër veçse një turp që kushton plotë 240 milionë. Dhe kjo tingëllon mjaft shëmtuar.

Gazeta “Adriatiku” 

Megjithatë, për të mos lënë asnjë grimë dyshimi mbi të gjitha këto që pohuam më sipër, po sjellim një dëshmi që e kemi nxjerrë nga gazeta “Adriatiku”. Kjo dëshmi i është dhënë gazetës në vitin 1917 nga një i moshuar prej Korçe, i cili, së paku, deri në këtë kohë ka qenë gjallë. Sipas kësaj dëshmie, dt. 9 shkurt 1917, rreth vitit 1860, “në xhadenë e “Shën Gjergjit” ishte një përrua i thellë, që atje kullonin ujërat dhe si zbriste afër kazinosë (viti 1917), merrte më të mëngjër e derdhej në lumë”. Pra, siç e shihni, deri në këtë kohë, nuk ka ekzistuar as bulevardi “Shën Gjergji”. Gjithsesi, dëshmia vijon: “Që nga shtëpia e Cales dhe gjer në “Shën Gjergj” ishin bostane. “Gjeni-mëhalla” që quhet ishin ara, sikurse edhe “Barç-mëhalla”, (ishin ara)”. Pra, edhe nga kjo frazë kuptojmë më së miri se lagjet e “Varoshit” nuk ishin krijuar ende. Megjithatë, vijojmë më tej me dëshminë në fjalë: “Shën Gjergji” (ishte) një kishë e vogël fort dhe në hapësirë, sikurse janë kishat e katundeve”. Pra, vini re, informacioni na sjell edhe një fakt tjetër: kisha e “Shën Gjergjit”, fillimisht nuk ka qenë ajo që shohim sot nëpër fotografi, por një kishëz e vogël si të gjitha kishat e katundeve të vegjël. Ndërkaq le të vijojmë sërish me dëshminë e përmendur më sipër: “Ku qëndron kazinoja sot, (viti 1917), ishte poçaranë dhe më tej s’kishte as farë magazine. Pra, më qartë s’ka si bëhet e më shkoqur s’ka si thuhet: lagjet e “Varoshit” të fshatit Peskëpi deri në vitin 1860 nuk ekzistonin. Vijojmë sërish me dëshminë që i është dhënë gazetës “Adriatiku” nga i moshuari: “Pazari dhe tregtia bëheshin në çarshi të vjetër që quhej mëhalla nga peshku dhe rrotull”.  Kjo do të thotë se tjetër gjë ishte qyteti i Korçës ku banonin banorët myslimanë dhe tjetër gjë ishte Peskëpia ku banonin ortodoksët. Mbi të gjitha, qartësohet fakti se “pjesa tradicionale” për të cilën flasin Filo-Peleshi, nuk ekzistonte. Ajo është vetëm një sajesë e tyre për t’i bërë karshillëk “Kasabasë”, qytetit real të Korçës. Pra, në vitin 1860,  kur “Kasabaja” ose më konkretisht qyteti i Korçës kishte mbushur 374 vjet që nga dita e themelimit të tij, (1486), lagjet e “Varoshit”, e përsërisim, nuk ekzistonin as nëpër ëndrra. Në ëndrra mund të ketë ekzistuar vetëm “tradicionalja” e Filo-Peleshit, të cilët ia trumbetuan Kryeministrit si një nga veprat më të ndershme të qytetit të Korçës, por që sigurisht është më e turpshmja.

Kur u krijuan lagjet e “Varoshit”?

