Çela: Promovojmë një shërbim postar ekologjik

494
Sigal

Postierët e Rinj me Biçikleta

Në kuadrin e festimeve të 101 vjetorit të  krijimit të Postës Shqiptare, kjo kompani në bashkëpunim me “Ecovolis” risjell biçikletën në shërbimin postar si një mënyrë ekologjike me kosto më të ulët dhe më të shpejtë duke konsideruar trafikun e Tiranës. Ky bashkëpunim është mundësi e Postës Shqiptare për të promovuar një shërbim postar ekologjik, duke treguar përgjegjësinë  e saj  ndaj komunitetit dhe mjedisit, por dhe një formë inovative e punësimit rinor”. Gjatë këtij eventi fjalën e mori dhe Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, z.Ardit Çela, i cili tha: Jemi këtu së bashku me “Ecovolis” për të filluar këtë projekt të ri për përdorimin e biçikletave për sistemin tonë të shpërndarësisë. Kjo është një mundësi shumë e mirë e jona që nëpërmjet bashkëpunimit të shprehim të gjithë miqësinë tonë ndaj mjedisit si dhe përgjegjshmërinë tonë ndaj komunitetit. Kjo është një mundësi shumë e mirë që do të ulë kostot e shërbimit dhe do të sjellë një nivel të performancës sonë më të lartë ndaj qytetarëve. Ky është një projekt i cili është parë të jetë i shtrirë në kohë dhe të jetë i përbërë nga disa faza. Kjo është vetëm faza e parë, ndërkohë që në fazat e tjera do të kemi mundësinë të bëjmë lajmërimet përkatëse duke ftuar të gjithë të rinjtë që të aplikojnë për t’u punësuar pranë Postës Shqiptare dhe  për të qenë pjesë e sistemit elitar të shpërndarësish, i cili do të krijohet pranë postës shqiptare. Sikurse theksova dhe më parë, ky do të jetë një projekt që fillimisht do të nisë me qytetin e Tiranës dhe më pas do të vazhdojë të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, sidomos në ato qytete të cilat kanë një trafik më të lartë, por dhe një shpërndarje më të gjerë. Do të doja të theksoja dhe një fakt  tjetër. Ky bashkëpunim fillon, pikërisht, sot më datë 5 Dhjetor, e cila përkon dhe me ditëlindjen e Postës Shqiptare. Sot, ne festojmë 101 vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare, prandaj përfitoj nga rasti të uroj të gjithë punonjësit e Postës Shqiptare dhe t’u shpreh urimet më të përzemërta. Gjithashtu i falënderoj për punën fisnike dhe përkushtimin e madh që tregojnë me shërbimin e tyre ndaj qytetarëve  shqiptarë. Në të njëjtën kohë do të doja që t’i uroja të gjithë shqiptarët dhe t’i siguroja që Posta Shqiptare do të jetë gjithnjë pranë tyre me shërbime të reja dhe të një cilësie shumë herë më të lartë, por mbi të gjitha me projekte shumë ambicioze për të ardhmen”. Nëpërmjet kësaj nisme, Posta Shqiptare është e bindur se postierët e rinj me biçikleta do të jenë jo vetëm një risi në punën e saj, por dhe një shërbim eficent ndaj komunitetit dhe biznesit. Kjo nismë është parë si një zgjidhje ndaj shumë problemeve, përfshirë bllokimin nga trafiku dhe ndotjen e mjedisit. Këta të rinj dhe të reja do të jenë një vlerë e shtuar në shërbimin dhe punën e Postës Shqiptare. Gjithashtu, ky shërbim për Postën Shqiptare, do të ketë një kosto më të ulët, krahasuar me amortizimin dhe mirëmbajtjen e makinave dhe motorave. Këto para të kursyera do të jenë për të mbështetur dhe zgjeruar këtë shërbim duke hapur vende të tjera pune në të ardhmen. Iniciativa “Postierët e Rinj me Biçikleta” i bashkangjitet në vazhdimësi misionit të Postës Shqiptare për rikthimin e biçikletës si një mjet efikas pune, pasi të gjithë janë të vetëdijshëm se jemi në  një moment të vështirë mjedisor dhe ekonomik, ku çdo risi ka rol vendimtar.