Ceremonia e çlirimit të qytetit, politika e ndarë

532
Sigal

Përkujtimi i çlirimit të qytetit të Elbasanit nuk mundi të bashkojë dje forcat politike lokale. Në këto ceremoni morën pjesë vetëm përfaqësues të pozitës, ndërsa përfaqësues të opozitës nuk ishin të pranishëm. Komiteti i Veteranëve të Luftës për Elbasanin, në bashkëpunim me strukturat lokale vendore e qendrore, kanë përkujtuar dje me një sërë aktivitetesh 69 -vjetorin e çlirimit të qytetit nga pushtuesit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë veteranë të Luftës nacional Çlirimtare, të afërm të familjeve të dëshmorëve, drejtues të pushtetit vendor e qendror, si dhe si dhe qindra qytetarë të grup moshave të ndryshme. Njëkohësisht, në aktivitetet e ditës së djeshme, morën pjesë dhe deputetët e zonës, përfaqësues të forcave politike si dhe të ftuar të tjerë nga rrethet fqinje. Nëpërmjet aktiviteteve të planëzuara nga organizatorët, të pranishmit kanë përkujtuar edhe njëherë sakrificën e 23 partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese, të cilët dhanë jetën për çlirimin e qytetit të Elbasanit 69 vjet më parë si dhe kontributin e bashkëluftëtarëve të tyre që luftuan me heroizëm për çlirimin e këtij qyteti nga pushtuesi nazist. Aktivitetet e ditës së djeshme u hapën me vizitën e organizuar tek Varrezat e Dëshmorëve. Vendosja e kurorave me lule në lapidarin ngritur për nder të dëshmorëve të rënë në luftë është paraprirë nga tingujt e Himnin të Flamurit, interpretuar nga Banda Frymore ‘Afërdita’. Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, në fjalën e tij të rastit shprehu mirënjohje për të rënët, duke vlerësuar kontributin e tyre si një vlerë e pazëvendësueshme për Elbasanin pasi me mund, sakrifica e gjak, bënë të mundur çlirimin e qytetit. Gjithashtu, Kryebashkiaku Sejdini shprehu mesazhe falënderimi për të gjithë veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve elbasanas. Qyteti i Elbasanit u çlirua nga okupatori nazifashist më 11 nëntor të vitit 1944, pas një lufte të ashpër ku dhanë jetën 23 partizanë të Brigadës së XV Sulmuese. Por ajo që ranë sy në aktivitetet e çlirimit të qytetit të Elbasanit ishte mos marrja pjesë e përfaqësuesve të opozitës, si edhe deputetëve të saj. Era Çela