Deri në vitin 1860 dihet saktësisht që lagjet e “Varoshit” (“Gjeni-mehalla”, “Mano”, “Manço”, Qiro etj), nuk ekzistonin. Sipas të gjitha gjasave, krijimi i tyre duhet të ketë zënë fill pas shpalljes bashki të qytetit të Korçës më 1870, pasi në vitin 1888, drejtori i shkollave greke në Korçë, Karmici, e përmend “Varoshin” te libri i tij “Gjeografia e Korçës dhe e Rrethit”, Selanik, 1888. Po kështu, lagjet e “Varoshit” përmenden edhe nga studiuesi Nuçi Naçi më 1901, te libri i tij: “Korça dhe fshatrat përqark”, Sofje 1901. Megjithatë këto mëhalla nisën të marrin jetë pas rindërtimit të kishës së vogël të “Shën Gjergjit”, më 1905, e cila tashmë u bë shumë më e madhe, më e lartë dhe me një arkitekturë më elegante. Ishte koha kur po bëheshin përpjekje që edhe fshati Peskëpi të bëhej pjesë e qytetit të Korçës. Për këtë arsye tregtarët myslimanë për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve ortodoksë, ndërtuan me shpenzimet e tyre rrugën që lidhi kishën e “Shën Gjergjit” me pazarin e Korçës, duke e shtruar atë edhe me kalldrëm. (Ky fakt gjendet i shkruar në kodikun e madh). Pikërisht në këtë kohë, mbi lumin që ndante qytetin e Korçës nga fshati Peskëpi, u ndërtua dhe një urë e madhe prej guri me qemer, e cila pati si qëllim lidhjen e lagjeve të “Varoshit” që sapo kishin filluar të krijoheshin, me pazarin e Korçës. Në krahun e djathtë të urës, e cila u ndërtua diku aty pranë ku po ngrihet kulla e Filo-Peleshit, (nga ajo anë që shtriheshin lagjet e tyre), ortodoksët për herë të parë nisën të ndërtonin dyqanet dhe kafenetë e tyre. Pra, edhe ata, më në fund, pas 419 vjetësh nga themelimi i qytetit, (1486-1905), nisën të bëhen pjesë e pazarit të Korçës. Megjithatë, “Varoshi”, pa asnjë dyshim, do të kishte mbetur një lagje e vogël dhe e papërfillshme, nëse ushtria greke nuk do të kishte hyrë në Korçë në dhjetor të vitit 1912. Gjatë viteve 1913-1914 e në vijim, ata i vunë zjarrin pazarit të Korçës, i dëbuan myslimanët nga qyteti, dogjën fshatra të tëra dhe masakruan mijëra njerëz. Gjatë çdo masakre, andartët grekë mblidhnin gjithë ortodoksët e fshatrave të djegur dhe i sillnin në Korçë, sepse mendonin që sa më shumë ortodoksë të mblidhnin aty, aq më të lehtë do ta kishin bashkimin e këtij qyteti me Greqinë. Sigurisht, hesapet nuk i kishin bërë mirë. Veç kësaj, nuk kishin llogaritur faktin se qyteti i Korçës rrethohej se paku nga 100 mijë banorë të krahinës, që e urrenin për vdekje politikën aneksioniste të Greqisë. Pra, janë pikërisht këto vite që krijuan lagjet e Varoshit. Ndërsa sot, zotërinjtë Filo-Peleshi, përpiqen t’ua shesin banorëve të vjetër të Korçës, turistëve të huaj, vizitorëve vendas, madje edhe Kryeministrit Rama, sikur “Varoshi” na qenka “pjesa tradicionale” e qytetit të Korçës. Kjo jo vetëm është e turpshme, por edhe qesharake njëkohësisht. Gjithsesi, ende nuk kemi përfunduar. Më poshtë do të sjellim fakte të tjera, të cilat do të lënë lakuriq qëllimin e ndërtimit të kësaj kulle.

