CEZ dhe Shpella Platonit

718
Sigal

Në një shpellë u linden dhe u rritën me zinxhirë disa njerëz. Mënyra e tyre e vetme e kontaktit me hapësirën e jashtme ishte një mur anësor mbi të cilin përfytyrohen hyrjet prej jashtë. Për ata njerëz të zinxhirosur, muri është bota e tyre. Por, nëse njëri prej atyre “banorëve” të shpellës do të thyente zinxhirët dhe do të dilte jashtë, në dritën e diellit, do të shikonte botën e vërtetë. Kurse nëse ai do të kthehej në shpellë mes të zinxhirosurve, ai do të konsiderohej i marrë. Të tjerët nuk do ta besonin fare…” Kjo është shkurtimisht panorama që përshkruhet kur do të shpjegosh shpellën platoniane. Por, ju do të thoni çfarë lidhje mund të ketë kompania CEZ shpërndarje me Shpellën e Platonit. Mbase ky paralelizëm nuk ka shumë domethënie, por nëse kuptimin e errësirës tek Platoni e marrim thjesht si errësirë dhe jo mungese njohjeje, atëherë do të shohim se një lidhje, sado e vogël, ekziston. Situata energjetike në vend është në kolaps. Shqiptarët i janë rikthyer asaj errësirës së shpellës dhe vuajnë ende për elektrifikim të plotë, kur prej politikës shqiptare aspirohet fort integrimi në organizmat evropiane, perëndimore, moderne. Çfarë na duhen interneti dhe kompjuterët kur ne nuk kemi energji elektrike?! Si duhet ta kalojmë lehtë dhe pa ndikim në shëndet të ftohtin stinor me këto ndërprerje energjie?! Për të gjitha këto përgjegjës janë CEZ dhe politikbërësit tanë. Para pak ditësh u bë publike edhe letra që CEZ i drejtoi punonjësve të tij ku i informon për shitjen e aksioneve të tij. Në dukje kjo mund të duket një normalitet biznesi, mirëpo për CEZ-in ndryshojnë. Së pari CEZ-i nuk ikën me dëshirën e tij. I hiqet licenca për shkeljen e kontratës, për abuzime. Që CEZ-i të ketë të drejtën që të shesë aksionet e veta, duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet financiare që ka ndaj shtetit shqiptar dhe ndaj kompanive të tjera publike. Si mundet të lejohet që CEZ-i të shesë aksionet e tij, sikur çdo gjë të jetë e drejta e tij? CEZ-i nuk ka investuar asnjë euro në Shqipëri, atëherë çfarë aksionesh do të shesë? Duke mos investuar asnjë euro, a nuk duhet që CEZ-it t’i kërkohet llogari se ku është baza materiale që iu dha- nuk i bleu-  në përdorim? Edhe Banka Botërore e pranoi se, privatizimi nuk rezultoi i suksesshëm dhe padyshim ky është një ndër shqetësimet e saj për Shqipërinë, së bashku me borxhin e lartë dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike. Problemet me CEZ nuk do të prekin vetëm sektorin energjetik, por do të penalizojnë edhe rritjen ekonomike të vendit.

Loja që sot po bëhet midis shtetit dhe CEZ duhet të mbarojë, pasi pasojat reflektohen drejtpërsëdrejti mbi kurrizin e konsumatorëve të ndershëm dhe në të gjithë ekonominë shqiptare. Çdo veprim dhe mosveprim në kohë të qeverisë dhe enteve përkatëse, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me abuzimet financiare që sollën këtë situatë kaotike dhe problematike për konsumatorët shqiptarë, duhet të marrë fund që shqiptarët të mos vazhdojnë të rrinë në errësirën e një shpelle.

Privatizimi i sektorëve strategjik u bë me synimin për të përmirësuar aktivitetin e kompanive që përfaqësonin këta sektorë dhe sot gjejmë një dështim total të çdo sektori dhe rritjen e stresit tek shqiptarët për të jetuar jetën e tyre në një vend që edhe kushtet minimale të elektricitetit nuk ia plotëson.

…….Pra ashtu si njerëzit jetonin mes errësirës dhe iluzionit në shpellën platoniane edhe CEZ  i ka vendosur shqiptarët në një errësirë fizike dhe psikologjike. Është koha që mos të kujtojmë dhe kthejmë errësirën e viteve ’90, por të afrohemi drejt dritës që jetojnë të gjithë qytetarët e kombeve të tjera e që ne duam aq shumë të jemi pjesë.