CEZ nis kufizimet drastike në Durrës

590
Sigal

FILLIMDIMRI/ Qindra qytetarë shprehin ankesat e tyre në drejtim të shërbimit dhe menaxhimit që bën kompania çeke

Në prag të stinës së dimrit ndërprerje të gjata të energjisë elektrike janë vënë re në qytetin e Durrësit, ndërprerje, të cilat nisin në orën 10:00 paradite e vijojnë deri në orën 14:00 të drekës, pa asnjë paralajmërim për banorët. Në këtë situatë, kur nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga kompania, e cila abuzon hapur me të drejtat e qytetarëve janë shtuar ankesat e banorëve të Durrësit ndaj kompanisë monopoliste në tregun e energjisë CEZ, kompani, e cila po zhvat qytetarët durrsakë. Me qindra qytetarë durrsakë për çdo ditë qytetarët denoncojnë, ndërprerjet e energjisë elektrike në zona të ndryshme si dhe mungesën e shërbimit nga kjo kompani, në zyrën e kujdesit ndaj klientit, zyrë e cila ditët e fundit është kthyer në një “hambar” ankesash të pazgjidhura.

Situata

Qindra qytetarë shprehin ankesat e tyre në drejtim të shërbimit dhe menaxhimit që kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike është duke bërë në këtë fillim dimri. Ankesat në drejtim të kompanisë “CEZ Shpërndarje” janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit në qytetin e Durrësit, të cilat lidhen me ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, mos dërgimin e faturave në shtëpi dhe sidomos gjobat që janë bërë tashmë e modës nga struktura të kësaj kompanie. Ndërkaq qytetarët ankohen se fatura prej muajsh nuk u shkon në shtëpi dhe për këtë arsye detyrohen që të mbajnë radhën për të marrë faturën për të paguar më pas lekët. Ka mjaft prej tyre, sidomos të moshuar, që vijnë nga lagje të largëta, si Shkozeti dhe Porto Romano, ndërkohë që, asnjë informacion nuk jepet se përse faturat nuk shkojnë në banesat e tyre.

Qytetarët

Qytetarët e Durrësit shprehen se mungesa e një kontrate individuale midis konsumatorit dhe CEZ kompani ka bërë që kompania të mos mbajë asnjë përgjegjësi ndaj detyrimeve që ka, ndaj problemi është evident në shumë zona, të cilat shpeshherë kërkojnë ndërhyrje në raste defektesh dhe kur paraqiten në zyrën e kujdesit ndaj klientit, si përgjigje marrin se duhet të dëgjojnë mbi dhjetë e-mail në adresën e kompanisë CEZ që këta të fundit të nisin prej Tiranës një grup për remonte. Situata është sa qesharake aq edhe tragjike, sepse shërbimi mungon tërësisht, ndërsa qytetarët sorollaten për ditë të tëra, në mungesë të zgjidhjes së problemeve që ata kanë.