Ceremonia, rivarrosen si dëshmorë 3 ushtarë të rënë në krye të detyrës

602
Sigal

BERAT- Në një ceremoni të mirë organizuar, dje në mesditë, u bë ceremonia e rivarrimit në Varrezat e Dëshmorëve të tre ushtarëve beratas të vrarë në krye të detyrës pas vitit 1990. Ceremonia u organizuar pasi së fundi, Këshilli i Qarkut të Beratit,me një vendim të posaçëm, i ka shpallur tre ushtarët e rënë “Dëshmorë të Atdheut. Dëshmorët e rinj të Atdheut që u rivarrosën në ceremoninë e djeshme janë Sokol Gojka, Adrian Çorogjafi dhe Kujtim Agalliu. Në ceremoninë e djeshme, trupat e tyre janë përcjellë për në banesën e fundit me breshëri automatike.

CEREMONIA

Këshilli i Qarkut Berat, në mbështetje të Ligjit dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, për statusin “ Dëshmori i Atdheut” u akordoi tre ushtarëve të vrarë titullin e dëshmorëve dhe njëkohësisht, akordoi fondet përkatëse për ceremoninë e varrosjes së “Dëshmorëve të Atdheut”. Në ceremoni merrnin pjesë Petrit Sina, kreu i Këshillit të Qarkut, Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi, deputeti Fidel Ylli, prefekti Sejfulla Kapllani, familjarë të tre dëshmorëve të rinj e shumë qytetarë. “Ne si pushtetar, por edhe si qytetar, kemi detyrimin sa ligjor por edhe moral të respektojmë këta djem që kanë dhënë jetën në rininë e tyre për interesat e Atdheut. Ata ranë për të qenë të pavdekshëm dhe vendosja në këto varreza i vendos ata në krahë të qindra bijve dhe bijave që kanë rënë me dashurinë për detyrën dhe Atdheun. Qëndrimi heroik dhe burrëror i këtyre djemve është dhe do të mbetet burim frymëzimi për ne, për brezat e rinj dhe për brezat që do të vijnë”- tha në përshëndetjen e tij Sina. Në këtë ceremoni, u përshëndet dhe nga familjarë të dëshmorëve të rinj, të cilët theksuan se vendimi dhe vendosja e djemve të tyre në “Varrezat e Dëshmorëve”, është një vlerësim për sakrificën sublime që ata bënë në përmbushje të betimit ushtarak.

DËSHMORËT E RINJ

Ushtari Sokol Gojka ra në krye të detyrës në Shkodër, në vitin 1991 duke luftuar me bandat kriminale që sulmuan depot e ushtrisë. Atje në malet me dëborë, të Peshkopisë, po në vitin 1991 ngrinë në dëborë, në krye të detyrës ushtari Adrian Çorogjafi. Në mbrojtje të pronës së shtetit në përplasje me banda grabitëse binte në vitin 1997 në krye të detyrës Kujtim Agalliu. “Qëndrimi heroik dhe burrëror i këtyre djemve është dhe do të mbetet burim frymëzimi për ne, për brezat e rinj dhe për brezat që do të vijnë. Këta janë dëshmorët e rinjtë që nuk duhet ti harrojmë. Sa herë që kujtojmë dëshmorët mëndja na shkon tek ata të luftës, por ne duhet të mësohemi të nderojmë edhe dëshmorët e rinj ,të cilët kanë dhënë jetën në krye të detyrës”- tha në ceremoninë e djeshme deputeti Fidel Ylli.