Ceka: Vlahutin, si i bëri rrush e kumbulla 300 mijë euro

733
Arkeologu dhe politikani i njohur shpërthen kundër ambasadores së Brukselit dhe e cilëson BE-në një institucion plangprishës
Arkeologu dhe politikani i njohur, Neritan Ceka, në një interviste ekskluzive për TPZ.al, jep alarmin për atë që po ndodh në Shqipëri me monumentet arkeologjike. Ish-drejtori i Institutit të Monumenteve akuzon ambasadoren e Bashkimit Evropian, Romana Vllahin, për miopinë e treguar dhe inkompetencën e saj në investimet që janë bërë në Apoloni dhe Finiq. “Apolonia është një shembull i inkompetencës dhe i miopisë njëkohësisht. 750 mijë euro të dhënë nga BE-ja për monumentet arkeologjike. Po të shkosh nesër nuk gjen pothuajse asgjë. Janë 50 mijë euro të investuar në riparimin e një porte dhe pjesa tjetër është beton, i hedhur lart e poshtë, që nuk kontribuon në ruajtjen e monumenteve, nuk kontribuon në lëvizjen e turizmit nuk kontribuon në ruajtjen e monumenteve arkeologjike. Me pak fjalë: është një miopi e BE-së. Ambasadorja Vlahutin është dalluar dhe për rastet e tjera në shtypin shqiptar. Domethënë, ka arritur t’i japin shembullin se si BE-ja është një institucion plangprishës: gati 300 mijë euro, më kanë thënë janë bërë rrush e kumbulla”, tha Ceka.

Ndërkohë, çështja e një ndërtimi në Butrint është shndërruar në çështjen e ditës midis opozitës dhe Qeverisë, ku në qendër të vëmendjes është ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Ajo që ndodh në Butrint, s’ka të bëjë me ndërtimin e një kafeneje është apo jo kafeneje. Ky është banalizimi i problemit. Por, janë procedurat që kalojnë në duart e biznesit, jo të specializuar e një vlere që është e UNESCO-s. Butrintin po e merr biznesi, pa asnjë strategji. Unë nuk kam asnjë kundërshtim, nëse Butrinti nesër, qoftë dhe menaxhohet nga një kompani private, nuk do të më habiste, por kjo duhet bërë në marrëveshje me bordin e Butrintit, duhet të bëhet me UNESCO-n, do bëhet në transparencë të plotë me specialistët që kanë punuar me Butrintin, jo me nëpunës që vijnë nga askush dhe shkojnë tek askushi. Duhet bërë sipas rregullave. Firmës “Hako” i kanë dhënë shërbimet, tjetrit i kanë dhënë restaurimin: në mënyrë rëndomtë, që s’mund të ndodhë në asnjë vend të botës”, u shpreh Ceka.

Si njohës i mirë i administrimit dhe problematikës që kanë dhe kërkojnë monumentet e kulturës dhe veçanërisht ato arkeologjike, Ceka ngre alarmin edhe për emërimin e drejtuesve aktualë. “Atje ka rënë qameti. Emërohen drejtorë kur kanë qenë profesor, i fundit Apollon Baçe. Është një nëpunëse që vjen nga Bashkia, ku ka shërbyer vetëm dy muaj në pritjen e popullit. Bëhet drejtoreshë. Si na përfaqëson kjo në botën ndërkombëtare, si na përfaqëson kjo në konferencat ku shkon e mban tabelën -Shqipëria?”, tha Ceka.
Sigal