Çelet ditën e nesërme në Durrës panairi ndërkombëtar i librit shqip

530
Për 4 ditë me radhë, nga 3 deri në 6 gusht, qyteti i Durrësit do të jetë vëmendja letrare mbarëkombëtare, vend i cili është zgjedhur sërish për të zhvilluar “Panairin Ndërkombëtar të librit shqip”. Është viti i dytë që ky panair organizohet në Durrës duke u kthyer tashmë në një aktivitet tradicional për qytetin bregdetar. Ky aktivitet organizohet nga shoqata kulturore artistike “Durana” në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Vangjush Dako. Drejtuesi i këtij eventi njëkohësisht përfaqësues i shoqatës “Durana”, poeti Aqif Hysa konfirmon pjesëmarrjen e mbi 50 shtëpive botuese nga vendi dhe disa shtete të tjera në këtë panair që do të zhvillohet në shëtitoren Taulantia, buzë detit në sheshin e sfinksit. Ky është një event që i shërben zhvillimit të turizmit kulturor të Durrësit i cili nuk ofron vetëm plazhet, detin dhe arkeologjinë por tashmë çdo vit kthehet edhe në qendrën letrare mbarëkombëtare. E veçanta e këtij panairi është se libri shqip vjen jo vetëm nga Shqipëria e Kosova por edhe nga Greqia, Italia, Maqedonia etj ku botohen në shqip vepra të shkrimtarëve shqiptarë. Po kështu në këtë panair zgjat nga 3 deri në 6 gusht do të ketë një risi pasi shumë shtëpi botuese kanë botuar vepra letrare posaçërisht për këtë panair dhe këta tituj të rinj do ët dalin për herë të parë për lexuesit durrsakë dhe pushuesit që ndodhen në qytetin tonë. Poeti Aqif Hysa gjithashtu ka bërë të ditur se “Pas suksesit të panairit vitin e kaluar tashmë nisim edicionin e dytë që mendojmë se do të jetë edhe më shumë i suksesshëm. Janë rreth 50 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe 5 vende të tjera ku botohen libra shqip, që janë bërë pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Librit, i cili do të mbahet nga data 3 deri më 6 gusht, përgjatë Shëtitores “Taulantia”. Jemi të entuziamuar nga përgjigja pozitive e menjëhershme që kanë treguar shtëpitë botuese që botojnë në shqip kudo ku ato operojnë jashtë Shqipërisë. Synimi i këtij Panairi është ruajtja dhe përhapja e gjuhës së bukur shqipe në trevat shqipfolëse nëpërmjet librit dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ky panair i shërben shkëmbimit të vlerave. Ftojmë të gjithë pushuesit, vizitorët, qytetarët, që do të jenë përgjatë këtyre ditëve në Durrës që të afrohen me librin. Ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një Panairi tematik, i vetmi i këtij lloji për këtë qytet. Kjo është një ngjarje kulmore për qytetin e Durrësit dhe gjithë qytetarët e saj. Gjuha shqipe është baza e identitetit tonë kombëtar dhe ku më mirë se libri shqip ne mund të sjellim përqasjen më frytdhënëse nëpërmjet promovimit tonë kulturor.” Në Panairin Ndërkokombëtar të Librit Shqip mbi 50 shtëpi botuese nga vende si Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, etj do të promovojnë librat shqip për të gjithë të apasionuarit pas letërsisë shqipe. Ky panair ka për qëllim promovimin e artit dhe kulturës nëpërmjet aksit Durrës-Tiranë. Panairi do të qëndrojë i hapur për 4 ditë nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës , në shëtitoren “Taulantia” në sheshin e sfinksit.
Sigal