Celebrohet në datat 22-28 nëntor, veprimtaria: “Java e Jetimëve në Presidencë”

817
Në oborrin e presidencës çelet fotoekspozita me rastin e 100-vjetorit të Themelimit të Strehës së parë Vorfnore me 960 foto të veçanta
Presidenca e Republikës së Shqipërisë dhe “Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë” , në Jubileun e 100-vjetorit të themelimit të “Strehës së parë Vorfnore” (1917-2017), celebron në datat 22-28 Nëntor, veprimtarinë: “Java e Jetimëve në Presidencë”. Dje në ambientet e presidencës janë bërë përgatitjet e fundit me rastin e celebrimit të “Javës së Jetimëve në Presidencë”. Me këtë rast, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, në bashkëpunim me z. Ilir Çumani, Drejtor, i “Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë”, kanë organizuar, takime, fotoekspozita, biseda me jetimë etj. Konkretisht në ambientet e hapura në Presidencës është përgatitur një ekspozitë shumë interesante me siglën “100- vjet, Strehëz e Parë Vorfnore”. Në këtë ekspozitë janë paraqitur në mënyrë kronologjike, gjithë historia e krijimit të Shtëpive të Fëmijëve në Shqipëri apo Strehëzat Vofnore siç quheshin në fillim. Në gjithë ambientet dhe mjediset e hapura janë ekspozuar gjithsej 960 fotografi dhe faksimile. Një punë pasionante dhe shumë profesionale e realizuar si kurator, nga z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili është edhe ideator dhe realizator i kësaj fotoekspozite të rrallë, por, njëkohësisht edhe ideator dhe themelues i 20 Majit, e njohur tashmë si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”. Fotoekspozita shtrihet në 5 periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, përmes të cilave ka kaluar “Streha e parë Vorfnore:

1- Periudha e pas Luftës së Parë Botërore me veprimtarinë e motrave stigmatine, të cilat në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Amerikan, ushtronin veprimtarinë bamirëse në vendin tonë, veçanërisht në pjesën e nën Shkodrës
2- Periudha e Mbretërisë
3- Periudha e pushtimit të Italisë Fashiste
4- Periudha e komunizmit.
5- Periudha e demokracisë. 

Përmes një videoprojektori, do të shfaqen material filmike, kinoditarë e dokumentarë mbi historikun, sesi kanë funksionuar këto jetimore në Shqipëri. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Presidencës një javë, nga data 22-28 nëntor, 2017 dhe do të jetë e shikueshme për të gjithë qytetarët paradite dhe pasdite. Pra, hapet për herë të parë një Fotoekspozitë fotografike shumë serioze që pasqyron foto të rralla dhe dokumentet historike mbi jetimoret e para në Shqipëri deri në ditët e sotme, që nuk janë publikuar ndonjëherë dhe që shtrihen si hapësirë kohore të ngjarjeve që kanë ndodhur që nga vitet 1912 – 2017. Në këtë veprimtari janë të ftuar ish—presidentët, përfaqësues të partive politike, ambasadorë të vendeve mike të akredituar në Tiranë, Përfaqësuesit e Lartë të Komuniteteve Fetare në Shqipëri, përfaqësues të Shoqërisë Civile, akademikë, gazetarë, artistë dhe shumë personalitete publike.
Synimi i ekspozitës
Fotoekspozita (e dyta këtij lloji) sipas Çumanit, synon të sjellë në memorien kombëtare të gjithë trajektoren historike, në një këndvështrim panoramik përmes gjuhës së fotografisë dhe dokumentit, të të gjithë rrugëtimin e gjatë historik, plot përpjekje të dhimbshme, të vështirë dhe të mundimshme që i është dashur të kaloj populli ynë gjatë kthesave të rëndësishme të historisë, në përballje me rezistencën që i bëri të huajve që kërkonin me çdo kusht asimilimin e kombit tonë, por ana tjetër, shfaqet duskshëm vitaliteti dhe shpirti i madh human i popullit shqiptar, i cili krahas rezistencës që u bëri të huajve për vetëekzistencën e tij si komb, mundi të shfaqë edhe një dimension tjetër; forcën e madhe shpirtërore të humanizmit njerëzor duke i’u gjendur pranë fëmijëve jetimë, atyre që kishin humbur familjen dhe shpresën për të jetuar. Për shekuj me radhë populli shqiptar vuante nga zakoni i Perandorisë Osmane për skllavërimin e djemve të krishterë në shërbim të sulltanit, në radhë të parë të fëmijëve që kishin mbetur jetimë nga luftërat e popullit tonë me pushtuesit turq. Këta djem jetimë, i dërgonin në Stamboll, i kthenin në myslimanë dhe pas shkollimit i caktonin për të shërbyer gjithë jetën në njësitë ushtarake profesionale të këmbësorisë, që quheshin jeniçerë.

