CEZ-i zëvendëson SHIK-un e Gazidedes

576
Sigal

Drejtuesit e CEZ-it kërkojnë adresat dhe numrat e kontratave të sahateve për gazetat dhe televizionet

Sipas informacioneve të fundit, Drejtoria e CEZ –it  për Tiranën, i ka dërguar një shkresë degës së shitjes dhe pagesës së faturave (në godinën që ndodhet ngjitur meLSI-në), ku i kërkon këtyre  të fundit të evidentojnë  të gjitha numrat e telefonave, numrat e kontratave të librezave të pagesës së faturave të energjisë, si dhe të e-mail-it të redaksive, televizioneve, radiove, revistave dhe gjithçka që ka të bëjë me mjetet e informimit publik. Në këtë mënyrë, drejtuesit e rinj të CEZ-it, njëlloj si spiunët e vjetër të mafies profesioniste, po kërkojnë të ushtrojnë panik dhe presion, mbi përfaqësuesit e mediave të lira në Shqipëri. Ata duan të trembin dhe intimidojnë, drejtuesit e këtyre mediave, duke i kërcënuar, ndofta me tarifat apo çmimet e larta spekulative për t’i bërë ato të heshtin. Ose për t’i ndaluar gazetarët e lirë që të mos përmendin më parashtesën, “banditë”, para vjedhjeve galopante që ka bërë dhe po bën kjo kompani, në vendin tonë. Pas këtij operacioni të fshehtë, gjysmë policor dhe gjysmë mafioz të CEZ-it, fshihet gjithashtu, mëkati i faturistëve të dritave, që kanë penalizuar qytetarët shqiptarë me fatura afrofe, tepër të larta dhe ndonjëherë katastrofike. Duke kërkuar adresat dhe madje, numrat e kontratave të sahateve, të mediave, CEZ-i, mendon se ka arritur të shtijë në dorë, “litarin”, me të cilin do të tërheqë institucionet mediatike, si t’i dojë qejfi, CEZ-it. Duke harruar, se brenda kësaj në ndërmarrjeje, bandat vijnë e ikin në mënyrë ciklike, duke bërë rokadën, sipas rezultateve zgjedhore, ndërsa mediat mbeten aty, për t’u rrëfyer të vërtetën njerëzve të thjeshtë. Dhe për të mos lejuar drejtuesit e CEZ-it që të mbulojnë lakuriqësinë e turpshme të grabitjeve, me gjetjet e fikut, apo me faturat afrofe të sahateve.  Në këtë mënyrë, ata që deri dje janë etiketuar si hajdutë të energjisë, apo të parave të popullit, nesër do të etiketohen si pjesëmarrës të bandave mafioze që kërkojnë të kenë dorë të lirë duke masakruar paratë e qytetarëve, por mediat, gazetat dhe televizionet janë postblloku i parë i tyre dhe njëkohësisht, forumi i së vërtetës, ku qytetarët thonë të vërtetën e tyre. Nga ana e vet, gazeta “Telegraf”, ka qenë dhe do të mbetet një kundërshtare e betuar e veprimeve mafioze të CEZ-it, të cilët deri më sot, më shumë se sa dritë dhe energji, kanë shpërndarë errësirë dhe hajdutë. Faktet e shumta të denoncuara prej qytetarëve gazeta “Telegraf” do t’i bëjë publike ditë pas dite, duke e njohur opinionin publik, me mafien energjetike, e cila përbën një rrezik të madh në mjedisin shqiptar.

Skandali

Ky skandal i mbledhjes së informacioneve për mediat, është një krim që bëhet në fshehtësi. Ky detyrim duhej realizuar me çdo kusht dhe ky mision ishte përgatitur nga njëfarë Enea Zylyftari. Dihet që ky urdhër nuk është urdhri i tij personal, por i drejtuesit kryesor dhe i udhëzuar nga këshilltarët e shtetit dhe mafies, që po instalohet me shpejtësi në Shqipëri. Por sipas shkallës së rrezikshmërisë që krijon nga këto lloj presionesh, ky urdhër përbën shkelje e të drejtave, pasi këto media duhen trajtuar dhe konsideruar si klientë, pavarësisht, objektit të punës dhe aktivitetit. Ndaj tyre duhet sjellë njëlloj si dhe ndaj çdo familjari, apo lokali dhe nëse ka problem të trajtohen në bazë të ligjit. Por ky veprim mafioz bëhet për të shkaktuar  presion ndaj shtypit të lirë nga mafia që grabit përditë miliona euro. Për këtë arsye, si fillim ne ngremë këto pyetje: Sa janë arkëtimet dhe pse  CEZ-i po kapitullon nga këta banditë që vijnë e ikin, duke hapur gropa të korrupsionit të lartë në atë institucion, apo ndërmarrje.  Përveç kësaj, ne mendojmë se nuk ka Bashkimj Europian  me mafien në krye  të drejtorive të energjetikës  Nga ana tjetër, Ambasadat duhet të alarmohen dhe të paralajmërojnë kancelaritë e tyre se në Shqipëri, CEZ-i ka marrë përsipër misionin e destabilizuesit të marrëdhënieve shoqërore. Dhe në fund, Prokuroria duhet të fillojë menjëherë hetimet, sepse ky skandal është ende në prologun e vet, ndërsa subjekti dhe skenari që kanë planifikuar do të ketë fryte të hidhura.