Faktet

Që “Varoshi” u krijua nga ortodoksët e mbledhur nga ushtria dhe andartët grekë, kjo nuk ka asnjë dyshim. Për ilustrim mund të sjellim vetëm disa fakte. Nga letra që Kristo Dako i dërgonte më 21 maj 1914, Presidentit amerikan Willson mësojmë mjaft:  Ja çfarë thuhet në letrën e tij: “Në fshatin Selenicë të Kolonjës ishin djegur 60 shtëpi, dhjetë prej të cilave janë shtëpi të të krishterëve, pjesa tjetër myslimane. Të gjitha shtëpitë myslimane, me përjashtim të katër, janë djegur më 1 maj. Të gjithë të krishterët janë marrë me forcë nga trupat greke…”. Vini re me kujdes, ortodoksët rrëmbehen nga ushtria dhe diku i çojnë… Por për ku vallë?…  Po i referohemi përsëri letrës së Dakos: “Bezhani, fshat i krishterë shqiptar, 90-100 shtëpi, vetëm një shtëpi është djegur. Aktualisht vetëm tri familje jetojnë atje dhe rreth 20 gra të moshuara . Pjesa tjetër e popullsisë është marrë me forcë nga trupat ushtarake greke…”. Po në këtë letër gjejmë edhe një sërë rrëmbimesh të tjera të banorëve ortodoksë:  “Zgorovoda, 38 shtëpi gjithsej, nga të cilat 28 të shqiptarëve të krishterë dhe pjesa tjetër e shqiptarëve myslimane. Të gjitha shtëpitë shqiptare myslimane janë djegur, popullsia shqiptare e krishterë është me forcë nga trupat e rregullta greke…” Ja edhe një shembull tjetër për të mos u zgjatur më shumë: “Kreshova, fshati me 26 shtëpi, prej të cilave 7 i përkasin shqiptarëve myslimanë, pjesa tjetër e shqiptarëve të krishterë. Të gjitha shtëpitë e shqiptarëve myslimane janë djegur. Dy shtëpi i përkasin shqiptarëve të krishterë, të cilët ishin, Lazo i ëmbëltores dhe Thani i Kreshovës, janë djegur. E gjithë popullsia e krishterë është marrë me forcë nga ushtria greke…”. E njëjta gjë ndodhi edhe me banorët e fshatrave të Vakëfeve (zona e Panaritit) . Që të gjithë u sollën në Korçë. Edhe sot e kësaj dite ata mbajnë mbiemrat e fshatrave të tyre: Orgockë, Grabockë, Trebickë, Panarit, Katund etj. Ardhjen e banorëve nga fshatrat e djegur e gjemë edhe te libri i studiuesit Pirro Thomo te libri i tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 32, Tiranë 2012.
Korça shtohet me 10.000 banorë!
Ortodoksët e mbetur pa shtëpi, e gjetën veten mes katër udhëve. I vetmi vend, ku mund të ndërtonin kasollet e tyre në qytetin e Korçës ishte moçali ku mbilleshin bostane, ku rridhnin ujërat e zeza, ku kullosnin kuajt, mushkat dhe gomerët, dhe ku lukunia e qenve gjezdiste nëpër moçalishte për të gjetur gjahun e vet. Gjithkush e dinte se, në atë vend nuk mund të ndërtoheshin shtëpi sepse ishte me rrezik, por tokë tjetër për truall nuk mund të gjenin dot. Mund të duket e pabesueshme, por fakti është se Korça gjatë viteve 1913-1914 e më pas u shtua me më shumë se 10.000 banorë. Duke dashur të jemi sa më të vërtetë dhe realë në faktet dhe pohimet tona, po sjellim një pjesë nga studimi i Pirro Thomos, marrë nga libri i tij, i përmendur më sipër. Ja çfarë shkruan ai: “… Në vitin 1859 Korça numëronte 10.000 banorë”. Këtu po ndalemi të bëjmë një sqarim të vogël. Vini re: Korçës i ishin dashur 428 vjet që nga dita e themelimit të saj, (1486-1914) që të kishte një popullsi prej 10 mijë banorësh, ndërsa do të shihni më pas se popullsia e qytetit rritet si me magji edhe me 10.000 banorë të tjerë. Vijojmë më tej me studimin e Thomos: “… Në fillim të shekullit XX, popullsia e këtij qyteti kishte arritur në 15.000 banorë, kurse më 1923, arriti në 25.598 banorë dhe të jetë qyteti më i madh i Shqipërisë”. Pra, popullsia është shtuar me 10.598 banorë, gjë që del në pah nga regjistrimi i vitit 1923, pasi para këtij viti nuk ka patur regjistrime të popullsisë. Çudia është e madhe dhe pyetja jonë është kjo: si është e mundur një rritje kaq e shpejtë prej rreth 10.598 banorësh? Përgjigjen e marrim përsëri nga studiuesi Thomo: “Ky numër kaq i madh, sqaron ai, ka përfshirë edhe shtesën e popullsisë së fshatrave të djegur gjatë luftërave ballkanike e botërore që gjetën strehë në Korçë”. Më 1927 numri i banorëve të Korçës zbriti në 19.491, pasi një pjesë e të ardhurve u kthyen përsëri në fshatrat e tyre. Thomo nuk i përmend ortodoksët e rrëmbyer nga andartët, por gjithashtu nuk fsheh faktin që banorët e ardhur janë nga fshatrat e djegur nga ushtria greke. Kjo është e vërteta e krijimit të lagjeve të “Varoshit”, që zotërinjtë Filo-Peleshi dëshirojnë të na i prezantojnë si “pjesë tradicionale” të qytetit,  e cila u krijua katër shekuj me vonë nga qyteti i Korçës (1486-1870). Megjithatë, fakte të tjera do të na japin mundësinë të kuptojmë se nga kulla e Filo-Peleshit ne mund të shohim vetëm shtëpitë e ndërtuara me punë vullnetare gjatë kohës së diktatorit Hoxha. Dhe kjo do të na bindë përfundimisht se shumë herë më e denjë ka qenë “Kulla e hirit” në lagjen “Radanec” se sa  kulla e Filo-Peleshit  që po ndërtohet, e cila ka për qëllim vetëm mashtrimin. Edhe pse po shpenzohen 240 milionë lekë, sërish mashtrimet nuk do të shndërrohen dot asnjëherë në të vërteta..