Jetimorja e parë në Shqipëri
Jetimorja e parë në Shqipëri u krijua më 28 Nëntor 1917 në Tiranë me iniciativën e prefekturës e të bashkisë së Tiranës dhe me përkrahjen e autoriteteve austriake. Ajo në fillim u vendos në teqenë e Sheh Dyrit. Menjëherë pas luftës, për pajisjen e godinës së jetimores ndihmoi kryqi i kuq Amerikan. Jetimorja më pas u quajt “Strehë Vorfnore”. Në fakt, sipas dokumenteve të kohës, iniciatori, ideatori dhe themeluesi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri është diplomati dhe një ndër personalitet e shquara të kohës, z. Rauf Fico, në atë kohë Nënprefekt i Tiranës dhe Durrësit. Iniciativa për ngritjen e Strehës i lindi nga vdekja tragjike e një djali jetim 5 vjeç, refugjat nga Dibra, të cilin dy xhandarë austriakë ia kishin sjellë në zyrën e tij, një mbrëmje më parë së bashku me të motrën e tij 4 vjeçe. Të dy fëmijët i kishin gjetur në fshatin Farkë të Tiranës, duke ngrënë bar. Atë mbrëmje z. Fico, në rolin e nënprefektit therret hoxhë Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin, dhe u kërkon atyre që t’iu sigurojnë një vend sa për atë natë për fjetje dhe pak ngrohje dhe bukë. Të nesërmen në mëngjes, z. Fico, merr lajmin se njëri prej tyre, djali 5 vjeçar nuk mundi të mbijetojë. Kjo ngjarje, tregon në kujtimet e tij z. Rauf Fico, “më prishi nervat, e më ç’qetësoi për së tepërti, mbasi dhe vetë kisha djemtë e vegjël dhe familjen në Gjinokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin po me këtë mënyrë…” *1) Dokumenti mban datën 03.Tetor.1937, dhe është letra që Z. Rauf Fico, i dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të asaj kohe, z. Haxho Shkoza. Kështu, 95 – vjet më parë, ra kambana për të ngritur lart moralin shqiptar. Krijimi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, ishte aksioni më u ngutshëm në atë kohë të rëndë që kalonte vendi. Tirana dhe e gjithë Shqipëria, nuk mund të harrojnë kurrë bamirësit e mëdhenj fisnikë, si Themeluesit e Strehës së Parë Vorfnore Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Zyber Hallulli etj.
Aktualisht
Historia e Strehës së Parë Vorfnore nuk do të ishte e plotë dhe nuk do të kishte kuptim pa përfshirë edhe ato periudha të mëvonshme po aq të rëndësishme që sollën një revolucion të madh në përhapjen dhe modernizimin e shumë institucioneve të tilla simotra në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Pogradec, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë etj. Këto institucione shërbyen dhe ende vazhdojnë të shërbejnë deri në ditët e sotme për edukimin mirërritjen dhe mbrojtjen sociale të asaj kategorie fëmijësh që për shumë arsye janë të privuar nga mungesa e prindërve dhe mos pasja e familjes së tyre biologjike.
Në Shqipëri, ende nuk po zbatohen si duhet format e ndryshme të përkujdesjes mbi fëmijët jetimë dhe të braktisur, që në vendet e tjera të Evropës Lindore ekzistojnë që prej shumë kohësh. Shteti sot, realisht i ka të kufizuara mundësitë financiare për mbështetjen sociale. Por, edhe fondacionet e shoqëritë bamirëse nuk mund të marrin përsipër gjithë barrën e përballimit të këtij problemi. Nëse në regjimin komunist kishte 25 mijë fëmijë jetimë, sot kemi mbi 31 mijë, deklaron z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptar.

Programi
Ditën e mërkurë, dt. 22 nëntor 2017, paradite, ora 11.00, nis ceremonia e veprimtarisë. 
Çelja nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës z. Alqi Bllako. 
Ora 11.00- 11.10, ceremonia e Himnit të Flamurit dhe e Himnit të Jetimëve. 
Ora 11.10-11.20, fjala e hapjes e ceremonisë, mbajtur nga Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të JetimëveShqiptarë. 
Ora 11.20-11.30, përshëndetje nga Përfaqësuesit e Lartë të KomuniteteveFetare në Shqipëri. 
Ora 11.30-11.35, fjala përshëndetëse e një e një personaliteti grua, e rritur jetime. 
Ora 11.35-11.40, fjala përshëndetëse e një personaliteti burrë i rritur jetim.
Ora 11.40-11.55, fjala përshëndetëse e Sh.T.Z.Ilir Meta. 
Ora 11.55-12.15, ceremonia e dekorimeve nga Presidenti i Republikës për institucione e personalitete që kanë kontribuar në fushën humane, në ndihmë dhe përkujdesje të fëmijëve jetimë. 
Ora 12.15-13.00, Koktejl dhe vizita nëpër eksponatat e Ekspozitës Fotografike me titull: “Streha e Parë Varfnore,100 vjet, rrugëtim i humanixmit shqiptar”.
Sigal