“CEZ”, kallëzimi i KLSH dorëzohet në Prokurori

590
Kallëzimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj ministrit Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hicka për çështjen CEZ, do t’i kalojë për hetim Prokurorisë së Tiranës.
Prokuroria e Përgjithshme e ka kaluar çështje tek Prokuroria e Tiranës, prokuroria Antoneta Sevdari do të hetojë apo verifikojë nëse ka apo jo vepër penale. Sevdari heton edhe çështjen e Kastriot Ismailajt.
KLSH thotë në raportin e vet se, “referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementët e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ a.s, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 479 milionë euro”.
Dëmin e shkaktuar KLSH e ndan në tre zëra; Së pari 95 milionë euro, që ishte shuma e dakortësuar që pala shqiptare derdhi për llogari të CEZ sh.a. si pjesë e ujdisë për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve. Së dyti, 352 milionë euro dëm i shkaktuar nga detyrime financiare që CEZ sh.a. kishte ndaj shtetit shqiptar si pasojë e keqmenaxhimit 2009-2012, e që me anë të kësaj marrëveshjeje iu falën. Së treti, 32 milionë euro zhvlerësimi i vlerës së 24 përqind të aksioneve të shtetit në kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në mënyrë të përmbledhur, KLSH në raportin e saj për të argumentuara dëmin, thotë se Qeveria shqiptare arriti marrëveshje për riblerjen e OSHEE-së, por mori përsipër detyrime të padokumentuara, megjithëse pranon se ka patur keqmenaxhim.
KLSH pranon se duke iu referuar dokumentave për menyrën sesi CEZ ka menaxhuar kompaninë, është krijuara një dëm prej 479 milion euro. Madje, thotë KLSH, kompania në kohën kur iu hoq licenca ishte e falimentuar, me vlerën negative të aksioneve. Por KLSH thotë se Qeveria nuk ka evidentuar asnjë pretendim për këtë keqmenaxhim. Heqja e licencës së CEZ është bërë në maj të viti 2013, pasi kompania çeke nuk kishte plotësuar asnjë nga detyrimet me palën shqiptare. Këtë fakt e evidenton edhe KLSH. Madje në atë kohë vendi hyri në ngërç energjitik me ndërpreje të gjatë të energjisë për shkak të mungesës së dukshme të investimeve. 
Rreth 6 muaj më vonë qeveria socialistë e ardhur në pushtet, nisi negociatat për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe statusin e kompanisë, e cila kishte mbetur peng. Ky vendim hapi debate politike në vend, me akuza dhe replika. Opozita akuzoi për dëm qindra miliona euro shkaktuar shtetit shqiptar, por Qeveria shqiptare argumentoi se zgjidhja përfundimtare e konfliktit me CEZ-in, jo vetëm që qartësoi statusin juridik të shoqërisë, por përfundimisht hapi rrugën për investime në sektorin e shpërndarjes, i lënë në kolaps pikërisht për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve duke zbllokuara kredinë prej 150 mln euro të Bankës Botërore. 
Sipas Qeverisë, procesi gjyqësor i Arbitrazhit do të kërkonte të paktën 4 deri në 6 vjet kohë. Kostoja e mbrojtjes ligjore, do të shkonte në miliona dollarë dhe pa qenë të sigurtë në suksesin e çështjes. Ujdia u arrit më 23 qershor të 2014-ës dhe pak pas kësaj kaloi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë duke u shndërruar në ligj.
Sigal