Ujërat e zeza dhe qentë e tërbuar

Megjithëse që nga vitet 1905, kur u rindërtua kishëza e vogël e “Shën Gjergjit” e deri në vitin 1930 kishin kaluar 25 vjet, lagjet e “Varoshit” nuk kishin arritur të zgjeroheshin më shumë se deri aty ku sot gjendet lulishtja “Themistokli Gërmenji”, që do të thotë një shtrirje jo kushedi se çfarë, po të kemi parasysh faktin se mes shtëpive ekzistonin ende arat e bostaneve dhe livadhet e kafshëve. Për të ilustruar këtë të vërtetë ne zotërojmë edhe një fotografi të vitit 1915. Megjithatë, banorët e ardhur nga fshatrat e djegur vazhdonin të banonin mes ujërave të zeza dhe lukunisë së qenve që tërbohej kohë pas kohe. Ata përpiqeshin të jetonin me kultivimin e bostaneve. Varfëria dhe mjerimi ishte mundimi i përditshëm i tyre, pa përjashtuar edhe sëmundjet që përhapeshin. Gazeta “Zëri i Korçës”, 26 gusht 1930 shkruante: “Prapë po dëgjojmë ankime kundër bashkisë sonë që nuk merr masat e duhura kundër bostanxhinjve, të cilët përdorin ujët e gjirizeve për vaditjen e bostaneve. Nga ana tjetër na thonë që nga shkaku i epidemisë diarea që është përhapur në këtë qytet janë zarzavatet”. Ndërkohë, “Gazeta e Korçës” e 25 shkurtit 1928 bënte të ditur: “Para pak ditësh një qen i vogël i tërbuar, në qytetin tonë kafshoi në dy-tri ditë e sipër tetë veta, të cilët me shpenzimet e bashkisë së këtushme u dërguan në laboratorin e Durrësit për shërim. Emrat e të kafshuarëve janë: Angji  Lubonja, 15 vjeç, Stavre Papa, 18 vjeç, Nuçi Shipcka, 50 vjeç, Vita Koço, 14 vjeç, Vangjel Dhami, 10 vjeç dhe Viktor Naumi, 45 vjeç…” Lajmërime të tilla ishin gati të përjavshme. Madje në këtë kohë filluan të vinin edhe lajme të tilla që bënin fjalë edhe për tërbimin e gomerëve. Kjo ishte gjendja reale në lagjet e “Varoshit” në atë kohë.

