Çështja e Fierit, e cila mban “peng” tre ligje në Parlament

537
Sigal

Asnjë marrëveshje për ‘Fierin’, Këshilli i Qarkut, dy mbledhje paralele

Çështja e Fierit, e cila mban “peng” tre ligje në Parlament, duket se ka përçarë edhe këshilltarët, të cilët sot janë bërë pjesë e dy mbledhjeve të ndryshme, pasi maxhoranca dhe opozita nuk kanë ende një marrëveshje që do të zgjidhte këtë ngërç. Mësohet se këshilltarët e majtë dhe të djathtë zhvilluan dy mbledhje të ndryshme dhe kjo për shkak të kryetarit të Këshillit të Qarkut, pasi të djathtët njohin Artur Shehun si kryetar, ndërsa të majtët pretendojnë se ka vendime gjykate që kanë shpallur Vangjel Ndrekon kryetar. Mbledhja paralele e këshilltarëve të majtë u zhvillua në sallën e Bashkisë së qytetit, ku morën pjesë 53 këshilltarë, ndërsa në mbledhjen tjetër, që u zhvillua në një ambient privat ishin të pranishëm 49 këshilltarët e PD. Në përfundim të mbledhjeve, Vangjel Ndreko akuzoi Kryeministrin Berisha se po bllokon integrimin e vendit në BE, duke mos zbatuar vendimet e gjykatave. “Vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk zbatohen. 11 këshilltarë nuk lejohen te ushtrojnë mandatin e tyre”- u shpreh Ndreko. Ndërkohë, nga ana tjetër, Artur Shehu pretendon nuk ka asnjë vendim të gjyqësorit që Ndreko të jetë kryetar i Qarkut. “Kemi kuorumin e nevojshëm prej 50 anëtareve të Këshillit të Qarkut.”- deklaroi Shehu. Këshilli i Qarkut Fier ka në total 96 anëtarë.