Tërmeti i vitit 1931

Ato shtëpi që u ndërtuan nga ortodoksët gjatë viteve 1914-1931 mbi moçalishte, erdhi një ditë dhe u shkërmoqën të gjitha. Moçali u lëkund nga tërmeti dhe përpiu gjithë shtëpitë e ngritura me aq mund. Ishte 28 janari i vitit 1931. Që faji kishte qenë i moçalishtes u tha në atë dimër të frikshëm edhe nga specialistët e kësaj fushe. E vërteta u bë edhe më absolute kur u mësua fakti se në lagjet e “Kasabasë” (qytetin e Korçës) dëmtimet kishin qenë minimale, madje as në lagjen “Radanec”, në shtëpitë e varfra të romëve dhe egjiptianëve nuk kishte patur dëme të mëdha, ndërsa në lagjet e “Varoshit”, përveç shtëpive u dëmtua edhe kisha e “Shën Gjergjit”, e cila vlerësohej si një nga ndërtimet më të sigurta, më të forta e më të qëndrueshme të kohës. Nuk mbeti e padëmtuar as kisha e vllehve, “Shën Sotiri”. Nga  “Gazeta e Korçës”, 12 shkurt 1931, mësojmë se  numri i shtëpive të dëmtuara gjithsej shkoi në 2.830, pothuajse të gjitha shtëpitë e ndërtuara mbi moçal ishin dëmtuar. Po nga kjo gazetë mësojmë gjithashtu se 80 banesa  ishin rrafshuar, 350 të tjera ishin bërë të  pabanueshme, 400 ishin dëmtuara rëndë, 2000 të tjera kishin pësuar dëmtime të lehta. Sipas të njëjtës gazetë, dëmtimet në vlerë monetare, në franga ar, ndaheshin në këtë mënyrë: lagjja “Penço”, 150.635 franga ar; lagjja “Barç-A”, 796.670 franga ar; “Barç-B”, 36.180 franga ar;  “Radanec”, 37.049 franga ar; “Qoshk”, 62.050 franga ar; “Varoshi Poshtë, 91.64 franga ari; “Manço”, 12.240 franga ar;  “Treg”, 73.600 franga ar; “Mano”, 46.755 franga ar; “Manto”, 69.210 franga ar; “Qiro”, 56.200 franga ar; “Kulla e hirit”, 4.270 franga ar; “Lumë” + “Sahat”, 177.100 franga ar; “Lagjja e Re”, 936.650 franga ar. Shuma gjithsej shkoi në 2. 467. 874 franga ar. Këto të dhëna flasin për një shkatërrim total dhe të frikshëm. “Varoshi” u detyrua të ringrehë edhe një herë nga e para shtëpitë e rrënuara, që do të thotë se ne sot mund të shohim vetëm shtëpitë e vitit 1931, por edhe kjo nuk është tërësisht e vërtetë.

Tërmeti i vitit 1960

Më 26 maj 1960, në orën 06.10 minuta të mëngjesit një tërmet tjetër rrënoi përsëri shtëpitë e ndërtuara mbi moçalin e lagjeve “Varosh” ku mbetën të vdekur 6 persona dhe 95 të plagosur, nga të cilët 28 në gjendje të rëndë. U shembën 165 shtëpi dhe u dëmtuan 300 të tjera. U shkatërrua rrjeti i ujësjellësit dhe i energjisë elektrike. U rrënuan kopshte, shkolla dhe çerdhe. Këto janë raportimet që jep gazeta “Bashkimi” e datës 27 maj 1960, por në të vërtetë dëmet kishin shumë më të mëdha se kaq, sepse edhe pas 8 muaj nga dita e rënies së tërmetit   rindërtimet dhe riparimet e shtëpive ende nuk kishte përfunduar. Qeveria e saj kohe mori zotimin që 100 familje t’i strehonte në apartamente. Siç dihet, të gjitha shtëpitë u ndërtuan me punë vullnetare. Në këtë mënyrë u ndërruan edhe shumë banesa të tjera paskëtaj. Sot lagjet e Varoshit “fshihen” nga bulevardi “Shën Gjergji” dhe bulevardi “Republika”. Përtej këtyre dy bulevardeve gjen po atë fshat të dikurshëm, veçse nuk gjen dot asgjë “të veçantë” dhe asgjë “interesante”. Ja pra se çfarë dëshirojnë të na tregojnë zotërinjtë Filo- Peleshi që nga maja e kullës  panoramike! Në këtë kullë ka mundësi të ngjitet edhe Kryeministri i vendit Edi Rama. Megjithatë, ne jemi te bindur për një gjë: nga maja e kësaj kulle, Kryeministri ynë, nuk ka për ta gjetur kurrë “pjesën tradicionale” të qytetit, të pretenduar nga zotërinjtë Filo-Peleshi, edhe sikur të rrijë majë kullës për ditë e net të tëra. Veçse një pyetje ka për të qëndruar pezull gjithnjë: Përse u shpenzuan 240 milionë lekë zoti Kryeministër?!

Vepror Hasani